Albspirit

Media/News/Publishing

Haris Vongli: Kam besuar gjithmonë se dashuria i bën njerëzit më të mirë…

 

Sprovë

Lumturia në dukje e trishtimit njerëzor është një sfide e madhe e cila në fakt na bën edhe më të palumtur, me veten dhe të tjerët, duke krijuar një vorbull shoqërie jo vetëm diskriminuese, por edhe të paaftë për të vënë drejtësi.

Filmi “Joker” nxjerr në pah shumë nga të pathënat e ralitetit ku ne jetojmë, duke nxjerrë për rrjedhojë shumë nga të pathënat e brendësisë sonë. Brishtësia, por edhe forca që karakterizon secilin individ kushtëzohet nga një sistem i kalbur vlerash, normash, racionaliteti dhe ndjesish.

Ne qeshim kur na qahet. Dëgjojmë të tjerët para se të dëgjojmë veten. Kujdesemi për tjetrin duke harruar të kujdesemi për veten dhe duartrokasim një sistem shoqëror i cili meriton të dënohet për dëmin që shkakton përditë duke mbivendosur padrejtësitë dhe gënjeshtrat në një rrjetë kurthesh gati-gati të padeportueshme, njerëzore e shoqërore. Ne besojmë tek tjetri, shpesh verbërisht, duke u nisur nga vetja, besojmë se duke e veshur atë me vlera të paqëna e duke e zhveshur nga çdo ves do të gjejmë xhevairin e munguar, lumturinë. Në kërkim të lumturisë zbulojmë tek tjetri, por edhe tek vetja, tipare që na bëjnë vulnerabël përballë një bote tejet të madhe e problematike; një bote tejet të egër që të gllabëron pa e kuptuar e që të hedh drejt udhëkryqeve pa krye. Jemi për nga rëndësia, në një prizëm të gjerë, të vegjël ndërsa të mëdhenj e me influencë, më shumë se sa fjalët, na bëjnë veprat që lëmë pas, modeli që duam të promovojmë, ndjeshmëria që duhet të përçojmë, respekti dhe dashuria për tjetrin, sidomos për atë që të jep respekt e dashuri në të njëjtin nivel e cilësi.

“Joker” është një film kundër promovimit të antivlerave dhe personave që, nëpërmjet sistemeve politike e shoqërore të krijuara, sëbashku me steriotipet, po e monoorientojnë shoqërinë drejt katastrofave ekzistencialiste. Sot fiton i forti dhe humb i dobti, fitojnë paratë dhe humbin meritat, fiton kodi i zyrtarit dhe humb qytetari, fiton luksi dhe shkelet varfëria, të dyja këto gjithnjë e në rritje; mbivlerësohet individi me fuqi dhe nuk trajtohet a kurohet i pamunduri, nevojtari. Sot ndërgjegjia udhëhiqet nga imoraliteti dhe morali trajtohet veç në trajta kulturore apo fetare, në forma krejt sipërfaqësore dhe shpesh rastësore. Nuk i jepet rëndësi të mirës së përbashkët e cila në fund të fundit do të bënte të lumtur shumicën e jo pakicën. Sot sulmojmë pasojat e shkaqeve që ngjizim vetë duke mos dashur, dhe jo ditur, të bëjmë një analizë sintezë të realiteteve që jetojmë. Analiza është e fundit gjë që marrim përsipër të bëjmë duke mbytur me egoizëm edhe mundësitë që mund të na jepen për të qenë më të lumtur.

Kam besuar gjithmonë se dashuria i bën njerëzit më të mirë dhe “Joker” ma faktoi përsëri këtë gjë. Kam besuar se imagjinata e njeriut nuk duhet të ketë kufi, por kufi duhet të vihet, në mënyrë të shëndetshme, mbi fushën e veprimit nëpërmjet së cilës na lihet gjithsecilit hapësirë për të performuar talentet, dhuntitë e detyrat tona. Secili nga ne jeton në një “Gotham” city, ku hapësirat më të errta dhe të rrënuara janë të programuara për më të pamundurit, më të lënduarit, ndërsa “lluksi” programohet zakonisht për ata që kontrollojnë jetët tona, me dhe pavetëdije. Dhuna nuk sjell drejtësi, kurresesi, por shumë prej mesazheve ekstreme të filmit nxjerrin në pah pikërisht nevojën e domosdoshme për të jetuar në një botë më të drejtë ku e qara e tjetrit të mos duhet të shtiret si e qeshur, ku dhimbja mos shitet si paqe dhe trishtimi mos fshihet pas lumturisë false që copton thuajse çdo shpresë tonën.

Ne kemi në dorë të mos luajmë me tjetrin por të jemi të përgjegjshëm me këdo që marrim përsipër të ndajmë jetën tonë, në çdo formë të mundshme. Nëse ne arrijmë të shohim tek tjetri veten tonë do dijmë të zhvillojmë marrëdhëniet njerëzore në funksion të mirëqenies së njeri tjetrit duke besuar fort se dëshira për të bërë mirë është pikërisht ajo përgjegjësi kolektive që na mungon dukshëm. Ne duhet të jemi mbi të gjitha mirënjohës e mos marrim për të mirëqenë dashurinë, ndonjëherë edhe pakushte. Naiviteti në ditët tona duhet parë si vlerë dhe jo anasjelltas, sikundër sinqeriteti, çiltërsia e përkushtimi. Të gjithë meritojmë të marrim diçka në kthim për sa kohë japim. Ne duhet të kthejmë inatin në mirësjellje, të pranojmë gabimet dhe se jemi jo vetëm qënie të vdekshme, por edhe të barabartë para Zotit. A duam ne barazi? Po. Por çështja është se përpjekjet tona për një jetë më të mirë duhet të mos fokusohen drejt perfektes. por drejt absolutes. Kështu mund të jemi më të mirë me veten dhe për rrjedhojë më të mirë me tjetrin, duke respektuar hapësirën e gjithsecilit mbi tokë.

Dashuria, mikro a makro, nuk mund të jete kompromis. Por për mirëqënien dhe lumturinë, moment pas momenti, po, duhet kompromisi e për këtë nevojitet shumë besim, por mbi të gjitha shumë, shumë e shumë dashuri. Të qenurit njerëzor, duhet të jetë thjesht një gjendje, ndjesi, dhe sjellje e vazhdueshme e të qenurit njeri. Njerëzorja nuk fitohet, por lind me ne.

Nëntor 2019.

https://www.facebook.com/haris.vongli/videos/10156287268082084/

Please follow and like us: