Publicistika e Pëllumb Nakos, apel për katarsis të shoqërisë shqiptare
Çerçiz Loloçi
Botimet ‘Uegen’ kanë publikuar librin më të ri publicistik të Pëllumb Nakos, një oficer karriere në Ministrinë e Brendshme dhe aktualisht pedagog në një universitet jopublik. I pranishëm në shtypin shqiptar dhe jo vetëm, libri i titulluar “Hije që s’lëmë dot pas”, i konceptuar në disa kapituj, mes të cilave ‘Hijet e së shkuarës’, ‘Politika dhe qeverisja’, ‘Siguria publike’, ‘Kriminaliteti’, ‘Policia’, ‘Reformat’ dhe ‘Kosova’, autori bën apel për një katarsis në të gjitha nivelet, përfshi pushtetin legjislativ, qeverisjen me agjencitë e saj më të rëndësishme, botën akademike e mësidhënëse, shoqërinë civile e median.
Një pjesë e artikujve analitikë që shtrihen në harkun kohor të një viti, 2019-2020, kanë gjetur pasqyrim në disa organe shtypi brenda dhe jashtë vendit, përfshi edhe ‘Albspirit’, por pjesa më e madhe e tyre janë vëzhgime të përditshme të autorit për problematikat më të mprehta që shqetësojnë aktualisht shoqërinë shqiptare.
Kapitull i parë me shtatë shkrime fokusohet në totalitarizmin shqiptar i ballafaquar me regjimet diktatoriale në ish Lindjen komuniste, mënyrën se si janë ndarë ato shoqëri nga e kaluara e hidhur dhe se si është vepruar në Shqipëri; si funksionojnë institucionet e posaçme me individë që janë përfshirë drejtpërdrejt në krime njerëzore; sjelljet makiaveliste të qeveritarëve të rinj, rikthimi i pinjollëve të emërtesës komuniste, tjetërsimi i individëve me privilegje në diktaturë e me poste në drejtësi, etj.
Në kapitullin e dytë ‘Politika dhe qeverisja’ autori denoncin krimin në nivelet më të larta të shtetit dhe sidomos në politikë; tjetërsimin e të zgjedhurve përballë votuesve, moralin hibrid të qeverisjes, me theks të veçantë në pushtetin vendor të kryebashkisë së vendit ku anëtarët e këshillit bashkiakë janë edhe drejtorë, zëvëndësministra apo përfitues të llojllojshëm bordesh; përpjekjet e maxhorancës për amnistinë fiskale, zëvendësimin e transparencës me retorikë boshe dhe propagandë, dallimin mes të vërtetës gjyqësore dhe asaj gazetareske, krizën e gjithanshme institucionale, shoqërore, morale, etj.
Kapitulli i tretë ‘Qeverisja dhe siguria publike’ analizon shqetësimet e sigurisë që përjeton vendi ynë gjatë dy mandateve të njëpasnjëshme të qeverisjes së Rilindjes, shtimin e ndjeshëm të numrit të azilantëve, por edhe të kriminalitetit në vendet perëndimore, problemet me tri titullarët e Ministrisë së Brendshme që dalin me problematika të rënda të vetvetes përkundër që duhet të ishin etalon i personaliteteve të paimplikuar, mungesën e koordinimit mes agjencive ligjzbatuese shtetërore dhe kushtetuese, etj.
Duke qenë vetë një ekspert i niveleve të larta në Policinë e Shtetit, madje i kualifikuar dhe specializuar në Francë dhe në disa shtete të tjera, Pëllumb Nako analizon gabimet që janë bërë në këtë institucion, nepotizmin, përfshirjen e disa segmenteve të saj me kontigjentet e rrezikshme të krimit, humbjen e besimit të qytetarëve për të denoncuar, etj.
Problemeve të sigurisë dhe kriminalitetit, Pëllumb Nako iu kushton vëmendje edhe në dy kapitujt vijues, të katërt dhe të pestë, për të vijuar me kapitullin e plotë për policinë dhe atë përmbyllës të librit për Kosovën.
Përtej vlerave të padiskutueshme të këtij libri që duhet të gjendet në bibliotekat personale të politikanëv të të gjitha krahëve, të zyrtarëve dhe titullarëve të dikastereve, Pëllumb Nako, ish zyrtar i lartë i Policisë së Shtetit, është edhe një kontribues i drejtpërdrejt në periudhën kur Shqipëria e para disa viteve bënte përpjekje të mëdha për ta hequr vendin nga harta e zezë e krimit duke përfituar liberalizimin e vizave dhe duke u bërë pjesë e kontributit të përbashkët europian.
Në këtë kuptim ai është një aset profesional i këtij dikasteri, por jo vetëm ai; ka edhe mjaft titullarë të tjerë që kanë dhënë kontribute të ndjeshme në Policinë e Shtetit e megjithatë ata janë fshirë nga qeverisës të majtë e të djathtë, që nuk duan asnjëherë të kemi një polici të ngjashme me vendet euro-atlantike, por të varur dhe shërbëtore të maxhorancave të radhës.
Libri sa është apel për shumë institucione qendrore dhe vendore bart gjithashtu edhe një mesazh për ribërjen e Policisë së Shtetit, me kuadër të plotë ligjor, me paga më të larta në të gjitha nivelet, që nuk do të dijë se kush qeveris sot e kush nesër, ashtu siç ngjet në shumë shoqëri të kontinentit tonë.