Albspirit

Media/News/Publishing

Iris Halili: Modeli i femrës në lidershipin politik shqiptar

Duket sikur dy janë modelet kryesore të femrës në lidershipin politik bashkëkohor shqiptar. I pari është ai që imiton tërësisht liderin mashkull që e ka thirrur këtë femër si pjesë të grupit politik dhe ajo mund të quhet modeli “Kopja”. Modeli i dytë mund të quhet “Hija”, pasi është vetëm një hije e liderit mashkull që i ka bërë ftesën në politikë.

Grupi i parë “Kopja” është më i rrallë, por më i zhurmshëm dhe i pranishëm në publik. Këto femra sapo mendojnë të hyjnë në rradhët e lidershipit politik gjejnë si formë të vetme suksesi imitimin deri në detaj të liderit mashkull që përfaqësojnë. Këto “kopje” i kemi njohur dhe po i shohim çdo ditë se si transformohen duke u kthyer në të vrazhda dhe me një forcë që më shumë se natyrale është e imponuar nga imitimi i natyrës mashkullore. Ky lloj lidershipi i femrës bën karrierë të shpejtë në politikën shqiptare. Trash zërin, ngre zërin, forcon pozitat dhe ja më në fund është atje ku do, në majë të piramidës. Në një shoqëri maskiliste sikundër ajo shqiptare, roli i protagonistit i takon mashkullit. Femrës i takon vetëm roli i dytë. Ndaj e qetë në dukje, por plot ankthe në vetvete, ajo vazhdon rrugën e imitimit të mashkullit dhe qëndrimit në politikë deri sa kryetari të vendosë për vazhdimësinë apo jo të karrierës së saj.

Modeli i dytë është “Hija”. Ajo është më pak e dukshme në publik. Ky është modeli i politikanes femër që rri në heshtje dhe trashëgon kështu arketipin e të qenurit gjithmonë në hijen e burrit të shtëpisë, kupto liderit mashkull, ku respektimi i vullnetit të burrit është pjesë thelbësore e mbijetesës.Ky lloj modeli nuk ka aftësinë që të bëhet burrneshë, por gëzon aftësinë e vetëpërmbajtjes, mosdukjes, mungesës së protagonizmit aq sa dikush mund të pyesë: “Janë apo nuk janë në parti, janë apo jo në Parlament, janë apo jo në Qeveri?”. “Hija” nuk ka forcën e imitimit, por njëlloj sikur “kopja” e ka të fortë forcën e ambicjes.

Fatkeqësisht si “kopjet” edhe “hijet” janë dy modelet mbizotëruese që ofron sot në politikë lidershipi i femrës shqiptare, (me disa përjashtime sporadike) dhe të dyja modelet janë prodhim i drejpërdrejt i “fabrikës’ së politikës maskiliste të tranzicionit.

Për aq kohë sa femra në politikën shqiptare ende nuk e ka gjetur rrugën e të qenurit vetvetja pa qenë nevoja të jetë hije apo kopje, të proklamosh se duhen kaq apo aq femra në drejtim do të thotë të shtosh numrin e këtyre tipave që sapo u përmendën. Në një shoqëri ku femra që të mund të pranohet në politikë duhet të imitojë deri në verbëri burrat me pushtet, të përunjet dhe bëhet hije deri në nënshtrim, sërish për hir të këtij pushteti, kjo do të thotë se ajo që ka humbur më shumë është serish modeli i femrës shqiptare në lidership. Fatkeqësia më e madhe është se këto modele po edukojnë një shoqëri të tërë femrash që ambicjen për lidership politik po e shohin tek imitimi i këtyre modeleve ku imitimi pa autenticitet dhe nënshtrimi pa kushte janë modusi i vetëm drejt karrierës politike.

Në shekullin e 21, femra në politikën shqiptare duhet të zhvishet nga modelet e kopjes apo hijes dhe të marrë vërtet rolin që i takon sipas modelit autentik, transformues dhe shpirtëror që na ka lënë trashëgimi liderja femër më e madhe e të gjitha kohëve, e njohura botërisht dhe krenarisht bashkëkombësja jonë, e Shenjta Nënë Tereza. Ndërkohë një model i shkëqyer i femrës në politkë është ai i Musine Kokalarit, e para femër shqiptare shkrimtare dhe politikane, elitare, dinjiotze në mbrojtje të ideve të saj antikomuniste dhe demokratike. Ky qëndrim e bëri të provoi jetën e ferrit komunist, por ajo nuk u dorëzua dhe kështu fitoi përjetësinë dhe respektin që do gëzojë ndër breza. Gjithashtu ndër modelet e arrira të femrave në politkën shqiptare mund të kujtojmë përshembull Dr. Rushen Golemin, përfaqësuese në parlamentin e parë demokratik (1991-1997). Ndonëse jo me përvojë politike dhe pa pasjen e informimit që ka sot femra shqiptare, ajo u prezantua si një zonjë vërtetë pa qenë nevoja as të çirrej, as të imitonte dhe as të bënte paradë. Me fjalën e saj të mençur dhe që zinte vend sa herë merrte në dorë mikrofonin ajo ka mbetur si një ikonë e femrës në lidershipin politik shqiptar. Arritja që ajo kishte në karrierën profesionale si kirurgia e parë shqiptare si dhe empatia e veçantë që e karakterizonte e ndihmuan edhe më shumë të ishte e nderuar në politikë. Duket se në rastin e Dr. Golemit ishte politika që përfitoi nga emri i saj, sikur përfitoi edhe nga emri i Marieta Zaçes apo Arta Dades. Këto deputete mbeten vetvetja deri në fund. U prezantuan me emrin dhe profilin e tyre dhe dhuruan modele autentike.  Ndërkohe mospranimi që ndjekësit po i bëjnë sot Jozefina Topallit është një këmbanë e qartë për të gjitha femrat e politikës shqiptare apo ato që aspirojnë të hyjnë në të. Si një prezantuese e modelit të “Kopjes”, Jozefina ishte dhe mbeti pa autenticitet, (Vendin e saj sot e ka zënë Spiropali). Si e tillë ajo kurrë nuk arriti t’i bëjë ndjekësit ta duan apo vlerësojnë përtej pushtetit apo pozitës që ajo pati apo ju dhurua. Fati i modeleve ‘kopje” apo “hije” është se ato e humbasin vëmendjen e ndjekësve sapo dalin nga logoja e partisë.

Këto modele duhen të kuptojnë (gjithmonë nëse mundin të kuptojnë) se është shumë më mirë një zë i vërtetë, sesa kopja apo hija e zërit të tjetrit; më mirë një ‘like’ e sinqertë, sesa mijëra ‘like’ sot dhe miliona sharje nesër. Si “Kopje” apo “Hije” do të duhet të mbash peshën e tjetrit dhe ajo është e rëndë dhe shpesh nuk je drejtpërdrejt përgjegjëse. Kur je vetvetja, kur ofron modelin personal edhe në mos qofsh e përsosur të paktën je autentike dhe mbi të gjitha mban veç barrën apo hijen tënde!

Please follow and like us: