Albumi i ri i kompozitorit Simaku me Shtëpinë Diskografike Suedeze
Një tjetër lajm i mirë vjen nga puna krijuese e kompozitorit shqiptar Thoma Simaku. Ditën e premte Universiteti i Jorkut në Angli ka botuar në faqen e tij (www.uymp.co.uk) lajmin për CD-në e re të Simakut.
Albumi me veprat e profesorit të Kompozicionit në Departamentin e Muzikës në Universitetin e Jorkut Thoma Simaku do të dalë nga Shtëpia Diskografike Suedeze “BIS Records”.
Ndiqni në vijim edhe njoftimin për këtë arritje të veprës së artistit të njohur shqiptar.
Shtëpia Diskografike prestigjoze “BIS Records” në Suedi sapo ka nxjerrë në treg albumin e ri të kompozitorit shqiptar Thoma Simaku nën interpretimin e muzikantëve të njohur në shkallë ndërkombëtare.
Kompozitori Simaku, Profesor i Kompozicionit në Universitetin e York-ut në Angli, ka bashkëpunuar me kuartetin e harqeve të Parisit, “Quatuor Diotima” për më shumë se një dekade; dhe bashkëpunimi i tij me pianistin anglez Joseph Houston, që tani jeton në Berlin, e ka nismën që kur Houston ishte student në Universitetin e York-ut.
Kuartetet e harqeve Nr 4 & 5u kompozuan enkas për kuartetin parizian, i cili dha premierën botërore në festivalin më të madh të muzikës bashkëkohore në Angli “Huddersfield Contemporary Music Festival” në vitet 2011 and 2015.
Catena I për piano u ekzekutua për herë të parë në Hollandë, në festivalin Moderne “Muziek Nijmegen” më 2019.
Dy veprat e tjera janë për piano solo: “Hommage à Kurtág”, premiera e së cilës u dhe në Barcelonë, ndërsa “L’image oubliée d’après Debussy” u kompozua me porosi të festivalit të muzikës bashkëkohore “York Late Music Series “më 2018 me rastin e 100 vjetorit te Debussy’së.
Të pesë muzikantët bëhen bashkë në kuintetin con-ri-sonanza që gjithashtu u ukzekutua për herë të parë në festivalin Moderne Muziek Nijmegen Festival në Hollandë.
Të gjitha veprat e albumit janë kompozuar gjatë dhjetë viteve të fundit, dhe janë të ndërlidhuar ngushtë me njëra- tjetrën, ashtu si jane të ndërlidhuar dhe cilësitë tingullore të mishëruara në titullin e albumit: consonanza, risonanza, con risonanza.
Muzika e kompozitorit shqiptar është ekzekutuar në mbarë Evropën, në SHBA dhe me gjerë për tre dekada, dhe është vleresuar me një seri çmimesh ndërkombëtare për cilësitë e saj ekspresive dhe mpleksjen e veçantë të intensitetit muzikor dhe modernizmit.
Ndër veprat kryesore perfshihen: Koncerti për Orkestër Simfonike që fitoi çmimin “Lutosławski Prize” më 2013 në konkurs ndërkombëtar i shpallur me rastin e 100 vjetorit të kompozitorit polak te shekullit XX, vepra për Orkestër Harqesh “The Scream” (2017) e bazuar në pikturën e famshme të Edvard Munch e interpretuar nga Orkestra e Koncerteve e BBC-së; si dhe një cikël prej tetë veprash virtuoze për instrumente të ndryshëm solistikë, që përfshin dhe pjesën “Soliloquy V Flauto Acerbo, e cila fitoi çmimin e Akademisë Britanike të Kompozitorëve “BASCA Award”, e cilësuar nga juria si “vizionare dhe krejtesisht origjinale”.
“BIS Records” ka një shpërndarje të gjerë në mbarë botën dhe albumi mund të gjendet në “Amazon”.
Një nga pjesët mund të dëgjohet në “YouTube”./opus.al/