Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: ‘Kultura’ neveritëse e tifozërisë…

Kultura e tifozërisë është neveritëse dhe duhet parë si pengesë e madhe në rrugën e zhvillimit dhe lartësimit kombëtar

Shkrimtar i madh argjentinas, Jorge Luis Borges, duke folur për tifozërinë në futboll, ka thënë se “futbolli është popullor, vetëm se budallaku është popullor.”
Borgesi këto mendime për lojën e bukur i lidhte kryesisht me neverinë e tifozërisë. Sot, gjykimet e Borgesit mund të duken atipike.
Por, shtrohet pyetja, a kishte të drejtë Borgesi kur neveritej prej kulturës së tifozërisë që manifestohet në sferat e tjera, sidomos në ato politike dhe nacionaliste?
Koha dhe ngjarjet e shumta hiatorike tregojnë se kultura e tifozërisë nuk sjell asgjë të mirë e as të dobishme për shoqërinë njerëzore, përpos liderë të pjerdhur e populistë.

Ne si komb, kundrejt ngjarjeve të mëdha, të brendshme ose të jashtme, reagojmë kryesisht duke u bërë tifozë të ashpër, të tipit me këtë ose me atë.

Ky soj i reagimeve kundrejt ngjarjeve të mëdha, duket sikur ka ngul mbi ne kthetrat mizore të tufozërisë dhe nuk na lejon të bëjmë gjykime racionale.

Kjo ‘kulturë’ na ka lënë shumë prapa popujve të emancipuar dhe na pengon që të bëjmë debat normale. Sepse debati te ne, zakonisht përkthehet me tifozëri, bëhet me tifozëri dhe karakterizohet nga impulse tifozërie.

E vërteta është se ne bëjmë tifozëri në çdo fushë. Sa herë ka tema të mëdha ose siç kemi dëshirë të themi sa herë ‘shpërthen’ ndonjë debat i brendshëm a i jashtëm, ne si në kor mësojmë formulat e reagimit ose të mbrojtjes.

Ky ves është shëmtuar kur shfaqet në politikë. Sepse aty shfaqet i tërbuar dhe lë pasoja të mëdha, ndaj, ndaluni njerëz: më pak tifozëri, domethënë më pak budallallëk popullor dhe më shumë shëndet mendor.

Please follow and like us: