Albspirit

Media/News/Publishing

Brunilda Spiro: Dolfi shpirt, shok, vëlla, baba, limani im, shtëpia ime… ku je?

 

 

 

Dolfi shpirt, shok, vëlla, baba, limani im, shtëpia ime… ku je?

U luta për një mundësi të dytë, por kjo flamë të mori dhe më dënoi. Ti erdhe të bëje catinë shtëpisë së të parëve dhe po prehesh pranë tyre tashmë.

Të qoftë dheu i lehtë zemra ime, por unë nuk po gjej dot kurajo për veten dhe të bëhem nënë e baba për dy çupat tona, që i doje aq shumë.

Kjo tragjedi që po ndodh dhe shumë, fatkeqësisht nuk e besojnë, nuk na la as të të shohim të vdekur, por të kemi para syve të gjallë dhe ashtu do jesh ne zemrat tona, i bukur dhe i shtrenjtë, më i shtrenjti baba dhe burrë.

 

Mos fol!

Vetëm më jep dorën!

Fjalët kanë filluar të më dhimbsen

I lodhëm me mërira e inate

Nëse krahë do kishin si dallëndyshe

Do fluturonin shumë larg

Dhe stinën e kthimit do e sajonin njëherë në 100 vjet…

Vetëm më prek!

Mbase prekja kujton prekjen

E dridhet si ne dikur, kur ti ishe një djalë

çapkën e unë një vajzë leshverdhë…

Se u dashkan jo pak, por

220 volt të rizgjohen qelizat si arkiva besnike

për ca si ne, dizajnë me temperaturë të ulët

Që në pranga rutinë e prangosëm pranverën

Dhe të lirë lamë dimrat e ngrirë

Po edhe nëse, të digjemi si dikur kemi harruar

Më merr dorën e në parkun tonë shkojmë sërish!

E sheh stolin tonë të vjetër që një dërrasë e vetme i ka mbetur në mes?

Dy të rinj po puthen si dikur ne, veçse me pak ndryshim

E provojmë edhe ne, se francezët tashmë i kemi miq

Pastaj stolin e djegim që të na ngrohë edhe për shumë vjet

Se sa zjarre ka shuar po aq ngrohtësi ka marrë…

Shëttttt!

Se do na dëgjojnë, bota është plot me njerëz si ne…

Epokat e Tokës ecin brenda të gjithëve

Vullkan, Akullnajë, pastaj thjesht një tog me dhe…

Kujt i duhen fjalët…

Vetëm dëgjo zërat e dashurisë, si nina-nana hyjnore

Që dikush përtej nesh na i këndon

Shoqëruar nga:

Era soliste, shiu bateri dhe gjethet piano…

Please follow and like us: