Marrëveshja e Rambujesë për Paqe dhe Vetëqeverisje në Kosovë
Përmbledhje
Kjo është një përmbledhje e draftit të propozuar përfundimtar të Marrëveshjes së Përkohshme për Paqe dhe Vetëqeverisje në Kosovë, e cili u arrit në Rambuje, më 23 shkurt 1999. Teksti i plotë mund të gjendet në shumë adresa në Internet. Teksti përmban kornizën dhe tetë kapituj. Korniza parasheh të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e Kosovës, dispozita të veçanta dhe barazi juridike për bashkësitë kombëtare, deri në shkallën në të cilën këto dispozita të veçanta të mos i rrezikojnë të drejtat e bashkësive të tjera kombëtare apo “sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës Federale të Jugosllavisë” (shprehje kjo e cila në tekst përdoret disa herë). Kjo e përmban po ashtu të drejtën për vetëqeverisje demokratike për qytetarët e Kosovës. Në kornizë thuhet që përdorimi i forcës në Kosovë do të ndërpritet menjëherë, dhe që secili person ka të drejtë të kthehet në shtëpi të vet dhe ta meremetojë pronën e vet. Në të specifikohet e drejta e hyrjes së organizatave ndërkombëtare për ndihma. Personat e ndaluar pa aktakuzë, ose ata të cilët mbahen “lidhur me konfliktin” do të lirohen (sipas kapitullit 7, brenda tri javësh), dhe do të mundësohet puna e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Me përjashtim të personave “të cilët kanë bërë vepra të rënda penale kundër të drejtës ndërkombëtare humanitare”, të gjithë të tjerët do të lirohen në bazë të një amnistie të përgjithshme dhe askush nuk do të dënohet për vepra të ndërlidhura me konfliktin. Liria e shtypit do të jetë e garantuar.
Kapitulli 1, Kushtetuta, e thekson që “Kosova do ta qeverisë vetveten në mënyrë demokratike”, ndonëse RFJ-ja do t’i ruaj kompetencat në këto fusha: integriteti territorial, ruajtja e tregut të përbashkët në kuadër të Republikës Federale të Jugosllavisë, politika monetare, mbrojtja, politika e jashtme (ndonëse Kosova do ta ketë të drejtën që të hyjë në marrëdhënie të jashtme në ato fusha të përgjegjësisë që janë ekuivalente me kompetencat që u takojnë Republikave sipas Kushtetutës së RFJ-së), doganat, taksat federale, zgjedhjet federale, dhe në “fusha të tjera të theksuara në këtë marrëveshje”. Marrëveshja e saktëson strukturën e vetëqeverisjes në Kosovë: Kuvendi me 120 anëtarë (80 të zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe 40 nga bashkësitë kombëtare, sipas kritereve të përcaktuara; ligjet që miratohen nga Kuvendi nuk do të mund të ndryshohen apo modifikohen as nga autoritetet federale dhe as nga ato republikane), Presidenti i Kosovës i zgjedhur nga Kuvendi, Kryeministri dhe Qeveria të miratuara nga Kuvendi, Organet Administrative në të cilat bashkësitë kombëtare do të jenë “të përfaqësuara në mënyrë adekuate në të gjitha nivelet”, Kryeprokurori, Sistemi i Gjykatave i cili përbëhet nga Gjykata Kushtetuese me gjyqtarë nga të gjitha bashkësitë kombëtare, ndërsa një pjesë tjetër zgjidhet nga lista e përpiluar nga ana e Kryetarit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata Supreme, Gjykatat e Qarkut dhe Gjykatat Komunale. Kapitulli i saktëson detyrat e këtyre organeve. Po ashtu, këtu elaborohen edhe të drejtat e bashkësive kombëtare, duke e përfshirë edhe të drejtën për t’i zgjedhur “institucionet për t’i rregulluar çështjet e veta” në Kosovë, për ta “mbrojtur dhe ruajtur identitetin e tyre kombëtar, kulturor, fetar dhe gjuhësor” në mënyra specifike të përcaktuara dhe duke u mbështetur në “standardet ndërkombëtare dhe në Aktin Final të Helsinkit” për qasje të lirë në media, si dhe për t’i financuar aktivitetet e veta përmes kontributeve të anëtarësisë. Kapitulli më tej i thekson të drejtat dhe përgjegjësitë e komunave të Kosovës. Parashihet, po ashtu, një përfaqësim minimal i qytetarëve të Kosovës në Kuvendin Federativ dhe në Kuvendin Kombëtar të Serbisë.
Kapitulli 2, Policia dhe Siguria Civile Publike, përcakton që të gjitha organet e zbatimit të ligjit duhet të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe me procedurat e rregullta. OSBE-së dhe misionit të saj implementues (Shih kapitullin 5) i jepet roli qendror në vëzhgimin dhe në mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit, së bashku me të drejtën për të nxjerrë edhe udhëzime detyruese. Përgjegjësia kryesore për zbatimin e ligjit do të bjerë mbi njësitë e policisë komunale, të udhëhequra nga eprorët vendorë. Policia do të rekrutohet në nivelin lokal. Do të formohet Administrata Gjyqësore si dhe Akademia Policore, Komisioni i të Drejtës Penale, si në nivel të Kosovës, ashtu edhe në nivelin komunal, me qëllim të vlerësimit dhe të dhënies së rekomandimeve lidhur me punën e policisë. Zyrtarët republikanë dhe federativë për zbatimin e ligjit do të mund të veprojnë në Kosovë vetëm në rastet e veçanta të ndjekjes së ndonjë personi që dyshohet të ketë bërë ndonjë shkelje të rëndë penale dhe atë vetëm në rrethana të veçanta. Policia serbe e kufirit dhe zyrtarët federativ e të doganave do të mbeten në vendkalimet ndërkombëtare të kufirit. Kapitulli i përmban, po ashtu, edhe rregullat e ndalimit dhe të burgosjes.
Kapitulli 3, Organizimi dhe Vëzhgimi i Zjedhjeve, i përcakton kushtet e zgjedhjeve dhe kërkon nga OSBE-ja që t’i mbikëqyrë përgatitjet dhe mbajtjen e zgjedhjeve, si në nivelin e Kosovës, ashtu edhe në nivel komunal, si dhe që ta formojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kryetari i Komisionit do të vendos për kohën dhe mënyrën e zgjedhjeve, mirëpo zgjedhjet e para duhet të mbahen brenda nëntë muajsh nga momenti i arritjes së marrëveshjes. Komisioni i miraton rregullat dhe rregulloret e procesit zgjedhor. Me tutje, janë të theksuara përgjegjësitë e Komisionit, si dhe përbërja e tij – Kryetari i emëruar nga Udhëheqësi i Zyrës së OSBE-së, si dhe përfaqësuesit e të gjitha bashkësive kombëtare dhe të partive politike në Kosovë.
Kapitulli 4, Çështjet Ekonomike, fillon me konstatimin që ekonomia do të funksionojë në bazë të parimeve të ekonomisë së tregut të lirë. Në këtë kapitull përcaktohen kriteret për mbledhjen e tatimeve. Këtu bëhet përcaktimi i përgjegjësisë së autoriteteve federale për ta distribuar në Kosovë pjesën proporcionale të të hyrave federale, garantimi i lëvizjes së lirë të personave, mallrave, shërbimeve dhe të kapitalit në dhe nga Kosova, si dhe garantimi i mundësisë për lidhje të kontratave ndërkombëtare për projektet e rindërtimit, po qe se kjo kërkohet. Ky kapitull, po ashtu, merret edhe me çështjen e ripërcaktimit të pronës dhe të mjeteve, në përputhje me distribuimin e ri të kompetencave ndërmjet nivelit federal dhe të atij të Kosovës, dhe e mundëson formimin e Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave, i cili do t’i gjejë zgjidhjet për to. Kapitulli bën fjalë në mënyrë të përgjithshme edhe për kornizën e ndihmës humanitare, rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik. Koordinimi i ndihmës ndërkombëtare i referohet BE-së, ndërkaq UNHCR-së i jipet roli kryesor lidhur me ndihmën humanitare si dhe me lëmenj të veçantë për të cilët parashihet ndihma ndërkombëtare, për shembull, për rindërtimin e shtëpive dhe të infrastrukturës, si dhe për zhvillimin e kornizës institucionale dhe legjislative për ndihmën sociale dhe ringjalljen e ekonomisë vendëse.
Kapitulli 5, Implementimi I, e përcakton strukturën dhe procesin e zbatimit civil të marrëveshjes. Nga OSBE-ja dhe BE-ja kërkohet që ta themelojnë një Mision Implementues (MI). Detyra të MI-së do të jenë mbikëqyrja dhe udhëheqja e zbatimit të pjesëve civile të marrëveshjes, marrja pjesë në mbledhjet e donatorëve, koordinimi i aktiviteteve të organizatave civile të cilat ndihmojnë në këtë zbatim, dhe të ushtruarit e funksioneve që i përkasin policisë dhe forcave të sigurisë. Shefi i Misionit Implementues do ta udhëheq, nga zyra e Presidentit të Kosovës dhe nga Parlamenti i Kosovës, Komisionin e Përbashkët me përfaqësuesit nga niveli federativ dhe republikan, dhe me përfaqësuesit e të gjitha bashkësive kombëtare në Kosovë. Këshille të përbashkëta po ashtu mund të themelohen “për zgjidhjen joformale të ngatërresave,” në nivel të Kosovës dhe në nivelin lokal. Kapitulli i përsërit dispozitat zgjedhore nga Kapitulli 3, si dhe rolin e OSBE-së. Më tutje, nga autoritetet federale kërkohet që, nën mbikëqyrje të OSBE-së, ta bëjnë regjistrimin e popullsisë në Kosovë. Aprovohen të gjitha ligjet dhe rregulloret në fuqi që janë në përputhje me marrëveshjen, “përpos dhe përderisa të zëvëndësohen me ligje dhe rregullore të miratuara nga organet kompetente”. Po ashtu, shfuqizohet gjendja e jashtëzakonshme.
Kapitulli 6, Ombudsmani parasheh ekzistimin e një Ombduspersoni i cili do ta mbikëqyrë mbrojtjen e të drejtave të njeriut si dhe të të drejtave të pjesëtarëve të bashëksive kombëtare. Ombudsmani do të propozohet nga ana e Presidentit, nga lista e kandidatëve të propozuar nga Kryetari i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe do të zgjedhet nga Parlamenti i Kosovës me mandat tre vjeçar. Ky nuk duhet “të jetë qytetar i asnjërit nga shtetet apo entitetet që kanë qenë pjesë e ish-Jugosllavisë dhe as i ndonjë shteti fqinj”. Ai apo ajo mund të veprojë sipas inciativës së vet ose në bazë të ndonjë pohimi për shkelje të të drejtave të njeriut të cilat janë përmendur më lart, dhe do të publikojë vlerësime në formë të raporteve me shkrim. Përcaktohet edhe procedura për mënyrën e veprimit në rastet e mospërmbushjes së rekomandimeve të Ombudsmanit.
Kapitulli 7, Implementimi II, përmban dispozitat e implementimit ushtarak. Ky i referohet sovranitetit dhe integritetit territorial të RFJ-së. Kapitulli fillon me kërkesën e cila i bëhet Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që në bazë të Kapitullit VII ta miratojë një rezolutë në mbështetje të kapitullit për implementim, duke e përfshirë këtu edhe kërkesën për themelimin e një force ndërkombëtare shumëkombëshe për zbatimin e këtij kapitulli (KFOR). Ky i bën thirrje NATO-s që ta udhëheq këtë forcë, ndërkohë që do të mund të marrin pjesë edhe shtete të tjera. Palët ndërluftuese pajtohen që të heqin dorë nga të gjitha llojet e armiqësive. Kufiri ndërkombëtar i RFJ-së do të demilitarizohet me përjashtim të rojeve kufitare. Kapitulli e parasheh mënyrën se si forcat e pranishme në Kosovë do të rivendosen, tërhiqen apo demilitarizohen. Brenda afatit kohor prej pesë ditësh forcat ushtarake jugosllave do të risistemohen nëpër 13 rajone të Kosovës, e i cili proces saktësohet në Aneksin e kapitullit. Brenda tridhjetë ditësh do të përpilohet plani i detajuar për tërhqjen e tyre nga Kosova. Brenda 90 ditësh do të tërhiqen gjysma e personelit dhe e pajimeve ushtarake, si dhe “të gjitha mjetet përkatëse ofensive”. Po ashtu brenda 90 ditësh, kompetencat lidhur me depot ushtarake do të kalojnë në duar të KFOR-it, ndërkaq, brenda 180 ditëve do të bëhet tërheqja e plotë e të gjitha forcave ushtarake jugosllave. Të vetmit pjesëtarë të forcave jugosllave të cilët do të mbesin do të jenë rojet e kufirit dhe këta do të jenë të kufizuar në numër, në vendqëndrim, në detyra dhe në pajisje. Forcat ajrore si dhe ato të mbrojtjes kundërajrore duhet të tërhiqen brenda dhjetë ditësh. Kapitulli e përmban edhe planin kohor të kantonizimit (në 37 vende, e që saktësohet në Aneksin A), si dhe tërheqjen e forcave jugosllave të sigurimit në afat prej më së tepërmi një viti, e i cili mund të vazhdohet, me vendim të komandantit të KFOR-it, edhe për një vit tjetër. Nga “forcat e tjera” (me çka kryesisht mendohet në UÇK-në), kërkohet që “të përmbahen nga veprimet armiqësore, stërvitjet e formacioneve ushtarake, organizimit të demonstratave, dhe nga çdo lëvizje në të dyja anët e kufirit, apo nga kontrabanda nëpër kufijt ndërkombëtarë si dhe nëpër kufijt ndërmjet Kosovës dhe pjesëve të tjera të RFJ-së”. Kërkohen, po ashtu, edhe mosmbajtja e armëve në zona të caktuara dhe demilitarizimi në afatin e përcaktuar nga komandanti i KFOR-it. Brenda pesë ditësh ata duhet t’i braktisin të gjitha pozicionet luftarake dhe t’i caktojnë vendet për grumbullimin e armëve, në të cilat brenda 30 ditësh do të grumbullohen të gjitha armët e rënda. Demilitarizimi i plotë duhet të përfundohet brenda 120 ditësh. 30 ditë pas hyrjes së marrëveshjes në fuqi, i gjithë personeli i cili nuk është me prejardhje vendore duhet të tërhiqet nga Kosova. Mandati i KFOR-it, më tutje, përcaktohet kryesisht që “t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e domosdoshme për t’iu përmbajtur” kapitullit. Kjo e nënkupton të drejtën për “reagim të shpejtë ndaj çdo shkeljeje, po qe se është nevoja edhe duke e përdorur forcën ushtarake”. KFOR-i, po ashtu, e merr përsipër edhe detyrën që t’i mbështesë organizatat e tjera për zbatimin e pjesëve të tjera të marrëveshjes, duke e përfshirë këtu edhe krijimin e sigurisë. Statusi juridik, të drejtat dhe detyrat e KFOR-it, janë të saktësuara në Aneksin B. Kjo e nënkupton respektimin e ligjeve të RFJ-së, përjashtimin nga rregullat për pasaporta dhe viza, të drejtën për t’i mbajtur uniformat dhe emblemat e NATO-s, flamujt e vendeve të tyre, imunitetin ligjor, përjashtimin nga taksat dhe obligimet e tjera, përdorimin falas të infrastrukturës dhe të objekteve të tjera komunikuese, si dhe të drejtën për ta angazhuar në punë personelin lokal. Shtojca, po ashtu, e përmban edhe klauzolën, sipas të cilës “personeli i NATO-s me automjetet, anijet, fluturaket dhe pajisjet e tjera, do ta ketë të drejtën e kalimit të lirë dhe të papenguar, dhe, po ashtu, edhe qasje të papenguar në të tërë RFJ-në”. NATO-ja “do të jetë subjekti i vetëm i cili do ta ketë kompetencën për t’i përcaktuar rregullat dhe procedurat lidhur me komandën dhe kontrollimin e hapësirës ajrore të Kosovës, si dhe të 25 kilometrave të zonës së përbashkët të sigurisë”. Do të themelohet, po ashtu, edhe Komisioni i Përbashkët Ushtarak, i kryesuar nga komandanti i KFOR-it apo personi i autorizuar prej tij, dhe nga komandanti ushtarak i Jugosllavisë, ministrat e brendshëm republikan dhe federativ, përfaqësuesit ushtarak të forcave të tjera, përfaqësuesi i Misionit Implementues dhe “persona të tjerë që do të caktohen nga KOMKFORI, duke e përfshirë këtu edhe një apo më tepër përfaqësues të udhëheqjes civile të Kosovës”. Ky do ta këshillojë Komandantin e KFOR-it, dhe do t’i shqyrtojë ankesat ushtarake, si dhe çështjet e problemet që kërkojnë që vendimet të mirren nga komandanti.
Kapitulli 8, i përshkruan mënyrat se si mund të bëhen ndryshimet në këtë marrëveshje, dhe e deklaron që pas tri vitesh duhet të mbahet një konferencë ndërkombëtare “për ta përcaktuar mekanizmin lidhur me zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës, në bazë të vullnetit të popullit, opinioneve të autoriteteve relevante, angazhimeve të palëve për jetësimin e marrëveshjes dhe Aktit Final të Helsinkit.” Kjo konferencë, po ashtu, “do të angazhohet për një vlerësim të gjithanshëm të zbatimit të kësaj marrëveshjeje” dhe “do t’i shqyrtojë propozimet e secilës palë për masa plotësuese” .