Miliona nxënës në Francë kujtojnë mësuesin e vrarë
Prerja e kokës së një mësuesi shkaktoi tmerr në Francë. Në ditën e parë të shkollës pas pushimeve, miliona nxënës kujtuan viktimën e terrorizmit. Kurse në shumë shtete myslimane pati përsëri protesta anti-franceze.
Në Francë, rreth dymbëdhjetë milionë nxënës kujtuan me një minutë heshtjeje mësuesin e vrarë barbarisht Samuel Paty. Në fillim të shkollës, pas pushimeve të vjeshtës, u mbajtën ngjarje përkujtimore për 47-vjeçarin, që ishte viktimë e një sulmi terrorist. “Ne jemi Francë! Do të qëndrojmë së bashku”, shkroi Presidenti francez Emmanuel Macron në një mesazh në rrjetet sociale.
Kryeministri francez Jean Castex dhe ministri i Arsimit, Jean-Michel Blanquer vizituan shkolla në periferinë e Parisit, Conflans-Sainte-Honorine, ku kishte punuar Paty. Mësuesi i vrarë u kujtua gjithashtu në Gjermani, ndër të tjera në shkolla në Hamburg, Berlin dhe Hesse. Sipas hetuesve, Patyn e vrau një 18-vjeçar në mes të tetorit, sepse në orën e mësimit me temën e lirisë së shprehjes ai u tregoi nxënësve karikaturat e profetit Muhamed. Trupi i tij u gjet me kokë të prerë.
Akti shkaktoi tmerr të madh në Francë. Më pak se dy javë më vonë, tre persona vdiqën në një sulm me thikë në një kishë në Nisë – edhe këtu Prokuroria beson se kemi të bëjmë me një sulm islamist.
Sërish protesta në vendet myslimane
Macroni e mbrojti lirinë e shprehjes dhe botimin e karikaturave pas vrasjes së Paty-së. Kjo çoi në protesta në vende të shumta myslimane. Rreth 400 vetë demonstruan përsëri përpara ambasadës franceze në kryeqytetin indonezian Xhakartë. Në Daka, kryeqyteti i Bangladeshit, gati 10.000 vetë dolën në rrugë. Ata bënë thirrje për bojkotim të mallrave franceze dhe ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike midis Bangladeshit dhe Francës. Disa protestues dogjën fotot e Macronit. Protestuesit marshuan nga një xhami e madhe drejt ambasadës franceze, por u ndaluan nga forcat e sigurisë gjatë rrugës për atje.
Emiratet dhe Abu Dhabi mbështesin Macronin
Emiratet e Bashkuara Arabe ndërkohë e morën Macronin në mbrojtje. “Ai nuk dëshiron që myslimanët në Perëndim të getoizohen dhe ka të drejtë për këtë,” i tha Ministri i Shtetit i Emirateve të Bashkuara Arabe për Punët e Jashtme, Anwar Gargasch, gazetës “Welt”. Franca ka të drejtë të kërkojë mënyra për të integruar myslimanët dhe për të luftuar militantizmin. Princi i Kurorës së Abu Dhabit, Sheik Mohammed bin Said Al Nahjan, i dënoi sulmet terroriste në Francë në një bisedë telefonike me Macronin, siç njoftohet nga agjensia Emirate WAM. Në një intervistë në fundjavë me transmetuesin arab Al-Jazeera, Macroni e mbrojti lirinë e shtypit. Franca po lufton terrorizmin e kryer në emër të fesë islame – por jo vetë fenë islame, tha ai. Pas tre sulmeve terroriste në javët e fundit me disa të vrarë, qeveria franceze e ka shtuar mbrojtjen e shkollave dhe vendeve të kultit. Për këtë qëllim janë angazhuar edhe ushtarë të misionit antiterror “Sentinelle”.
aud (tgsch)