Albspirit

Media/News/Publishing

Rexhep SHAHU: NUK MUND TA SHËMTOJË ASKUSH AS UÇK, AS LIRINË E KOSOVËS

Eksponentë të lartë të Kosovës, të luftës, të UÇK e të dekadave të pasluftës, me në krye presidentin e Kosovës Hashim Thaçin e Kadri Veselin u dorëzuan në Gjykatën Speciale që e kanë miratuar vetë me instistimin e tyre në Parlamentin e Kosovës, me qëllim që të pastrohet lufta e Kosovës nga akuza e thashethemnaja e madhe e akuzave serbe.

Ajo që nuk duhet ta harrojmë kurrë është fakti se në Kosovë ka ndodh luftë dhe jo mbrëmje vallzimi, siç kam shkruar disa herë dhe në luftë vritesh, puthesh me plumbin. Ajo luftë dëboi Serbinë prej Kosove e për këtë dëbim nuk pajtohet Serbia, por do të thur intriga gjithmonë.

Para asaj gjykate që e krijuan apo miratuan vetë në Parlamentin e Kosovës, Hashim Thaçi me shokë duhet të mbrojnë veten e tyre.

Ata nuk janë UÇK që është krijimi më madhështor e i ndritshëm i shqiptarëve, ata kanë qenë pjesë e UÇK, drejtues e ushtarë të saj, por jo pronarë të saj.

Ata nuk janë liria as pronarët e lirisë dhe nuk po kërcënohet liria e Kosovës që ta mbrojnë ata në gjykatën speciale, ata do të mbrojnë veten e drejtësinë e tyre.

E nëse do të akuzohen se kanë vrarë serbë në luftë, ata do të jenë gjithmonë herojtë e mi se kanë luftuar me na mbrojt prej serbëve.

Për akuzat të tjera nga dosje serbe akuzash ata dinë të mbrojnë veten.

Për akuza ndaj tyre gjatë ushtrimit të gjatë të pushtetit, ato janë punë të tjera dhe nuk i shaloj ato inate.

Po të kishin ngrit shqiptarët akuza ndaj Serbisë për çfarë krimesh kanë bërë serbët në Kosovë, sot nuk do të kishte gjykatë të tillë ku të gjykohen shqiptarët, por pushtetarët e Kosovës me në krye Hashim Thaçin dhe pushtetarët e Shqipërisë administrative kurrë nuk ngritën një akuzë kundër Serbisë.

As Shqipëria nuk ngriti akuzë kundër Serbisë ndonëse u dënua e u sulmua nga Serbia, iu pushtua 1400 ha me mina serbe, i vdiqën nga minat 53 shtetas dhe mbetën invalidë nga minat serbe 274 të tjerë, pa llogaritur dëmet kolosale të tjera. As për kundërpeshë ndaj Dick Martit nuk veproi Shqipëria administrative.

Të dyja qeveritë, në Prishtinë e në Tiranë treguan inferioritet ndaj Beogradit dhe Tirana socialiste luftoi të puthej me Beogradin, pa përfill Prishtinën dhe krimet serbe në Kosovë.

Për akuzat serbe ndaj Hashim Thaçit e UÇK të artikuluara nga Dick Marti, unë kam dhënë këtë përgjigje në RTV Ora News pak çaste pasi i ka shpalluar ato akuza Dick Marti dhe po e ripublikoj atë përgjigje ku kam thënë se për ato lloj akuzash për transplante organesh etj., etj, jam gati që duart e mia të vihen në një palë pranga me duart e Hashim Thaçit. Ja shkrimi im i asaj dite kur ka ngrit akuzat Dick Marti:

DUART E MIA NË NJË PALË PRANGA ME DUART E HASHIM THAÇIT

Nuk e di se si mundet me fole më shqip, më thjeshtë, më saktë dhe më bukur një shqiptar i vërtetë se sa ka folë Naser Rugova, lidhur me akuzat e Dik Martit ndaj Hashim Thaçit dhe në mbrojtje të shqiptarit Hashim Thaçi, ish drejtues i UÇK-së, aktualisht Kryeministër i Kosovës duke ike, e duke ardhë prape Kryeministër pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit në Kosovë. Nuk e di si mundet politikan i lartë shqiptar të flasë më qartë, shkurt, saktë e troç, shqiptarisht se sa foli Kryeministri Sali Berisha duke zhbërë të pavërtetat makabre të Dik Martit dhe duke i dale zot UÇK-së dhe shqiptarit Hashim Thaçi, që sot është kryeministër.

Nuk di se ku janë e pse vonojnë fjalëtarët e mentarët që sot duhen mbase më shumë se kurrë për të mbrojtur të qenurit shqiptar, që të flasin për këto shpifje, për këto të zeza që akuzohen shqiptarët nga Dik Marti me kompani. Jam një nga njerëzit, jo të shumtë, dëshmitarë okularë për gjithë kohën e luftës, nga fillimi në fund, në brezin kufitar Shqipëri-Kosovë, si gazetar i angazhuar i Radio Kukësit, Radio Tiranës e më tepër dhe krenar them se kam parë, prekur e dëgjuar gjëra që atëhere e sot do t’i kishte zili cilido gazetar.

Por krenar mundem ta pohoj para secilit burrë dhe grua të botës se nuk kane ndodhur fëlliqërira të tilla që akuzon mizorisht, tinëzisht e ligësisht Dik Marti. Turp është më e pakta që duhet t’i them atij fare njeriu që duket si korb i zi, por sterrë i zi për zezonë që vjell prej goje kundër shqiptarëve. Flet për gjëra që as i ka parë as prekur as dëgjuar ai e askush sepse nuk kanë ndodhur gjëra nën tokë por gjithçka ka ndodhur në sy të mijëra e mijëra njerëzve, në dritë të diellit. E si mund të flase dikush për gjëra të pandodhura? Të pandodhurat si mund të bëhen të ditura e të pohohet për to. Janë lodhur dhjetra misonarë, të hapur e të fshehtë, para këtij fare Dik Marti, të gjejnë gjilpërën në kashtë, të bëjnë mizën buall, por kanë mbete me gisht në gojë para mungesës së fakteve dhe kanë ikur mbrapsht me bisht ndër shalë.

U lodh me cmirë e vner ishkryeprokurorja e Hagës, gruaja e pabërë, që t’i nxirrte shqiptarët siç po i nxjerr ky farë Dik Marti, por bën një vrimë në ujë. Shqiptarët shkrues, mentarë, të paguar shumë rëndshëm prej Kosovës herët e vonë që të shkruajnë të vërtetat e vërteta, bile që t’i thonë botës me fakte se nuk ka kisha serbe në Kosovë, por janë shqiptarë ato kisha të shndërruara në serbë, kanë heshte e janë truse dhe po heshtin dhe sot. Unë kam shkruar me bindje të thellë se fitorja më e madhe luftarake e shqiptarëve në historinë e tyre është vetë krijimi i UÇK-së e cila arriti t’i bindë shqiptarët se edhe serbi vritet, edhe serbin e vret plumbi. Unë kam shkruar, kundër deklarimeve të Hashim Thaçit që mburret pahijshëm se Kosovën e ka çliruar UÇK-ja, pasi i besoj të vërtetës së patjetërsueshme se Kosovën e ka çliruar Amerika, NATO-ja dhe e treta vjen UÇK-ja, pasi pa Ameriken dhe NATO-n, UÇK-ja nuk do të kishte kurrë mundësi ta çlironte e vetme Kosovën, kurrë.

