Rifat Ismaili: AFËRDITA, VAJZA E QYTETIT TIM
Tregim
Në afërsi të portës së varrezave, Arditi dhe Sajmiri përshëndetën rojën, me atë pyetjen rutinë:
– Hë, shoku mirë?
– Po ja- u tha ai- me ‘këta’…
Kur u gjendën në mes të varreve të panumërt, Saimiri i tha Arditit t’i shihnin prapë vizatimet, të cilat i vendosi mbi një pllakë varri. Nën heshtjen e mbrëmjes me një puhi të ëmbël, valëzonin lehtë fletët dhe trëndafilat e mbjellē përqark varreve. Errësira ende s’kishte rënë, por një ngjyrë vjollcë shpërndahej nëpër qiell, duke e bërë më të trishtuar.
Arditi i vështroi vizatimet dhe nguli këmbë për vajzën që gjendej në breg të detit e harruar si një guackë. Kjo ishte më e duhura per kopertinën e librit të parë dhe shoku i tij piktor e kishte qëndisur bukur…
Filloi të ndihej i shqetësuar dhe Saimiri e vuri re ndryshimin e tij. Mbetën disa çaste pa folur.
Arditi nisi të ecë drejt rreshtit të varreve dhe pemëve. Ushtria e të vdekurve, dukej si me ushtarët në luftë, që kishin ngritur çadrat për të pushuar. Ai kërkoi me sy një varr që s’ po e gjente dot.
-Çfarë po kërkon? – e pyeti Saimiri i habitur.
– Ti e mban mend Afërditën?
Saimiri shqeu sytë,dhe po e vështronte Arditin gjithë dyshim, për të nuhatur lidhjen e tij me të vdekurën, që kishte qenë një prej vajzave më të bukura të qytetit.
– O zot- shfryu ai, tani që e përfytyroj!… Nuk e besoj se ti ke pasur të bësh me të… E kuptoj tani pse e doje atë vizatim për librin tënd. Ja po ta them, sa ishte e gjallë, më luante mendsh!
-Nuk kam patur të bëj- e ndërpreu Arditi shokun, se i erdhi keq nga mënyra si po fliste ai për Afërditën… Vetëm se më pëlqente. Si gjithë të tjerëve. Dhe hodhi prapë sytë nga vizatimi që mbante nëpër duar.
– Fiks, ngjajnë! Mos kam patur në mendje Afërditën kur kam bërë vizatimin?
Fytyra e tij ndryshoi krejtësisht, u bë më e turbullt, pastaj prapë u ringjall dhe ndofta dhjetëra përfytyrime bridhnin brenda tij, si një lumë që rrotullohej rreth vetes, pa mundur të çlirohet. Së fundmi, Arditi po ndjente një lloj keqardhje për Aferditën dhe bezdie qe shoku i tij po përdhoste ndjenjat e tij të pastra që kishte pasur dikur për atë vajzë.
– Kohëve të fundit, nuk kishte asnjë vajzë tjetër që t’ia kalonte- vazhdoi në të tijën Sajmiri. Kur shkoi në Universitet në Tiranë, vinte në shtëpi veç për disa orë, për t’u marrë lekë prindërve dhe kthehej prapē në Tiranë. E kishte mendjen për qejf. Gjithmonë ka qenë e bukur, por tani së fundi, ishte e papërmbajtshme. Vdiq prej dashnorit, në aksident me makinë.
– Kur e njihja unë- iu përgjigj Arditi, ishte ndryshe- dhe perfytyroi lidhjet e tij të turbullta me Afërditën.
– I pëlqente të shëtiste dhe të lexonte e shkruante poezi. Njësoj si unē. I pëlqente jeta. Për këtë më pëlqente dhe mua.
– Ishe i pastërvitur- qeshi ai. Ti je larguar shpejt nga qyteti. Po të rrije këtu me ne, edhe ti do ta shihje me syrin tonē.
-” Si shkoi kot, gjithë ajo”- ofshau…
Po për Arditin ajo kishte mbetur vajza me sy të turbullt që pati njohur në shkollë, kujtoi tek e priste poshtë pallatit të saj, ato pak fjalë të ëmbla që kishin shkëmbyer me njeri-tjetrin.
-Hata fare! – tha Saimiri. Shumë poezi të librit i ke shkruar per të. Por unë budalli s’e paskam kuptuar. Të jap të drejtë, që e dëshiron këtë vizatim për kopertinë libri. Do ketē sukses!
Kishin arritur prapë tek porta dhe ndërsa po dilnin jashtë, rojtari i përshëndeti. Teksa largoheshin ai u thirri:
– Nuk e kuptoj përse i rrethojnë varrezat me mur… Të vdekurit s’ dalin dot, të gjallët s’ duan të hyjnë brenda…
Tashmë errësira kishte rënë dhe ata vazhduan rrugën për të dalë në qendër të qytetit. Pastaj kur po ndaheshin, Sajmiri e pyeti Arditin!
– Më tërhoqi shumë një vjershë e librit, për atë vajzën që kishe takuar pranë shtëpisë së saj, duke i dhuruar vargje që kishe shkruar për të gjatë gjithë natës, por në atë çast vajzën e thërriti mamaja dhe ajo prej frikës i fshehu fletët nën të mbathura. Kjo ishte hera e fundit që ti e shihje atë vajzën. Ha ha ha, qeshi me të madhe dhe gulçoi- .Të kuptoj që të ka mbetur merak…
Arditi nuk foli, por vazhdoi më tej, pa ditur ç’të mendonte më parë. Heshtja e natës rëndoi mbi hapat e tij të ngadaltë. Hëna mbi siluetën e tij të thyer, u kërrus.
Please follow and like us: