Albspirit

Media/News/Publishing

Xhovalin Delia: GUNA më e madhe se PUNA e GISHTI më afër se HËNA

Ne shqiptarët çdo gjë e kemi me tepri, deri edhe GUNËN e çmojmë më shumë se PUNËN e mjaftohemi me gishtin që na tregon henën pa ia hedhur sytë lozonjares larg në qiell. Mbytemi nga emocionet e sentimentet dhe e humbim ARSYEN si Xhaferri simiten. Zihemi e theremi për MUSTAQET e Çelos pa u bërë merak për ATË ÇKA AI BËN në mustaqe…
Në princip, kur ulëm të shkruaj dy rreshta, mendohem mirë para se ta nxij letrën e bardhë. SHKRUAJ kur më dhemb fort, rrallë o kurrë kur jam “i lumtur”. Nuk më kanë pëlqyer kurrë QOKAT E DASMAT, (në fakt jam martuar pa dasëm). Hallet e hallexhinjtë më ngacmojnë e më bëjnë të vuaj, padrejtësia më indinjon e nuk mund t’iu kthej shpinën. I ndërgjegjshëm që nuk i zgjidh dot hallet e nuk i shpëtoj dot hallexhinjtë, e nuk bëj dot drejtësi, përpiqem të bëj atë që di e mundem për t’ua lehtësuar VUAJTJEN. Ky është qëllimi i shkrimeve të mia modeste. Nuk shkruaj për gjëra që nuk di. Çfarë di? Një gjë të vetme, atë që NUK DI ASGJË. Ndaj, ndaj me ju atë pakëz eksperiencë çka jeta më ka mësuar. Ju vlen apo jo e dini ju dhe është hesapi juaj. Mos e lexoni o po e lexuar kritikojeni pa mëshirë. Nuk fyhem nga sharjet “e shëndosha”, më indinjojnë keqinterpretimet malinje.
Për mua shoqëria është si një familje e madhe, të cilën nuk e ndaj në “të këqinj e të mirë”, por në TË FORTË e TË DOBËT. Siç ndodh në natyrë edhe shoqëria është raport FORCASH. Ndarja në “të mirë e të këqinj” është truk moral, jo edhe aq argument shkencor. Njerëzit, preh e emocioneve të mira apo të këqija bëhen viktima të DOBËSISË së tyre dhe tregojnë me gisht të FORTIN si “të keq”. E për të shpëtuar nga i KEQI, (i forti) bëhen të “këqinj”, (të dobët siç janë) duke e sharë me libër shpie. Harrojnë se nga i FORTI i keq nuk shpëtojnë duke e sharë atë as nga nëna e as nga babai, por duke i gjetur “pikën e dobët”, ALTERNATIVËN.
Motivi i këtij reflektimi është reagimi i disa njerëzve direkt publikisht dhe i shumë të tjerëve privatisht, në mesanxher. I respektoj të dy palët dhe i falenderoj për pjesëmarrjen në debat, por më shumë se komplimentat, do të doja që,
1. si pro edhe kontra të shfaqnin mendimet e tyre hapur PUBLIKISHT.
2. Në vendet që të merremi me njëri-tjetrin “kush je ti e kush jam unë”, do të ishte më efikase të merremi me ÇËSHTJEN e hedhur në diskutim, pra me PROBLEMIN E JO ME ATË QË SHTRON, FOKUSON, DIAGNOSTIKON SËMUNDJEN.
Që të jem i sinqertë mua “LIKE” e komplimetat i çmoj, por nuk më apasionojnë edhe aq shumë. Nga një diskutim i hapur i sinqertë ashtu siç secili prej nesh e mendon do të më pëlqente më shumë pasi do të na ndihmonte të kuptonim më mirë problemin që shoqëria jonë ka dhe pasi t’a kemi kuptuar ATË mirë, po të gjithë së bashku diskutojmë hapur pa frikë për të gjetur zgjidhjen. Mos keni frikë nga ato tigra prej letre. Ta dinit ju sa frikë kanë ata “trima” prej jush, nuk do të ishin aty ku janë e nuk do t’u kishin zhvatur e nënshtruar në këtë farë feje. E di, mund të humbisni një gjë edhe të rëndësishme për jetën, por PËRKOHËSISHT. A nuk do t’ia vlente të humbisnim përkohësisht për fituar një gjë AFATGJATË? Shumë njerëz idealistë, altruistë kanë sakrifikuar jetën për jetën e të tjerëve. A nuk ia vlen të sakrifikojmë një vend pune a privilegj personal të përkohshëm, qoftë edhe i përjetshëm, për të mirën e mijëra njerëzve që bien të uritur e ngrihen të drobitur, pa shpresë e pa DINJITET?
Fjala vjen, për “qen bir qeni” që ishte thjesht titulli i reflektimit të shkuar, shumica e ka kuptuar si tema e diskutimit, madje ndokush edhe si nyja dramatike e çështjes. Çka do të thotë se kemi bërë një vrimë në ujë, miq të dashur. Ajo që më IDHNOI më shumë ishte keqinterpretimi i një mikut tim të vjetër kineast i cili, ç’është tema e një drame dhe NYJA dramatike duhet ta dijë. Në vend që të merrej me nyjen dramatike, KONFLIKTIN INSTITUCIONAL presidencë-ekzekutiv, merrej me leshin e gunës së babait të birit veshur në shekullin e kaluar, në një sistem tjetër, ku si motor kishte bash luftën e klasave. Sot pas 30 vjetësh në një sistem demokratik, që është konkurrencë e lirë idesh dhe vizionesh; të merresh me biografitë e bëmat e ETËRVE është njësoj sikur virusin Covid-19 të pretendojmë ta kurojmë me pastë dhëmbësh.
Që të dalim nga ky qorrsokak ku kemi hyrë, mendoj se:
A. Shoqërinë duhet da konsiderojmë si një familje, ku secili nga ne është pjesëtar i saj. Merr pjesë apo rri indiferent, hisen, si për mirë edhe për keq ia merr njësoj, ndaj kot që fshiheni pas gishtit tuaj, “ç’më duhet mua” në terezi e kam, kokën hëngshin”, jo mik i dashur, i vjen koha edhe kokës tënde. Në fakt jeni në rradhë pa e ditur për çfarë po prisni.
B. Ashtu si në natyrë edhe shoqëria, siç thashë më lart është raport forcash, ndaj mos të bëhemi preh e emocioneve dhe sentimenteve negative, të të tashmës apo të shkuarës, por bij të arsyes. Të gjejmë ZGJIDHJE, jo të kërkojmë HAKMARRJE. Kjo jo për të mëshiruar KRIMINELËT e të shkuarës, e as BIJTË e tyre sot, por thjesht per të mirën tonë, për të parë kjartë e për të gjetur zgjidhje në favor të jetës e mirëqenies sonë e jo më dëm të “ATYRE” të liqve”. Nuk mund të ndryshojmë asgjë duke shkuar nga mullixhiu në mullixhi për inat të vjehrrës.
Në mes të KEQES e së keqes “më të vogël” unë jam për një ALTERNATIVË TË RE.
E ardhmja duhet të jetë ambicja jonë qytetare, e Jo MAKTHI i të shkuarës.

Please follow and like us: