Albspirit

Media/News/Publishing

SHPARTALLIMI I GJERMANËVE NË SPILLE TË HIMARËS NGA PARTIZANËT E MEHMET SHEHUT

Rexhep Shahu

– Dëshmi të komandantit gjerman Hermann Frank në librin e tij Lufta e çetave në Shqipëri.
Tre gjermanë të plagosur mundën të fshihen e të shpëtojnë
Bandat e Mehmet Shehut marrin peng edhe oficerin kryesor gjerman Mënq, i plagosur rëndë fati i të cilit nuk u mësua kurrë.

Një cifël granate përvëluese e me cepa të mprehtë ia këput si një brisk rroje krahun e djathtë togerit Mënq prej supit. Një çurgë e fortë gjaku shpërthen nga plaga dhe godet mu në fytyrë komandantin e skuadrës së shtabit, i cili për t’u mbrojtur është shtrirë në tokë pranë Mënqit. Dhe pa nxjerrë zë plandosen pranë të dyve, të goditur për vdekje, të dy korrierët e nuk lëvizin më.
Pas çdo shpërthimi të ri granate të plagosurit këlthasin me zëra therës, para se të vdesin duke dihatur.
Tymi i dendur i barutit zhvendoset i plogësht rrafsh me tokën dhe qëndron gjatë në llagëme, saqë çunave u dalin lotë nga sytë dhe fillojnë simptomat e mbytjes. Disa prej tyre rrokin me duart që u dridhen kundragazët, por në kutitë prej llamarine ka vetëm artikuj tualeti dhe produkte duhani në vend të maskave që të mbrojnë nga tymi i gjelbërt helmues.
Sa papritur filloi, po aq papritur edhe pushon bombardimi nga anijet luftarake armike. Heshtje rreth e qark, të mbijetuarit e ndiejnë pothuajse si dhimbje fizike qetësinë që rëndon mbi gjirin e vdekjes.
Dalëngadalë davaritet edhe tymi që qelbej erë të keqe. Ushtarët marrin frymë të çliruar.
Por ndërsa ndihmojnë njëri-tjetrin në fashimin e plagëve, plumbat e këmbësorisë fishkëllejnë përposhtë që nga lartësitë në krahun e majtë dhe plasin duke llapashitur. Të goditurit pothuajse nuk ndiejnë asgjë, ata e vënë re se “kanë marrë një” veçse kur rrjedh gjaku. Por kur plumbat godasin kockën, dhimbja është menjëherë shpuese dhe djegëse.
Shumë plumba bëjnë rikoshetë dhe zukasin pa i llogaritur dot si grerëza helmuese në ajrin e ngrohtë. Nëse godasin një trup njeriu, shkaktohen plagë të hapura që shërohen me vështirësi. Ndërsa topat e anijeve kishin hapur zjarr, anglezët kishin zbarkuar në gjirin anësor, të mbuluar prej zjarrit të tyre, kishin kapur lartësitë dhe po hapin një zjarr vrastar mbi gjermanët.
Disa skuadra anglezësh po përpiqen tani t’i pushtojnë nga krahu pozicionet gjermane.
Në shpinë të gjermanëve fishkëllejnë papritur plumbat. Nga lartësitë prapa tyre bien pushkë. Banditët po lëshohen tatëpjetë që nga malet duke hapur pandërprerë zjarr dhe po marrin pjesë me sukses të mirë në asgjësimin e trupave të dobëta gjermane. Terreni më tepër i ngritur u ofron sulmuesve fushë qitjeje shumë më të mirë.
Me dëshpërim mbrohen pushkatarët ndaj armiqve shumë superiorë. Ata e dinë se për ta nuk ka shpëtim, nëse nuk vjen ndihmë nga jashtë. Por do të duhej të ndodhte një mrekulli, sepse njësitë e tjera gjermane janë shumë larg, gjenden më të shumtën e rasteve edhe në veprime të ashpra luftarake e do t’u nevojiteshin orë të tëra për të mbërritur përmes zonës së përthyer dhe të molepsur nga bandat.
Kështu pushkatarët e shesin aq shtrenjtë sa munden jetën e tyre të re. Me ngulm dhe mllef – të shumtëve prej tyre u rrjedh gjak nga disa plagë – i mbrojnë pozicionet e i mbajnë sulmuesit aq gjatë larg prej vetes, sa kjo mund të realizohet. Lufta e pashpresë zgjat me orë të tëra e i kushton jetën edhe ndonjë anglezi. Por më në fund armiqtë vijnë sidoqoftë kaq afër, saqë dueli me granata dore përgatit fundin e si përfundim lopatat xheniere gjermane kërcasin mbi helmetat e sheshta prej çeliku të anglezëve. Në këtë mënyrë mbaron më në fund përleshja e përgjakshme.
Plot shtatë orë i mbajti pozicionet e veta kompania e tretë, numerikisht e dobët, nën komandën e togerit Mënq të plagosur rëndë.
“Ejani me ne në Bari dhe prisni atje fundin e luftës. Për ju lufta mbaroi!” u thonë anglezët të plagosurve rëndë e i marrin me vete për t’i çuar në anijet e tyre. Edhe të vrarët e tyre anglezët i marrin me vete.
Togerin Mënq të dobësuar nga humbja e madhe e gjakut banditët e marrin me vete në male; asnjëherë s’u dëgjua më ndonjë zë prej tij.
Vetëm tre të plagosur që mund të ecnin ia dolën mbanë të hiqen zvarrë për tek bregu i thepisur më në veri e të fshihen atje në plasat shkëmbore. Prej andej mundën të shikonin sesi anijet angleze bëjnë një xhiro parade përmes gjirit të Spilesë dhe pastaj avullojnë me shokët gjermanë në bord drejt perëndimit në det të hapur.
Kurse tre çunave në plasën shkëmbore ua bllokon rrugën drejt lirisë uji, bregu i thepisur dhe banditët prapa bregut të thepisur. Ata qëndrojnë të ngjeshur pas shkëmbinjve me këmbët në goditjen e lehtë të valëve të detit dhe presin shpëtimin.

Please follow and like us: