Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Xhaferi: Baladë e re për Shemo Hajdunë

 

(Gjithsesi respekt për komitin gjirokastrit Shemo Brahimi, i cili grabiste karvanet turq për të ndihmuar të varfërit, ndërsa politikanët tanë gjatë 30 viteve, grabitin të varfërit për t’u pasuruar vetë)

 

O Gjirokastra me vulë,

ç’e bëre Shemo hajdunë?

Shemua e ndryshoje zananë,

se u bë politikan.

 

Si politikan i thekur,

bashkë me grupin çakejve,

vjedh nga pasuri e vendit,

vjedh nga djersë e fukarejve.

 

Vjedh nga popullii varfër,

Shemua me 100 fytyra,

me lekët që ka grabitur,

e blen SPAK-un me gjithë zyra.

 

Vjedh, or vjedh, e frikë nuk ka,

tashmë është bërë hajdut i vjetër,

vjedh nga gjaku i minatorëve,

në Bulqizë e kudo tjetër.

 

Vjedh kudo e çfarë të dojë,

nga Morina tek Qafëthana,

vjedh tatimet e s’ka frikë,

vjedh gjithçka nëpër dogana.

 

Shemua e gjeti parajsën,

për Shemon nuk ka më ferr,

nga një dhjakonar i varfër,

sot është kryemilardier.

 

Shemoja jeton në vila,

(ndriçon Lalzi ditë e natë),

ndërsa dhjetëra shqiptarëve,

u mungon dhe buka thatë.

 

Shemoja jeton në luks,

si në Jug dhe në Veri,

ndërsa dhjetra shqiptarë,

s’kanë as punë, e as shtëpi.

 

O Gjirokastra me vulë,

ç’e bëre Shemo Hajdunë?

Shemua i bën lekut zbor,

si gjyqtar e prokuror.

 

Shemos në demokraci,

i shkoi fati m’u në derë,

nga qelitë ku ishin mbyllur,

nuk la kriminelë pa nxjerrë.

 

Nuk la vrasës pa liruar,

Shemo hajduti me fletë,

ca nga ata që kanë vrarë,

na u bënë dhe deputetë.

 

O Gjirokastra me vulë,

ç’e bëre Shemo Hajdunë?

s’mbahet Shemua me kapistër,

ka ca vjet është bërë ministër.

 

Në krye të ministrisë,

u hap si mizat në lis,

gjithë punët i bitisi

vidh ai e vidh gjithë fisi.

 

O Gjirokastra me vulë,

Shemo trimin ku e ke?

pasi u ngop me dollarë,

formoi parti të re.

 

Tani do nisi fushatën,

në çdo cep të Shqipërisë,

për zanatin e hajdutit,

duhet mburojë e partisë.

 

Gjithmonë Shemo kokëdybeku,

është atje ku merret leku,

për inat të gjithë miletit,

punon dhe në Bankë të Shtetit.

 

Shemo trimin, këtë horr,

e bënë dhe ambasador

dhe aty fati i qeshi,

ropi emigrantë sa deshi.

 

O Gjirokastra me vulë,

ç’e bëre Shemo Hajdunë?

Shemua me ca të tjerë,

e lanë popullin të mjerë.

 

Shemua dhe gjithë lukunia,

mendojnë vetëm për vete,

o popull të morën shpirtin,

ngreu popull, se boll fjete!

 

Shemoja në këto vargje simbolizon kryeministra, ish- kryeministra, ministra dhe ish-ministra të tipit Ridvan Bode, Arben Ahmetaj, Genc Ruli, Anastas Angjeli, Ilir Beqaj etj, deputetë, ish-deputetë, drejtorë bankash e ish- drejtorë bankash etj.

Please follow and like us: