Xhovalin Delia: “Qen bir qeni”… fyerje poshtëruese tipike shqiptare
“Qen bir qeni”… fyerje poshtëruese tipike shqiptare, ku manifestohet barbaria, injoranca, përçmimi, racizmi, dobësia, hakmarrja, dëshprimi, papjekuria, pafytyrësia e PAPËRGJEGJËSIA.
E kisha harruar si shprehje e të them të drejtën nuk u gëzova aspak kur e dëgjova pas 30 vjetësh. Përkundrazi më rrënqethi dhe më indinjoi pa masë. Semantika e kësaj fyerje të rëndë më ktheu mbrapa në kohë. Për një moment m’u duk sikur ora kishte ngelur në shekullin e kaluar, tek lufta barbare e klasave.
Shqiptimi ishte po ai i shekullit të shkuar e shqiptuesi po ashtu.
Gjuha, artikulimi i saj pasqyron nivelin shpirtëror, kulturor e civil të një individi e shoqërie. Mallkimi dhe e shara në shqip mendoj se janë më të rëndat në botë. Nëse të huajt do dinin shqip, Lufta e Tretë do t’i kish nisur me kohë me vakt e fitimtarë do të ishim NE LUFTËTARËT TRIMA SHQIPTARË, me duar në xhepa, vetëm me sharje e mallkime pa nukleare e pa kokërr plumbi. A thua kaq të këqinj jemi? Mendoj se më shumë se të këqinj jemi primitivë, të pa gdhendur, çka na bën edhe tepër të rëndë. Edhe me shakatë nuk bëjmë shaka. Të thyejmë brijtë me të qeshur e të ngjeshur.
Shprehja “qen bir qeni”, edhe në gojën e një pijaneci inkoshent tingëllon e papërgjegjshme. Po kur kjo shprehje infelice del nga goja e Presidentit të Republikës, nga i cili shqiptarët presin, URTËSI, DREJTËSI, PAANËSI e PERGJEGJSHMËRI NË NIVELIN MË TË LARTË INSTITUCIONAL?
Përgjigjen e kësaj pyetje e do ta doja ta dëgjoja nga ai vetë. E kur mëson se kjo sharje i adresohet TË DYTIT, të shtetit shqiptar, KRYEMINISTRIT të vendit, bir i një babai të denjë, babait të dy fëmijëve e bashkëshort i një gruaje zonjë? Për këtë pyetje do të doja një përgjigje të SINQERTË, po nga Presidenti i Republikës, që është njëkohësisht edhe bir i një babai, baba e bashkëshort.
Pa pritur përgjigjen e presidentit, e pa hyrë në meritë të çështjes, përgjigja ime është kjo që vijon: JO, AS EDI RAMA E AS KRISTAQ RAMA E AS SHQIPTARËT NUK MERITOJNË NJË FYERJE TË TILLË. Përkundrazi, babë e bir meritojnë respektin e mbarë shoqërisë shqiptare e SHQIPTARËT MERITOJNË NJË PRESIDENT DINJITOZ.
Çështja imediate që shtroj është KOMUNIKIMI I PAPËRGJEGJSHËM i Presidentit të Republikës, i cili “në emër të republikës, demokracisë, lirisë e KUSHTETUTËS” me apo pa dashje po i bën një dëm të madh shtetformimit të Shqiperisë.
Sharja me libër shpie ka kohë që praktikohet dhe është akoma në modë. Sharjet e ata që shajnë shtohen, çuditërisht tabelë qitje është i njëjti, Edi Rama, “biri i etëve, qen bir qeni” që të shaj me libër shpie nuk e kam dëgjuar. Pse?
Ky fenomen i trishtueshëm ka shumë arsye por ajo më e rëndësishme është sepse profesionistët e “sharjeve me libër shpie” veç, paaftësisë për të konkuruar kundërshtarët me ide e inteligjecë, bëjnë atë që dinë, shpifje e sharje. Edhe pse janë thinjur e po plaken në politikë, nuk bëjnë politikë e nuk kanë etikë. Akoma nuk dinë të NDAJNË njeriun,( bir, baba, bashkëshort, gjysh), nga FUNKSIONI zyrtar, (portier, kryetar, prefekt, ministër, kryeministër, president).
Si është e mundur që Presidenti i Republikës, njëkohësisht prind e bashkëshort, arrin të shajë publikisht në atë farë feje një tjetër prind para fëmijëve të tij e në sy të gjithë Shqipërisë?
Nuk arri ta imagjinoj Presidentin e Republikës italiane Matarela të fyej kryeministrin Konte, “qen bir qeni”.
Ja të themi se presidentit tonë nuk i bëhet vonë për fëmijët e familjen e Edi Ramës, po para fëmijëve e bashkëshortes së tij e para shqiptarëve që kanë besuar ROLIN E KRYEFAMILJARIT a nuk i skuqet faqja? Nëse jo duhet të jetë i pafytyrë e jo njeri i mirë. Po familja e tij si reagon para një gjesti jo bujar të kryefamiljarit të shtëpisë e të gjithë Shqipërisë?
Po zonja e tij e nderuar që premton shqiptarëve se do t’i shpëtojë ata nga ky “qen bir qeni”, çfarë mendon për këtë xhevahir e shumë të tjerë si ky që dalin nga goja e bashkëshortit të saj? E nëse ajo familje e ajo bashkëshorte nuk INDINJOHET nga një sjellje e tillë e babait, e bashkëshortit, ajo familje nuk mund të jetë krejt e shëndetshme.
Kur nga goja e kryefamiljarit tonë president dalin fyerje e kërcënime prej cubi, çfarë duhet të presim nga fëmijët e të rinjtë që rriten para KAZANËVE mediatikë me politikanë-presidentë të tillë gojë pisët, zemër zezë e të sëmurë hajvanë? Përgjigja është ajo që këta të papërgjegjshëm shqiptojnë për ditë “KRIMINELË”.
Ai që përdor fyerjen si armë për kundërshtarin është shterp, i pasoj, i paburrë dhe i humbur moralisht e politikisht. “Kur dikush ju shan mos e shani, i sharë është ai që shan”, – na këshillonte nëna çdo ditë teksa na përcillte për në shkollë.
I nderuar President, ju keni sharë, ndaj që mos të mbetesh “i sharë”, më e vogla që duhet të bësh, për të rikuperuar DINJITETIN tënd, të familjes tënde e të Presidencës së Republikës së Shqipërisë, nënshtetas i së cilës jam edhe unë, do të këshilloja që t’ii kërkosh ndjesë PUBLIKISHT, së pari familjes tënde që i ke vënë në siklet para opinionit publik shqiptar, familjes së Edi Ramës që e ke lënduar me pa të drejtë dhe pa hesap dhe gjithë Shqipërisë për shembullin e ZI që u ke dhënë si prind e si i pari i vendit me sharjen primitive shqiptare “qen bir qeni”.
Po të isha më vendin tënd, pasi do kisha kërkuar falje, po publikisht, do të shkoja tek varri i Kristaq Ramës për t’i kërkuar ndjesë me një tufë me lule dhe po aty, do të betohesha, se nuk do hedh baltë mbi të vdekurit kushdo qofshin ata, komunistë, ballistë, fashistë apo demokratë dhe shprehjen e egër “qen bir qeni” nuk do ta shqiptoj më kurrë!
Të nderuar politikanë, nëse nuk shkëputeni dot nga atavizmat e shekullit të kaluar, përpiquni të poseidoni hakmarrjen e verbër e sforcohuni të respektoni të paktën KODIN NATYRAL, VDEKJEN. Nëse bisha e egër që keni në bark nuk ju lejon të arsyetoni me të gjallët, BËHUNI TË ARSYESHËM, RESPEKTONI TË VDEKURIT.
Të dashur bashkëatdhetarë shqiptarë, JO ÇDO INDIVID QË DEMOKRACIA JU VË NË KRY MERITON BESIMIN TUAJ. Ndaj, mos i besoni si profet. Jeni të lutur të mos i dëgjoni e të mos përdorni kurrë këtë shprehje mesjetare që Presidenti i Republikës na e riktheu në fjalorin e sharjeve “me libër shpie”. Jo thjesht per të qenë “të sjellshëm e të edukuar”, por sepse është sharje tepër e rëndë, shan babë e bir dhe mbi të gjitha fyen qenin, shokun tonë më të mirë e më besnik. Kushdo e sido të ketë qenë babai, biri nuk ka tjetër zgjedhje veç kësaj që vijon, AI KA QENË BABAI IM…