MBYLLJA OSE ÇELJA E LIBRIT TIM, ‘BISEDË E PËRFYTYRUAR ME HAVZI NELËN’
Rexhep SHAHU
Sado e sido që të mundohemi, me të gjitha mjetet e mënyrat e mundshme e të pamundshme, të ndershme e të pandershme, ne nuk e ndryshojmë dot të kaluarën, i dashur Havzi. As e zbukurojmë e as e shëmtojmë pasi ajo edhe në varr ku është do të jetë siç ka qenë, është e patjetërsueshme e pandryshueshme.
Nuk e ndreqim dot, nuk e bëjmë dot as më të mirë as më të keqe se sa ka qenë.
Ne pëllasim si gomerë e zhgërryhemi me këmbë hava kur e gjykojmë të kaluarën me parametrat e kushtet e sotme. Bëhemi për t’u vjelle në këtë rast, bëhemi të pavërtetë, të shëmtuar e shumë të pandershëm.
Ndoshta prej frikës. Se jemi shumë frikacakë.
Ne kemi në dorë sot (sot është sot për të gjitha të sotmet…) ta gjykojmë të kaluarën duke mos lejuar të përsëritet në asnjë aspekt të jetës sonë shëmtia e saj, por nuk kemi asnjë mundësi ta ndryshojmë apo ta blejmë të kaluarën. As të kaluarën e largët as të afërtën. Edhe dita e djeshme, edhe ora e kaluara është e kaluar. Nëse u shëmtove u shëmtove, iku, kaloi, mbete i shëmtuar. Nëse gënjeve, mashtrove, tradhëtove, iku, mbete i tillë dhe nuk e ndryshon dot atë që iku. Por mundesh nëse ke cipë, turp, nëse e keqja nuk të ka marrë peng, nëse ke fuqi të këpusësh prangat e së keqes, mundesh të ndryshosh të ardhmen, të sotmen dhe duke e jetuar me dinjitet të sotmen, përkëdhel të ardhmen dhe nuk ta kujton askush të shkuarën e shëmtuar.
Por nëse guxon e mburresh me të shkruarën e shëmtuar, nëse të ka marrë peng aq keq e të përdhunon e shkuara jote, atëhere të sotmen e ke sterrë. Nëse ke qenë gjobvënës, mercenar, nëse ke turp e nuk ke kurajo të përballesh me ato që ke dhunuar, mashtruar, cenuar, do të mbetesh skllav i së keqes tënde.
Ne nuk mundemi të blejmë të kaluarën tonë e jo më të prindërve tanë. Çdo përpjekje për retushim për ta ndryshuar të kaluarën është si ajo fjala e gdhendur në mur që për ta heq e lyenin me gëlqere e ajo sërish dukej, e lyenin me suvatim të ri e ajo sërish dukej. E liga e prindërve si e liga e jonë, thjesht nuk duhet ngacmuar, nuk i duhet heq korja drexës. Gjithmonë Havzi e kam fjalën për ata që kanë të liga, që kanë bërë të liga dhe që mundohen të shfaqen sot para teje si profetë, si ëngjëj, që mundohen të shfaqen sikur të duan shumë, sikur të kanë dashur shumë. Por që të kanë patur si minierë të vogël biznesi për lekë e për vota, për patriotizëm e për disidencë të shtirur.
Monstra të ndryshme, gjobvënësa, pronarë të vetshpallur, pronarë të tu, Havzi, që kanë menduar se ti jeton se duan ata, ti je hero se duan ata, të bënë ata hero, të bënë ata poet se po të mos ishin ata ti nuk mund të ekzistoje mbi këtë tokë, monstra enveristë, hajna, brejtësa, mashtrues që i fshihen edhe vetes së tyre, që u vjen turp se kanë ndryshuar emrat, që kanë shtuar një gërmë në fund të emrit, që kanë marrë emrat e të tjerëve për të marrë edhe famën e të tjerëve, enveristë antikomunistë që çmojnë vetëm vuajtjet e të afërmve të tyre dhe nuk përfillin vuajtjen e tjetrit, që e ndotën dhe shëmtuan antikomunizmin poshtërsisht, as lejojnë e as pranojnë paqe e pajtim por nxisin urrejtje, frikë. Frika është pushteti i tyre, arma e tyre.
Urrejtja është porti i tyre, streha e tyre. Urrejtja e frika. Ata urrejnë nga frika prej të vërtetës. Ata urrejnë dhe duan luftë që të mos paqtohen kurrë ujrat e të merret vesh se sa gjoba kanë vënë në emër të Havzi Nelës e për llogari të Havzi Nelës, sa soponsorizime kanë marrë e kanë kërkuar në gjithë kontinentet nga miq e dashamirë të tu Havzi.
I dashur Havzi,
Kemi folë gjatë. Më shumë kemi folë çfarë kam dashtë unë të them dhe nuk të kam lënë shumë kohë të flasësh.
Ti ke folë në fakt me poezitë e tua, ke folë në atë kohë kur mua e ne të gjithëve na shkonte shurra nga frika. Ke folë rëndë Havzi, ashpër, pa frikë sepse ti e kishe vendos me vdek.
Poezite e tua kur i ke shkruar ti në burg nuk ka mund t’i shkruajë askush as në liri as në burg edhe pse mund të dalë ndonjë disdident e poet i vonë e të thotë sot se ka qenë disident e poet atëhere. Askush para teje e si ti nuk ka shkruar poezi për Konferencën e Helsinkut. Askush si ti nuk ka shkruar poezi kundër regjimit, kundër Enverit në burg. Askush si ti nuk ka folë në gjyq siç ke fol ti në gusht 1975 në gjyq ku mbajte fjalimin tënd të famshëm ‘Unë kam disa mendime ndryshe’. Askush nuk ka artikuluar qartë pa arrë në gojë atëhere në burg e në gjyq se ‘Unë nuk ju dua’, siç ke deklaruar ti, i dashur Havzi.
Në 10 muajt që ndenje në shtëpi pas viteve të burgut dhe punove në kooperativë bujqësore në Kollovoz në brigadën e Nelëve ti ke shumë histori njerëzore Havzi, që janë në librin tonë. Ti mendoje se të gjithë në Kollovoz mendojnë si ti. Mendove se të gjithë janë kundër sistemit, kundër socializmit, kundër partisë. Ti flisje lirshëm kundër partisë me të gjithë. Harroje se nuk ishe në ato vitet e para kur pati hy partia dhe kundërshtia ishte e madhe ndaj saj. Tani partia kishte hedh bazat e veta, kishte bërë njerëzit e saj në Kollovoz. Ty të donin njerëzit, por edhe partinë e donin. E donin edhe nuk e e donin, por e donin edhe prej frikës sepse po të mos e doje partinë duhej të shkoje në burg ku ti kishe kaluar 20 vite të jetës tënde.
Ti flisje kundër, por njerëzve u vinte keq për ty. Ti flisje kundër partisë pothuaj tek të gjithë dhe ti harroje se njerëzit kishin njerëz dhe e donin veten e tyre, donin njerëzit e tyre. Frika ishte sundimtarja reale në jetën tonë ato mote. Nga frika njerëzit nuk e mbanin dot për vete atë që u thoje ti, kundërshtinë tënde ndaj diktaturës. Njerëzit duhej të justifikoheshin nëse u bënte presion dikush. Frika se dikush do t’i thërrasë e do t’u thotë pse nuk tregove çfarë foli Havziu dje apo mbrëmë, detyronte disa njerëz të raportonin te partia. Frika ishte kjo që i detyronte se nuk besonte tjetri te tjetri. Mirë, unë nuk po shkoj te tregoj te partia se çfarë tha Havziu, po sikur të shkoje të tregojë një tjetër, atëhere partia do më thërrasë e do më thotë ‘Pse nuk erdhe të tregosh’? Atëhere ‘frika ishte mbreti’ ose duhej të zëvendësoheshe ti Havzi në burg.
E njëjta gjë ka ndodh edhe atë natë që ke ike nga internimi.
Pak e dine, por nuk është pohuar se ti je strehuar te një shpellë dhe motra jote e madhja të ka sjellë ushqim. Pak e dine, por nuk është pohuar atëhere se të shpella ku ti ishe i strehuar të ka parë një njeri dhe ka kthyer mbrapsht e nuk ka treguar, të ka mbrojtur duke rrezikuar jetën e vet. Kur e pyetën të tjerët që ishin pak hapa më larg me qenin e kufirit, se a ka gjë në shpellë, ai u përgjigj se jo, nuk ka gjë, nuk ka njeri në shpellë. Shpëtove atë moment Havzi se për pak do të të kapte qeni i kufirit ose pushkatarët që ishin ngrit peshë me çetat vullnetare të fshatrave, përveç policisë dhe ushtrisë.
Ti si duket more zemër nga kjo mbrojtje, mendove se të duan e të përkrahin të gjithë dhe nuk e besoje mbase se populli ishte mobilizuar nga shteti për me të kap ty si armik që ishe arratis nga vendi i internimit, nga Arrni.
Shkove për tek dajat e tu pas shumë peripecish. I kërkove ndihmë një kurshëriri të dajës. Ai të drejtoi për te daja yt. Nuk ishte e lehtë me të mbajt ty, me të dasht ty, me të mbrojt ty, me rrezikue jetën për ty, me vdek për ty e me ty Havzi.
Çfare mendove ti? A mos mendove se njerëzit janë gati të sakrifikohen për ty. A nuk mendove se askush nuk mund ta mbante brenda vetes në supet e veta atë peshë e përgjegjësi që ishte. Ti ishe arratis. Gjithë njerëzit ishin ngrit peshë me të kap. Ti kërkon strehë brenda rrethimit. Kërkon që dikush të vejë jetën e vet në rrezik për ty. Mirë, mund të ketë njeri që rrezikon për ty, por nuk ka njeri që rrezikon të tjerët për ty. Mirë, daja yt mund të vritej për ty, po fëmijët e tij, nipat e mbesat e tij, nuset e djemve të tij, a mund dhe a duhej të rrezikonin e të vriteshin apo burgoseshin për ty dhe ti i pafituar në asnjë rrethanë pasi ishe në rrethim. Ishe i rrethuar nga njerëzit e tu, nga farefisi yt, nga bashkëfshatarët e bashkëkrahinarët e tu dhe nuk ishe i rethuar apo në luftë me ushtri të huaj armike, me serbë, turq apo grekë.
I dashur Havzi Nela.
Je më i veçanti ndër të veçantët, je më trimi ndër trimat, më i guximshmi ndër të guximshmit, me vullnet të hekurt, je poet i dhimbjeve e dramave të mëdha, i temave të mëdha, që i këndon Kosovës kur ende nuk i këndohej lirshëm në Shqipëri, poet i vërtete burgu, që me pika gjaku i ke shkruar në burg ato poezi e ato letra dhe nuk i ke shkruar pasi ke dalë nga burgu si shumë të tjerë dhe i shesin si të shkruara në qeli e mua ma shpifin disidencën e artin e tyre të shtirur.
I dashur Havzi,
Që nga viti 1996 kur më bënë kryetar të shoqatës kombëtare ‘Miqte e Havzi Nelës’, unë e kam nis këtë bisedë me ty, por jo si bisedë biznesi. Kemi fol shumë, por kemi thënë shumë pak nga sa duhet të themi. Këtë bisedë që kemi bërë ne të dy mund ta bënte cilido tjetër, por nuk kanë dasht të hyjnë kaq thellë ata që të kanë dasht për biznes sepse të bësh këtë që bëmë ne të dy, të bësh këtë libër nuk duhet me t’u dridh dora as mendja.
Unë të falenderoj pafund, Havzi.
Sot po ta them se shpesh jam frymëzuar prej teje. Jeta e vepra jote është ku e ku më poezi se poezitë e shtatë fletoreve te tua të burgut. Ti më ke mësuar që të mos mbetem peng i vogëlsive, ti më ke mësuar me guxim, me qendresë, me krenari. Më ke mësuar se jeta është shumë e gjatë për mërzi e shumë e shkurt për madhështi, dinjitet, krenari.
Duan përditë të të zvogëlojnë Havzi, të të zhvlerësojnë, janë gati të thonë se Havziu është dënuar se ka vjedhe dy misra në kooperativë, se Havziun e ka dënuar Kristaqi, se e ka dënuar gjykatësi, drejtori, spiuni dhe nuk kanë dëshirë ta artikulojnë të vërtetën e madhe se Havzi Nelën e ka dënuar Ramiz Alia, e ka dënuar kupola, e ka dënuar Komiteti Qendror i Partisë së Punës të Shqipërisë që ka qenë mbi Kuvendin Popullor e mbi Presidiumin e Kuvendit Popullor të Shqipërisë.
I dashur Havzi, po më trishtojnë përditë e më shumë enveristët e veshur me teshat e antikomunistëve që ngrenë parulla enveriste, që lëpijnë eshtra fjalimesh antikomuniste.