Xhovalin Delia: “NUK JE VETËM”!
“NUK JE VETËM”, dëgjoj herë pas here një zë të ngrohtë, gati biblik që më vjen në Facebook nga Shqipëria. Mua, që jam larg nënës, vëllezërve, miqve e DHEUT tim, edhe pse i vetëdijshëm se nuk jam unë destinatari, më tingëllon shumë familjar e inkurajues. Gëzohem që prindërit, motrat, vëllezërit, nipat, mbesat, miqtë e dashamirët e mi në Shqipëri NUK JANË VETËM në këtë dimër të ashpër që i pret. Kanë një qeveri që mendon për ta, sidomos sot, kur veç halleve e varfërisë, na ka mbërthyer për fyti edhe flama Covid-19. Sikur lehtësohen nga pesha e përgjegjësisë që ndjej si bir i atij vendi për bashkatdhetarët e mi. Zoti e bekoftë atë vlla, mik, kojshi apo qeveri që të gjendet në ditë të vështirë! Më në fund utopia biblike, “lum të fundit që do të jenë të parët”, po bëhet realitet në Shqipëri. (Magari!) I zoti i shtëpisë së madhe i ka dalë zot shqiptarëve të braktisur nga Zoti vetë. Më në fund edhe shoku im i ngushtë Arif Lushi, ARTISTI I LINDUR VAN GOGH, pa punë, ose më saktë pushuar nga puna nga një nëpunës anonim, ardhur nga një drejtim i panjohur që do mbetet anonim dhe do iki po në drejtim të panjohur, NUK DO TË JETË VETËM e as i FUNDIT. Nëse ambjenti me shumë halle e pa’ pare nuk e kupton e as e çmon për atë çka është, kryeministri, që e ka pas IDHULL, ArtlushVangohg-un do t’i krijojnë kushte për jetuar në varfëri, por me DINJITET, dy gisht bukë, pak ngjyra, e të tjerat di t’i gjej e t’i bëjë ARTLUSHI vetë.
Përmenda artistin Arif Lushi, legjendën artistike që në fëmijërinë e tij liceale, shokun tim të fëmijërisë e të pleqërisë, por JO si të VETËM në të fundmit e shoqërisë fodulle e të babëzitur shqiptare, por si SIMBOL të paradoksit postkomunistKapitalist çnjerëzor shqiptar. Për fat të keq, ndonëse ndër të PARËT Artistë me A të madhe, është ndër të fundit me “të fundit” e shoqërisë, të cilët për pasanikët qeveritarë MBETEN TRASPARENTE, të padukshëm, pa vlerë, inekzistentë. Lista e artistëve që arroganca e pushtetit dhe e parasë po i masakron, është e madhe, por për mos t’a lënë vetëm artistin Arifin, po shtoj në listën e PADREJTËSISË MORALE, PROFESIONALE E ARTISTIKE edhe një thesar të artit, artistin e mendimtarin Ilmi Kasemi Beati, dëbuar nga AKADEMIA E ARTEVE nga mediokrit siç bënë kohë më parë me një tjetër thesar GËZIM QËNDRON e sapo kthyer nga nga studimet në Amsterdam. Mëse normale, talentet e gjenitë janë pjatat më të preferuara të mediokritetit e të pushtetarëve fodull.
Uroj që kryeministri artist të arrijë të perceptojë mjerimin e artit shqiptar e varfërinë e artistëve, pensionistëve, mësuesve, infermierëve e fshatarëve të urtë e të nënshtruar, pa të cilët do na mungonte edhe oksigjeni në qytetin e asfaltuar e betonuar POSTBUNKER.
ZOTNI KRYEMINISTËR, kur fëmijët shqiptarë nuk kanë lekë për libra e fletore, kur pensionistët nuk arrinë të blejnë ilaçet, kur mësuesit nuk ushqejnë dot fëmijët e tyre, kur artistët nuk ushqehen dot as me ëndrrat e tyre artistike, kur fshatarët nuk mbushin dot barkun me bukë thatë, ku do t’i gjejnë lekët për MASKERINAT që u kërkon gjeneral Lleshi?
Zotni kryeministër, para se të dekretosh një LIGJ PËR TË MIRËN E SHQIPTARËVE, bëju një të mirë reale, të paktën MASKERINAT GRATIS. A nuk do të ishte ky HARXHIM një INVESTIM për shëndetin e jetën e fashës më të varfër të popullsisë, dhe njëkohësisht një investim për të ardhmen e Shqipërisë?
Qeveria italiane, për qytetarët italianë, që janë shumë më kamur se ne shqiptarët, që nga fillimi i pandemisë deri në gusht,
- Ka ka dhënë gradis 30 maskerina në muaj,
- Ka mbështetur të gjitha familjet e VARFRA.
- Ka mbështetur të gjitha bisneset e vogla e të mëdha dhe po vazhdon ta bëjë edhe në valën e dytë të Covid-19.
Kam vënë re se Ju aplikoni pak a shumë DPCM – et e qeverisë italiane dhe shumë mirë bëni. Qeveria italiane nuk është model i qeverisjes, por për qeverinë shqiptare është YLL FARE, pasi në vend të rrumpallës që ka qeveria shqiptare ajo italiane ka mbrapa një ekip shkencëtarësh.
Zotni Kryemistër,
A). A nuk do të ishte mirë që para se t’i kopjoni DPCM-et e qeverisë italiane o francece, t’i studioni për t’i kuptuar se ku synojnë ata?
B). Para se të ndërseni policët për gjoba ndaj pabuksave, a nuk do të ishte më mirë tua shpjegoni ligjin e kopjuar/perpiluar. (Natyrisht pasi ta keni kuptuar së pari Ju, pastaj ministër Leshi e pastaj Lleshat me uniformë).
C). A ju keni shpjeguar policëve se ligji është për të mbrojtur qytetarët e Jo për t’i rrënuar ata me gjoba?
Jam dishepull i Franceskos së Asizit, por nuk pretendoj barazi në kapitalizëm, e aq më pak mëshirë nga barbarët e pasuruar shqiptarë, por nga ju zotni Kryemistër, kërkoj arsye, arsye arsye, drejtësi e kthjelltësi, që TË VARFËRIT TË MOS JENË VETËM.
Që kjo frazë biblike të mos mbetet thjesht slogan në Facebook, filloje me maskat. JEPJU FALAS GJITHË HALLEXHIVE SHQIPTAR QË I KE DETYRUAR ME LIGJ.
Nuk duhet një gjeni per të bërë një llogari kaq të thjeshtë. Qeveria shqiptare mund ta bëje një investim të tillë për shëndetin e Shqiptarëve TË BRAKTISUR nga Zot e qeveria. Në çdo tender, 30% që hyn në xhepat e nëpunësve të qeverisë bëjeni MASKA E BUKË THATË për fukarenjtë. E di që per TË BABËZITURIT E MËSUAR me vjedhje është më e vështirë se per FUKARENJTË E DËSHIRUAR për bukën e gojës, por le të bëjnë si të bëjnë pa vjedhur këta të pafytyrë e të pa fe, të paktën sot që na kërcënon URIA E VDEKJA njëherësh.
Zotni Kryemistër, pa letër pa kalem, po guxoj të bëj HESAPET në xhepin tënd, vetëm me thërrimet e gostive të pasanikëve qeveritarë, mund të kalojnë dimrin e egër që i pret të varfërit shqiptarë. MOS I LËR VETËM HALLEXHINJTË E ATA NUK DO TË LËNË VETËM TY! Nonna vera, fshehurazi të ka pagëzuar katolik. Beso një herë të vetme në Zot edhe pse detyra ta do të jesh laik.
Ilmi Kasemi: JO. NUK JE VETËM. As UNË, as TI, as AI, as NE, as JU, as ATA!