Frankfurter Allgemeine Zeitung: Përse serbët nuk e duan Joe Bidenin?
Frannfurt, 1 nëntor 2020 – Gazeta prestigjioze gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) në një shkrim të gjatë mbi zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, shkruan për pritjet e vendeve ballkanike nga këto zgjedhje.
Autori i shkrimit “Joe Biden dhe gjenocidi”, Michael Martens, shkruan se serbët e dëshirojnë fitoren e Donald Trumpit, ndërsa Bidenin e konsiderojnë armik të Serbisë.
FAZ shkruan se ky percepcion i serbëve për Bidenin është krIjuar qysh në vitin 1993, kur ai kishte rekomanduar ndërhyrjen ushtarake të Perëndimit kundër agresionit serb në Bosnjë.
Biden, asokohe anëtar i Komitetit për Politikë të Jashtme të Senatit Amerikan, e kishte bërë këtë rekomandim pas një vizite që kishte bërë në Bosnjë, në Serbi dhe në disa vende të Evropës.
“Informacionet nga ai udhëtim Biden i kishte përmbledhur në një raport prej 100 faqesh, me titull ‘Kundërvënie agresionit – Milosheviqi, republika boshnjake dhe ndërgjegja e Perëndimit’, ku kishte treguar opsionet që kishte Perëndimi në luftën e parë në Evropë pas vitit 1945″, shkruan FAZ.
Autori e cilën jashëzakonisht largpamëse raportin dhe rekomandimet e Bidenit.
“Sikur qeveritë e vendeve të NATO-s t’i dëgjonin atëherë rekomandimet e Bidenit, mund të shmangeshin masakrat e tmerrshme dhe dhjetra mijëra vrasje në Ballkan”, thekson ai.
“Largpamësia e analizës së Bidenit shihet më së miri në një fjali dytësore, e cila nga perspektiva e sotme duket pothuajse profetike: Bideni paralajmëronte se, në qoftë se Perëndimi nuk do të vepronte, Srebrenica, qyteti i vogël në Bosnjën lindore, për të cilin asokohe nuk kishte dëgjuar pothuajse askush, do të bëhej ‘Gernika e ditëve tona’“, shkruan Martnes.
“Analiza e Bidenit ishte shumë e qartë dhe e saktë: ‘Në Ballkan ushtria serbe e armatosur mirë lufton kundër kroatëve dhe muslimanëve boshnjakë të armatosur dobët, të cilëve Perëndimi ua vështirëson më shumë mbrojtjen me embargo perverse për armë. Kjo duhet të ndryshojë’“, shkruan më tutje ai.
Martens kujton se Biden kishte rekomanduar ndërhyrjen ushtarake ndaj agresionit të Serbisë.
“Kush e dëshiron paqen në Ballkan, duhet të përgatitet për luftë“, kishte thënë Biden.
“Shtetet e Bashkuara duhet t’i prijnë Perëndimit në reagimin e vendosur ndaj agresionit serb, duke filluar nga sulmet ajrore ndaj artilerisë serbe anembabë Bosnjës dhe ndaj njësive të Armatës Popullore të Jugosllavisë në Serbi, të cilat janë përfshirë në këtë krim ndërkombëtar. Fuqitë perëndimore do të duhej të shkatërronin çdo urë mbi Drinë nëpërmjet së cilës autoritetet e Serbisë vazhdojnë të furnizojnë serbët e Bosnjës“, citon Martens, raportin e Bidenit të vitit 1993.
Martens shkruan se, në raportin e tij, Bideni kishte paralajmëruar për rrezikun e pastrimit etnik në Kosovë.
“Në qoftë se nuk parandalohen, Milosheviqi dhe varësit e tij serbë në Prishtinë do të fillojnë pastrimin etnik të Kosovës duke i dëbuar shqiptarët në Maqdoni dhe në Shqipëri“, citon Martens raportin e Bidenit.
Martens shkruan se qysh atëherë nacionalistët serbë e konsiderojnë Bidenin “armik të dëshmuar të Serbisë”. Ai e quant ë kuptueshme që Bideni të konsiderohet si armik edhe nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Është e kuptueshme që një politikan me të kaluar si ajo e Vuçiqit, i cili, ndër të tjera, gjatë luftës në Kosovë, më 1999, ka qenë ministër për propagandë në regjimin e Millosheviqit, nuk do të dëshironte që Biden të bëhet president i Amerikës”, thekson Martens në shkrimin e tij në gazetën gjermane FAZ./ylliria press/