Odise Kote: VIZATO VJESHTËN…
Trembem ndonjëherë përse meket e sikur humb,
ritmi i zemrës, të rrahurit e përjetshëm.
Pastaj gufohet,
rritet, kërkon njësh të mbledhë,
në vallzim zotërues, muzikë dhe stërka krojesh…
Ky çast, gjithë ç’mendon, është një nga ato herët,
kur përshkëndijëzat e dritës
përçiken me drerët
e ngjan si një lojë që të gëzon,
si strofa e parë në baladë,
kur fishkëllima e rrëkezës të bërtet në grykë,
kur mbushen kangjelet me varg të kristaltë.
Dhe melodia bie si guralec në kërkim – hutimet,
mjegullës së bardhë a në muzg,
zgjon befas vrojtimet,
tingëllima qelqi a valse vese.
Kalon befas një e bukur, me gërsheta,
sytë e kaftë, të pustë,
dhe gjithësia është vetëm një prekje… vetëm prekje…
Pas kësaj gjethet humbin, fshihen.
A besohet vallë kjo histori?
Si u tretkan tonet, ngjyrat, vegimet,
mijëra pikëlimet
që e djegin vegjën?
Lind zjarr i madh nga e vockëla shkëndijë,
ky qenka momenti, diç ka humbur,
gje laps e letër dhe vizato vjeshtën…