Shaban Murati: Katër faktorë pse në Shqipëri ka interes për zgjedhjet presidenciale amerikane dhe një objektiv i qendrave diversive anti-shqiptare
Një interes krejt i veçantë i publikut dhe i popullit shqiptar po shihet për zgjedhjet presidenciale në SHBA, i pakrahasueshëm me asnjë popull tjetër.
Në Shqipëri nuk ka interes për zgjedhjet në Kinë apo në Rusi, as për zgjedhjet në Francë apo zgjedhjet në Britaninë e Madhe, por ka interes masiv, konstant dhe në rritje për zgjedhjet presidenciale në SHBA.
Janë disa faktorë apo elementë, që ndikojnë për këtë.
Së pari është faktori historik: SHBA është fuqia e madhe dhe e vetme, me të cilën populli shqiptar, kombi shqiptar, ka një përvojë pozitive në historinë e tij, që s’e ka me asnjë shtet të madh, as nga Lindja as nga Perëndimi. Kjo përvojë historike fillon që me përkrahjen e famshme të presidentit Uillson për Pavarësinë e Shqipërisë për të ardhur tek akti i madh i pashoq i çlirimit të Kosovës dhe i krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës.
Shqipëria ka parë dhe sheh te SHBA aleatin real strategjik dhe jo një aleat të përkohshëm koniunktural, të cilin e lidh ndonjë koniunkturë politike ndërkombëtare.
Kjo është një aleancë konstante historike dhe interesant është se që në fillimet e shekullit të kaluar disa vizionarë të vërtetë intelektualë shqiptarë kanë kërkuar aleancën me SHBA.
Ne kemi p.sh. poetin e shquar dhe një nga patriotët më të mëdhenj shqiptarë, Hafiz Ibrahim Dalliu, i cili që në vitet e para të shekullit të kaluar kërkonte aleancë me Amerikën dhe në poemat e tij shkruante: “Amerikë të qofshim falë/Të kemi nënë e të na kesh për djalë…”.
Ky ishte një vizion, i cili tek elita reale politike, krijuese, largpamëse, ka qenë një prirje, e cila u justifikua gjatë 100 vjetëve deri në ditët e sotme. Pra, ky është elementi historik.
Elementi i dytë është aktualiteti i Ballkanit, i cili është një rajon ku janë shtuar ndikimet dhe ndërhyrjet e fuqive të tjera të huaja. Janë fuqi si Rusia apo Kina, të cilët bastin e tyre diplomatik dhe aleancën strategjike e kanë vënë te Serbia, e cila është kundërshtare historike e kombit shqiptar. Ky element i ri gjeopolitik e drejton vetvetiu popullin shqiptar tek aleati i tij real, të cilit i beson, tek SHBA, sepse beson se janë SHBA-të, të cilët do ta neutralizojnë këtë ndërhyrje të fuqive të huaja, kushdo qofshin ato, në rajonin e Ballkanit.
Elementi i tretë është çështja e Kosovës. Ka një komplikim të çështjes së Kosovës tani. Komplikimi është që BE, megjithëse ka mandatin e OKB-së për të ndërmjetësuar bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës, u tregua e paaftë të çonte në një zgjidhje politike, për arsyet e saj të brendshme, për interesa të kundërta që përplaseshin brenda gjirit të diplomacisë evropiane, të cilët një pjesë e mirë e shteteve ishin hapur pro Serbisë.
Kjo koniunkturë e re bëri që BE të tregohet, si prej disa vitesh, edhe në ditët e sotme, e paaftë të zgjidhë çështjen e njohjes reciproke midis Serbisë dhe Kosovës. Ky opinion i imi mbështetet edhe në vetë qëndrimet e fundit të të dërguarit të posaçëm të BE për Kosovën, Lajçak, i cili në mënyrë të habitshme, edhe pse një ndërmjetës, mori anën e një pale, të Serbisë.
Shqiptarët, duke e ndjerë këtë rrezik të çështjes së tyre, çështjes së shtetit të pavarur të Kosovës, natyrisht kanë shpresën dhe besimin vetëm tek aleati i tyre i sprovuar historik: SHBA.
Edhe një element i katërt është vonesa apo zvarritja, ose neglizhenca që BE po tregon ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’i integruar, ose për t’i anëtarësuar ato.
BE ia ka bërë të qartë opinionit publik në Shqipëri, që Europa është një perspektivë shumë e largët.
Europa, duke qenë tepër e përçarë mes vetes, duke mos pasur një strategji të qartë për rajonin e Ballkanit, e bën popullin shqiptar ta përqafojë akoma më shumë aleancën me SHBA, sepse ai shpreson dhe beson, që perspektiva shqiptare është te aleanca me SHBA.
Kjo prirje historike apo gjenetike e ndjenjës së mirënjohjes dhe dashurisë historike, që shqiptarët kanë ndaj SHBA, ka krijuar në kampet e tjera të influencave jashtë-atlantike xhelozi dhe përpjekje për të krijuar ca çarje apo humnera në marrëdhëniet midis popullit shqiptar dhe SHBA.
Ka një përpjekje të disa forcave në Ballkan, shteteve jomiqësore ballkanike ndaj Shqipërisë dhe të shteteve jomiqësore ndaj Shqipërisë jashtë Ballkanit, të cilët përpiqen me çdo kusht të krijojnë një çarje midis SHBA dhe Shqipërisë, si dhe midis SHBA dhe kombit shqiptar.
Pse e bëjnë këtë? Sepse faktori shqiptar është faktori më i rëndësishëm gjeopolitik rajonal, që përputhet me strategjinë amerikane në rajonin e Ballkanit.
Pavarësisht se kush do të zgjidhet President në Amerikë, shqiptarët duhet të tregohen shumë të vëmendshëm, që në situata të tilla të mos bien pre e diversioneve, që krijohen në Ballkan nga qendra antishqiptare. Nuk është çështje më të cilën duhen marrë shqiptarët se kush po fiton në Amerikë, sepse kush fiton atje është çështje e amerikanëve, që votojnë. Shqiptarët duhet të merren me Amerikën.
Konstatohet nga rrjetet sociale e mediatike në Shqipëri një përpjekje për t’i parë zgjedhjet në Amerikë në optikën e një skeme idiote të Luftës së Dytë Botërore për të ndarë dhe Amerikën në partizanë dhe ballistë, ose në komunistë dhe antikomunistë. Në pamjen e parë është vërtet një skemë idiote, të shohësh zgjedhjet presidenciale amerikane nga prizmi i një skeme politike rurale shqiptare. Por çështja është që ka një përhapje ky diversion politik. Objektivi i qendrave diversive antishqiptare është që të krijojnë një çarje te faktori shqiptar në lidhjet e tij strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kemi pra një sërë faktorësh esencialë, që e bëjnë Shqipërinë dhe shqiptarët t’i ndjekin me shumë vëmendje dhe me shumë dashuri zgjedhjet në Amerikë.
Shqiptarët kanë interes jetik të bashkëpunojnë me Amerikën, pavarësisht se cili president apo cila parti do të fitojë atje. Shqipëria dhe Kosova, faktori shqiptar në Ballkan, kanë një rrugë strategjike dhe historike për të përshkuar sëbashku me Amerikën. Në shkrimin tim me titull “Një shans historik për kombin shqiptar”, të botuar në datën 17 mars 1991 me rastin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe SHBA në 15 mars 1991, kam shkruar: “Duke rishikuar prioritetet strategjike dhe duke kapur shansin historik, që ofron rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara, nuk mund të mos shkosh, pas një analize të kujdesshme e gjakftohtë të të tërë faktorëve dhe alternativave, tek ngritja e këtyre marrëdhënieve në një prioritet strategjik të politikës së jashtme të shtetit tonë. Këtu të çon përvoja e hidhur historike, këtu të çon përllogaritja e gjithë hapësirës së problemeve të mëdha të sotme dhe e të panjohurave të ardhme në të cilat noton vendi ynë”.(“Hije në diplomacinë shqiptare”, 2012, fq.12)./gazeta dita/