Unë kam shkruar keq dhe shumë keq për UÇK e fundluftës apo të pasluftës kur filluan të blinin uniforma të UÇK-së shumë njerëz që me përdhunë hynë dhe shkruan emrin në radhët e UÇK, duke e fyer atë rëndë. Unë nuk jam me Hashim Thaçin as dje e as sot sepse nuk ka artikuluar qartë, saktë e prerë, se trimi mbi trima, komandanti i vërtetë e real i gjithë shqiptarëve të Kosovës ka qenë dhe mbetet Ibrahim Rugova, i cili nuk iu fsheh kurrë asnjë çast Kosovës, nuk i iku asnjë çast kurrë Kosovës, as i rruar e as me mjekër, që vdiq në punë, në detyrë dhe nuk u dorëzua as para sëmundjes së rëndë. Dhe në kohët më abuzive e akuzuese ishte ai që i tha botës se shqiptarët po mbrojnë pragjet e shtëpive të tyre (Kosova ishte shtëpia e shqiptarëve e prag shtëpie). Unë jam kundër legjendarëve, kundër Hashimit që shpik legjendarë. Por sot, kush është shqiptar e mendon shqip, sot duhet të lidhet krah për krah me Hashim Thaçin. Hashim Thaçi sot është Kosova, Hashim Thaçi sot është UÇK-ja, është historia jonë e re, e pastër, e dlirë, e diamanttë. Hashim Thaçi sot është shqiptari, është unë dhe ti, është cilido shqiptar që ndjehet shqiptar prej vërteti e jo shpirt shitur. Akuzatorit banal dhe sponsorëve të tij i duket Hashim Thaç cilido shqiptar dhe synimi final qëllimzi është të poshtrojë shqiptarin, të cilit në rastin në fjalë ia vë emrin Hashim Thaç. Akuzatori banal dhe shpura sojsëze nuk mundet të barazojë masakruesit historikë e të vonë e inferiorë të shqiptarëve me shqiptarët. Nuk mundet të gjejë ndër shqiptarë ato lloj kriminelësh që kanë prerë koka fëmijësh, sy e veshë fëmijësh, gjinj vajzash, që kanë shpërthyer fëmijë në bark të nënave shqiptare, nuk mundet t’i gjejë tek shqiptarët. Nuk mundet kurrë sepse shqiptarët nuk dinë, nuk konceptojnë, nuk munden të bëjnë monstouzitete të këtilla kurrë. Ata që bëjnë të tilla gjëra janë monstra jo shqiptare të deklaruara para historisë.

Rasti i Hashim Thaçit, i shqiptarit që sot quhet Hashim, por që mund të ketë edhe emrin e cilitdo shqiptari që përfaqëson Kosovën dhe UÇK-në, vjen si rast i dytë pas dërgimit në Hagë të komandantit – komandant prej vërteti, por as hero, as legjendar, Ramush Haradinaj, i cili tronditi armiqtë e shqiptarëve për faktin se ai kryetrimi Ibrahim Rugova e bëri Kryeministër të Kosovës. Kosovës ia kanë sulmuar, vrarë, helmuar, varrosur së gjalli trimat e burrat që kanë bërë histori. E kur s’munden kështu, duan t’ia shëmtojnë trimat, bëmat, historinë. Ndaj sot kush është dhe ndjehet shqiptar prej vërteti, sipas mendimit tim, duhet të besatohemi me shqiptarin Hashim Thaçi, për të mbrojtur shqiptarin shqiptar, që mund të ketë çfarëdo emri, siç e ka tani Hashim. Unë nuk jetoj në Kosovë që të kem ndjeshmëri sa një shqiptar që jeton atje nëse duhet apo jo të jetë Kryeministër Hashim Thaçi. Të pyetem unë, nuk jam për këtë. Por sot, pavarësisht zgjedhjeve e rezultatit të tyre, Hashim Thaçi është Kryeministër, duhet të jetë Kryeministër, dhe gjithë shqiptarët në Kosovë e jashtë saj kudo ku janë, duhet të lidhim duart zinxhir me Hashim Thaçin, vetëm për të zhbërë akuzat e helmëta të Dik Martit me kompani. Nëse ka llogari për të dhënë Hashim Thaçi, u jep llogari shqiptarëve. Nëse është për t’u dënuar Hashim Thaçi e dënojne e le ta dënojnë shqiptarët, por pa Dik Marta and Co, të cilët, në mos dashakeqësi të llahtarshme, po tregojnë ndaj shqiptarëve ligësi të pafund e të kobshme e nuk po ngopen në ligësinë e tyre, që mëkohen në hakmarrjen e të mundurve. Unë nuk e dua Hashim Thaçin Kryeministër sepse dua ndonjë pasues të vërtetë e të denjë të Ibrahim Rugovës që të jetë Kryeministër, por për t’u përballur e për të përgënjeshtruar akuzat e poshtra, të ulta, të liga e të ndyra të Dik Martit e të tjerëve, se shqiptarët kanë vrarë serbë për t’u marrë organe për transplant dhe që paska pas klinikë të tillë në Fushë Krujë apo Mat apo kudo qoftë në hapësirën shqiptare, jam gati që kyçet e duarve të mia të bëhen bashkë ne një palë pranga me kyçet e duarve të Hashim Thaçit.

Botuar më 16 dhjetor 2010.

 

Please follow and like us: