Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: KUJTOJ NDUE PALIN!

JANAR 1945: 118 burra të Malësisë pushkatohen e hidhen në lumej…

2 NANDOR 1945: Dhunohen gropat e të vramëve në Zallin e Kirit…

Ky djalë hyni ndër të parat gropa në Zallin e Kirit… Më 15 Gusht 1945…

Kushedi sa herë kam pyet veten: “A ka guralecë të pa lamë me gjak Zalli i Kirit, pranë Vorreve të Rrëmajit në Shkoder?!”… – Nuk besoj!! Lindëm e u plakëm me krismat e automatikëve e rrëkajet e gjakut që derdheshin në lumin Kir… E ndër kaçuba ferrash, qira të ndezun prej Nanave tona, që tash 75 vjetë lotët e lutjet e tyne vazhdojnë pa ua dijtë as eshtnat… 

Ikën një brez i tanë tue vue shenja e tue daltue shkronja tek Penda e Kirit po, të gjithë me zemër të plasun pa mujtë me ua la eshtnat nga balta dhe plehu i derdhun mbi gropat e tyne, per një gjysë shekulli tirani enveriste e ramiziste që e sundoi Popullin Shqiptar, me terror e vrasje barbare! 

Kur në degët e Çinarve shekullor fillonin me ardhë  dallndyshat, asnjena prej tyne nuk mujte me përfundue vjershën e Filip Shirokës, “Dallnyshë shko!”… E tymi i armëve të pabesa komuniste vazhdonte me nxi Kryqat e Vorreve të Rrëmajit, që tash 75 vjet nuk janë tha një çast nga lotët e mija nanave e motrave shkodrane, që vazhdojnë me puthë guralecat përtokë. 

Sa ruba e zezë e degermia e bardhë asht qendisë me ferrat e atij Zalli… 

Veç kur çoheshim prej gjumit e kërkojshim “driten” me shue frikën që na kishte pushtue zemrën në pikën e shpërthimit armëve vrastare me një të pafund gëërrrrrr… Që, shpesh, e shifshim ndër andrrat tona fëminore!  

Nuk fshihej nga kujtesa jonë asnjëherë ardhja e kamionit me ushtarë, tek Vorret e Ndue Palit e Caf Metit me vllazën, të vramë më 15 Gusht 1945… 

Thymja e Kryqave e Shenjave mbi vorre, shtjelmat mbi fotografia dhe mbi nanat e tyne e, njerëzit për rreth, nuk mund të fshihen nga kujtesa! 

Ajo pamje e mnershme e 2 Nandorit 1945 asht “komunizmi” i vërtetë!

E komunizmi i vërtetë asht vetëm ai që po provon prap Populli Shqiptar!

Melbourne, 1 Nandor 2020. 

Please follow and like us: