Ilir Levonja: Mos e vrit veten, motër!
1) Njëra nga gratë e grevës në Ballsh, tentoi të presë damarët. Mos e vrit veten, motër. Jetën ta ka dhënë Zoti dhe duaje. Ju plotësuat burrat. Ndërkohë u kërkuat grave të kuvendit një solidarizim. Ndofta i kujtoni si vetja. Por nuk janë të tilla. Janë lodra duarsh. Dhe me duart bëhen shumë gjëra. Janë të përdoruara si makinat. Ndërkohë edhe shoqërisë. Edhe ajo ishte apatike. Një lloj mendësie sociale e jona që na ka lidhur pas hurit. A një emri. Dhe kjo na ka kërrusur. Shumë kanë frikë. Sepse pushteti tek ne është dhunë psiqike. Të ikën buka e gojës. Shumë as që duan t’ia dinë edhe pse nesër mund të ndërroni vendet. Ne kujtohemi për njëri-tjetrin veçse në hall. Nuk e keni vënë re, kur ikën tjetri kujtojmë ta duam. Duam një fantazmë, duam një krijesë që kaloi gardhin e nuk do na kthehet më. U ka ardhur shpirti në majë të hundës. Nuk keni faj. Megjithëse punoni (me një fjalë burrat tuaj) në një minierë ari të zi, jeni më të varfër se vet varfëria. Mos e vrit veten grua, se të presin në shtëpi. Lufta ka vërtetë viktima, por ka edhe triumfatorë. Radhitu tek kjo anë e mbarë.
2) Sot qeveriu nuk ka pak që njoftoi se ju e hapët krahun. Parimi i tij ishte që nuk ka bisedime pa ndaluar grevën. Nuk e di nëse është i drejtë vendimi juaj. Koha do e tregojë. Megjithatë ai është i lumtur dhe zakonisht lumturia e njëshave është pak mjalt në krye, se më tutje kavanozi ka vetëm farmak. Unë uroj me shpirt të merrni ato që u takojnë, punën e pa paguar prej dy vitesh. Dhe jo vetëm kaq, por dinjitetin e punëtorit të arit të zi. Të punëtorit perëndimor, me të gjitha tagret e duhura, si vjetërsia e siguracioni. Madje të jeni vendimarrës në fatet e uzinës. Puna nuk bëhet me harabela, por me frymën tuaj. Për më tepër që aty përreth jetoni, aty gëzoheni, martoheni e trashëgoheni. A janë këto të arritshme? Absolutisht që po. Mjafton të zhduket kanceri i ekonomisë sonë, informaliteti. Mjafton që uzina juaj të mos jetë laborator në pastrimin e valutës, me ato transaksionet e firmave fantazmë që mbijnë sot e zhduken nesër. Ujku është i lumtur dhe deklaroi lumturisht se do vi tek ju nesër. Por shikoni se çfarë mendje kishte dikur për grevën, protestën dhe qeverinë. Janë nga koha kur ishte një opozitar.
3) “Sali Berisha del dhe thotë sikur të ishte duke i dhënë popullit një lajm të mirë, nuk ka draft, nuk ka marrëveshje, nuk ka zgjidhje, nuk ka gjë në tavolinën time. Po atëherë çfarë bën zotrote në atë tavolinë në rast se nuk ke zgjidhje për këtë krizë që po e rrënon ekonominë , për këtë krizë që po rrënon demokracinë, shtetin e së drejtës, ekonominë? Çfarë bën zotrote në atë tavolinë kur nuk je në gjendje të bësh detyrën minimale? Dhe detyra jote minimale është ti japësh zgjidhje kësaj krize e cila i ka rrënjët tek kutitë e mbyllura të zgjedhjeve të shkuara”.
4) Këto janë fjalët e Edi Ramës. Ose ca syresh. Nga ato lëçitjet e tia në majin e 2010-ës. Atë kohë ai ishte opozitar. I donte grevistët, i donte protestuesit. Bënte grevë urie për kutitë e votimit. Një grevë që do mbahet mend për formën beduine. Që i bashkangjitej strategjive radikale të bojkotit, thirrjeve për rrëzimin me dhunë të qeverisë, grevë urie nga militantët a funksionarë që kishin braktisur Kuvendin. Një grevë ku ai vet nuk u bë pjesë sikur edhe një orë. Dhe që sipas kabllogrameve nga Wikileaks, rezultoi që e bënte për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtare, izoluar qeverinë, për rrjedhojë edhe anëtarësimin në Europë. Të gjitha këto me paratë e fondacionit Shoqëria e Hapur apo siç e njohin shqiptarët, fondacioni Soros. Prandaj kijini parasysh se me kë do flisni.
5) Sa të vërteta janë këto, e pohon vet Rama kur thotë, “ka prej tyre që arrin të thonë se protesta jonë dëmton demokracinë dhe integrimin. Këta janë përgjithësisht një pakicë e cila vetë jeton më mirë se shqiptarët, ata që sot s’kanë asnjë rrugë tjetër përveçse të protestojnë”. Edi Rama, muaji maj 2010. Por kur erdhi në pushtet, protestat e opozitës i cilësoi si shkaktaret kryesore që po dëmtonin imazhin dhe integrimin e vendit. Sot siç e dini Shqipëria që ishte tek dera e zyrës së integrimit, e kanë nxjerrë nga radha fare.
6) Ka edhe kësi pohime: ”Sot kam pasur një diskutim me një qytetar i cili më tha, se si plotë të tjerë, ishte dakord me çka ne kërkojmë, ishte plotësisht dakord se kutitë duhet të hapen, ishte plotësisht dakord se transparenca duhet të jetë parimi i funksionimit të institucioneve shtetërore, të parlamentit, të qeverisë e kështu me radhë. Ishte plotësisht dakord se liria e medias duhet garantuar, por nuk ishte dakord me formën e protestës sonë dhe as me grevën e urisë. Atij qytetari dhe të gjithë atyre që mendojnë si ai u them, në rast se jeni dakord me gjithçka që ne kërkojmë, por nuk jeni dakord me formën se si ne protestojmë, atëherë protestoni në formën tuaj, por mos rrini duke bërë sehir, mos rrini duarkryq, mos rrini larg”.
I tha Edi këto, jo unë. I drejtohej shoqërisë civile. Unë vetëm se po i kujtoj. Dhe kur i kujtoj, ramistët më ngërdheshen.
7) Sa për dijeninë tuaj, ky Edi Rama në kohën e grevave, protestave, për karriken e tij, jo për ekonominë tuaj, jo për fatin e Shqipërisë në Europë, bojkotoi rreth shtaqind e ca ditë Kuvendin. E kam thënë gjithmonë po si opinionist modest që jam nuk para m’i marrin seriozisht llogaritë. Shtaqind e ca ditë bojkot, plot dy vjet, por rroga nuk iu ndërpre asnjë kuvendari të Rilindjes. Nuk ja ndërpreu Jozefina. Kokërr më kokërr pa qënë në punë. Kurse ju, burrat tuaj punonin e nuk paguheshin. Ec e gjeje tani. Ec e uluni të bisedoni me ujkun. Babain e absurdit, të informalitetit, të propogandës. Atij që shemb teatro dhe kthen në muzeume shtëpitë me gjethe, ose strofkullën e spiunëve.