Albspirit

Media/News/Publishing

Spitali amerikan: Çrregullimet e gjumit tek bebet

Problemet e gjumit jo vetëm që prishin netët e fëmijës – por ato prishin edhe ditët e tij, gjithashtu, duke e bërë atë më pak vigjilent mendërisht, më të pavëmendshëm, të pamundur të përqendrohet dhe lehtësisht të hutuar. Ato gjithashtu e bëjnë atë më impulsiv fizikisht, më hiperaktiv ose dembel.

Pagjumësia kronike

Është e rëndësishme të kuptojmë se efektet e deprivimit kronik nga gjumi janë kumulative: përgjumja ditën rritet në mënyrë progresive. Kjo do të thotë se edhe ndryshimet më të vogla të gjumit, me kalimin e kohës, do të kenë efekte të rëndësishme negative. Po ashtu, ndryshime të vogla duke lejuar pak më shumë gjumë mund të kenë efekte të ngjashme pozitive. E gjitha varet nga lloji dhe shkalla e problemit të gjumit.

Lodhja

Edhe mungesat në dukje të vogla të gjumit shkaktojnë lodhje tek fëmijët. Dhe për një fëmijë, thjesht të qenit zgjuar për një sasi të caktuar kohe është mbi-stimulim dhe mërzitje, edhe në qoftë se ai/ajo nuk është angazhuar në ndonjë aktivitet. Sidomos gjatë ditës, me miqtë dhe familjen, fëmija dëshiron të jetë pjesë e veprimit dhe kështu përgjigja e saj natyrore kundrejt lodhjes është ta “luftojë atë”. Kjo ndodh, kur bebi përpiqet që të qëndrojë zgjuar dhe vigjilent duke refuzuar gjumin. Si rezultat kemi sekretimin e hormoneve si: adrenalina, të cilat pastaj shkaktojnë atë të të bërit hiper vigjilent.

Tani fëmija është totalisht i zgjuar, por i rraskapitur. Shpejt fillon grindja, nervozizmi dhe acarimet. Në këtë moment fëmija nuk është shëndetshëm alert dhe nuk mëson shumë. Tani ju keni një situatë ku bebi është super aktiv dhe nuk mund të bjerë lehtë në gjumë.
Në mënyrë interesante kjo shkakton shpesh zgjimet gjatë natës. Pra, prindi nuk duhet të mashtrohet nga në dukje një fëmijë i zgjuar, që hidhet pa fund dhe që refuzon krevatin. Vendosja e fëmijës herët në shtrat është në të vërtetë ilaç. Ndonjëherë edhe 15-20 minuta më parë mund të ketë një ndikim të rëndësishëm dhe mund të jetë gjithçka që ju nevojitej. Ju gjithashtu mund të befasoheni se një fëmijë që ka pushuar mirë gjatë ditës është më i lehtë për t’u vendosur në shtrat gjatë darkës.

Studime dhe të dhëna faktike mbi gjumin

Në vijim janë disa vëzhgime nga studime të ndryshme që ilustrojnë disa nga vështirësitë me të cilat ne përballemi dhe ndryshimet e sjelljes tek fëmijët me probleme të gjumit (nga Wiessbluth – “Healthy Sleep Habits, Happy Child” dhe “On Becoming Baby Wise”, nga Gary Ezzo dhe Robert Bucknam, MD): Fëmijët nuk “i kalojnë”, problemet me gjumin; Problemet duhet të zgjidhen. Fëmijët që flenë më gjatë ditën kanë spektër më të gjatë vëmendjeje. Bebet që flenë më pak gjatë ditës janë më të çrregullt, kërkojmë më shumë shoqëri, dhe janë më pak në gjendje të argëtohen ose të zbaviten me veten e tyre. Vogëlushët (1-3 vjeç) që flenë më shumë janë më të argëtueshëm , më të shoqërueshëm, dhe më pak kërkues.

Fëmijët që flenë më pak mund të sillen disi si fëmijët hiperaktiv. Defiçitet e vogla në gjumë por të vazhdueshme, me kalimin e kohës kanë tendencë që të shkallëzohen dhe të japin efekte afatgjata në funksionimin e trurit. Fëmijët me IQ më të lartë – në çdo grup moshe të studiuar – kanë fjetur për më gjatë. Për fëmijët me ADHD (defiçit përqendrimi), përmirësimet e gjumit gjithashtu përmirësojnë ndjeshëm marrëdhëniet me bashkëmoshatarët e tyre dhe rrisin performancën në klasë. Gjumi i shëndetshëm ndikon pozitivisht në zhvillimin neurologjik dhe duket të jetë ilaçi i duhur për parandalimin e shumë problemeve të sjelljes apo të të mësuarit.

Çfarë mund të bëjnë prindërit?

Si prindër, është përgjegjësia jonë që të jemi të ndjeshëm dhe të mbrojmë gjumin e fëmijëve tanë, ashtu siç bëjmë me sigurinë e tyre, ashtu si ne kujdesemi që ata të hanë rregullisht mëngjes, drekë, dhe darkë. Ne jemi përgjegjës për zakonet e tyre të gjumit kështu që është e rëndësishme që t’ia filloni ato sa më shëndetshëm që në zanafillë. Është shumë më e lehtë që t’i mësoni zakone të mira një fëmije se sa të ndreqni ato të këqijat.

Jepini rëndësinë e duhur gjumit me vëmendjen tuaj të përditshme ndaj tij dhe ju do të keni një fëmijë të lumtur, më pak kërkues apo qaraman, dhe më shumë të shoqërueshëm.

Spitali Amerikan, përqafoje jetën!

Please follow and like us: