Ndue Ukaj: Formula e Pagëzimit, dokumenti i parë i shqipes së shkruar
Si sot, para 558 vjetëve, është shkruar Formula e Pagëzimit, dokumenti i parë i shqipes së shkruar.
Duke e kujtuar këtë ngjarje me rëndësi të madhe për gjuhën dhe shkrimin shqip, Dom Gjergj Meta sot ka dhanë një propozim, që kjo ditë të shpallej si Dita Kombëtare e Gjuhës Shqipe. Ky propozim duhet përkrahur, duke ditur rëndësinë gjuhësore dhe kulturore të kësaj fraze në historinë e gjuhës dhe të shkrimit shqip.
Gjuha është shprehja e parë e kombësisë – shkruante Mitrush Kuteli, ndërkaq për kombin tonë përbën paradigmën themelore të identitetit kombëtar.
Dokumenti i parë i shkruar në gjuhën shqipe është shkruar me 8 nëntor 1462 nga Pal Engjëlli, argjipeshkvi i Durrësit dhe bashkëpunëtor i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit. Teksti i kësaj fraze praktikohet në liturgjinë kishtare, për pagëzim të fëmijëve dhe njihet në këtë formë: “Unte paghesont premenit Atit et birit et spirtit seint”.
Kjo frazë e shkurtër, qëndron mes një shkrimi të gjatë në latinisht prej 37 faqesh.
Vlera e kësaj fraze, nëpër kohë, natyrshëm ka tejkalua karakterin dhe funksionin e saj primar dhe është bërë paradigmë kulturore e identitare në kulturën e shkrimit shqip, duke u pasuar me një korpus të gjerë tekstesh letrare, që janë krijuar në lidhje të fuqishme me Biblën dhe kulturën biblike.
Heronjtë e gjuhës dhe të kulturës shqiptare përgjatë shekujve të mëvonshëm janë ata prijës që shkruan ‘en sëh dashunit së botës sënë (Gjon Buzuku) dhe nuk lejuan që të dvarej gjuha e dija shqipe (Pjetër Bogdani), si shprehja e parë e kombësisë, por i kënduan asaj, ashtu siç bëri Gjergj Fishta në poezinë e bukur ‘Gjuha shqype’ , por edhe shumë autorë të tjerë.
Në pesë shekujt e ekzistimit të letërsisë shqipe, me gjuhën si tipar shënjues shkrimi, Bibla dhe kultura biblike, kanë influencuar në masë të madhe qenien e letërsisë shqiptare, si në aspektin tematik, semantik, po ashtu edhe në atë stilistik e estetik.
Poezia, proza dhe dramaturgjia shqipe e kanë shfrytëzuar Biblën si një rezervat kulturor, duke krijuar kështu një lidhje organike me letërsinë perëndimore, e cila siç, ka shkruar studiuesi Northrop Fray “është e ndikuar nga Bibla më shumë se nga çdo libër tjetër”.
Letërsia shqipe, prej Buzukut, Budit, Bogdanit e Bardhit, me autorët e mëdhenj të Rilindjes dhe të periudhës së Pavarësisë Kombëtare dhe me autorët e rëndësishëm modernë, Ismail Kadare, Martin Camaj e Anton Pashku, Frederik Reshpja e ruan një lidhje të fuqishme me Biblën dhe kulturën biblike.
Formula e Pagëzimit, simbolikisht qëndron në themlet e kësaj kulture, dhe duket sikur e ka vulosur këtë lidhje.