Nelson Mandela: Përkrah Kosovës dhe kundër terrorizmit shtetëror
Fjala e ish-presidentit Nelson Mandela, lexuar para Komisionit të Pavarur Ndërkombëtar në Seminarin Përfundimtar për Kosovën, në Universitetin e Uituatwrsrandit, Afrikë e Jugut, 25 gusht, 2000
Në fjalën e tij të hapjes në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator 1999, Sekretari i Përgjithshëm, Kofi Anan, u angazhua për ndërhyrje të OKB në rastet e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut. Ne e dimë se vetëm disa shtete i përkrahën qëndrimet e Sekretarit të Përgjithshëm, për më tepër, edhe më pak e mbështetën qendrimin e Suedisë që “ndërgjegja kolektive e njerëzimit kërkon veprim”. Ngurrimi i një numri shtetesh mund të jetë mbase edhe i kuptueshëm, kur të merret parasysh lodhja nga ndërhyrjet ushtarake të bëra me lehtësi; por ne të gjithë duhet të shprehim admirim për vendosmërinë e Sekretarit të Përgjithshëm Anan dhe të Suedisë për ndalimin e konflikteve që vazhdojnë të pllakosin aq shumë rajone të botës sonë. Prandaj, nuk është për befasi që të dyja palët i dhanë përkrahje Komisionit të Pavarur Ndërkombëtar për Kosovën – komision ky i krijuar për t’i vlerësuar zhvillimet në Kosovë. Si Kryeministri Person ashtu edhe Sekretari i Përgjithshëm Anan janë të besimit që për t’i dhënë fund një konflikti, atë duhet ta njohim më mirë. Ne duhet t’ia bëjmë me dije Sekretarit të Përgjithshëm Anan, që në kohën kur angazhimi për paqe kërkon më shumë përgjegjësi në radhët e disa shteteve dhe organizatave ndërkombëtare për veprimet e tyre, ne e konsiderojmë fat atë që në krye të Organizatës së Kombeve të Bashkuara e kemi një njeri si ai. Dhe, në veçanti ne afrikanët, mburremi me të. Përpjekja për paqe ka krijuar nevojën për edhe më tepër dialog në planin ndërkombëtar. Raporti i Komisionit për Kosovën do të ofrojë një vlerësim të pavarur të konfliktit e të ndërhyrjes ushtarake, e cila do të ndihmojë në përparimin e dialogut ndërmjet të gjithë udhëheqësve, dijetarëve dhe palëve të interesuara. Është me rëndësi jetike që ne marrim pjesë në një diskutim të një diskursi të këtillë. Shekulli që jemi duke e lënë pas ishte përplot me luftra dhe konflikte të mëdha. Duke e filluar shekullin e ri, këto konflikte duhet t’i kuptojmë më mirë, që të nxjerrim mësime për të ardhmen tonë. Ne e vlerësojmë si shumë me vend që Komisioni për Kosovën ka vendosur që mbledhjen dhe seminarin përfundimtar për Kosovën t’i mbajë pikërisht këtu, në Afrikë të Jugut. Po ashtu është me vend që si temë e këtij seminari u zgjodhën mësimet që duhet nxjerrë nga rasti i Kosovës, që ato të përdoren për raste të konflikteve në rajonet siç janë Afrika e Azia. Meqë nuk e besojmë atë që është vetëm mungesa e njohurive në Bashkësinë Ndërkombëtare ajo e cila e shkakton ngurrimin për të vepruar në ndaljen e konflikteve në Afrikë, ky trajtim jo i njëjtë medoemos kërkon vëmendje të veçantë. Prandaj, Komisioni për Kosovën mund ta luajë në rol të rëndësishëm duke e trajtuar edhe këtë çështje. Tash është bërë aq e rëndomtë të flitet për dështimin e Bashkësisë Ndërkombëtare për të ndërhyrë dhe për ta ndalur gjenocidin në Ruandë, sa që pothuaja harrohet që kjo mospërfillje relative e Afrikës në këto çështje është shumë më e përgjithshme sesa vetëm në rastin e Ruandës. Për shembull, në kohën kur NATO-ja po bëhej gati për ndërhrje në Kosovë, Sierra Leone dukej faktikisht si një vend i lënë pa vëmendje ndërkombëtare fare. Deri sa në Sierra Leone po bëheshin krime, Nigeria, duke u mbështetur në mandatin paqeruajtës – ECOMOG i dërgoi trupat e saj, mirëpo armatimet, fondet, komunikimet dhe të dhënat e inteligjencës, të premtuara nga fuqitë perëndimore nuk u materializuan. Madje edhe pas përfundimit të gjenocidit në Ruandë, Bashkësia Ndërkombëtare kishte dhe ka më tepër mundësi që të ndërmarrë diçka, në vend që vetëm të pendohet për dështimin e saj. Dinamikat që e ndezën gjenocidin në Ruandë, edhe sot e tutje vazhdojnë të jenë aktive në konfliktet e vendeve fqinje, si në Burundi dhe në Republikën Demokratike të Kongos. Ne nuk jemi duke e thënë që këto konflikte, si dhe konfliktet e tjera afrikane, duhet të zgjidhen sipas një mostre të njëjtë për zgjidhjen e konflikteve, apo që aksioni që u ndërmor në Kosovë duhet të transplantohet në konfliktet e këtij kontinenti. Megjithkëtë, ne në Afrikë dhe në Azi duhet ta shprehim admirimin për gatishmërinë dhe vullnetin e një pjese të Bashkësisë Ndërkombëtare për intervenim dhe për dhënien e mjeteve për rindërtimin e shoqërisë kosovare. Andaj është në veçanti inkurajuese për ne që ta theksojmë interesimin e Bashkësisë Ndërkombëtare për procesin paqësor në Burundi, ku ne e kemi rolin kryesor që nga fillimi i këtij viti, dhe ku jemi duke u angazhuar të frymëzuar nga vepra e shquar e Mwalimu Julius Nyereres. Një numër i udhëheqësve nga Afrika edhe nga Bashkësia e gjerë Ndërkombëtare, e kanë ndarë një pjesë të kohës së tyre që të marrin pjesë në disa nga sesionet plenare të procesit paqësor të mbajtur në Arusha. Të hënën, më 28 gusht, do ta kemi edhe një mbledhje të tillë plenare tjetër, kësaj here me shpresë për ta nënshkruar marrëveshjen paqësore. Edhe njëherë disa kryetarë të shteteve dhe të qeverive, ose përfaqësues të tyre, do të mblidhen bashkërisht për ta bërë të qartë interesin e ripërtëritur të botës për çështjet e Afrikës. Edhe më inkurajuese janë paralajmërimet nga udhëheqësit perëndimorë, të cilët tashmë e kanë shprehur vullnetin e tyre për ta ndihmuar në mënyrë aktive rindërtimin dhe zhvillimin e ekonomisë së Burundit, menjëherë pasi të nënshkruhet marrëveshja paqësore. Ne do t’i vazhdojmë në mënyrë aktive përpjekjet për mobilizimin e Bashkësisë Ndërkombëtare rreth këtij projekti. Ne dëshirojmë që Burundi të bëhet një shembull i paqes e cila vjen si rezultat i arritur përmes veprimeve të Bashkësisë Ndërkombëtare. Në të kaluarën, shpesh herë kemi komentuar se në botën bashkëkohore të globalizimit, ne vërtet jemi duke u përkujdesur përsëri për vëllaun apo për motrën. Fshati global nuk mund të jetë hiç më tepër sesa depërtim dhe qasje në tregje; ai gjithsesi duhet ta përfshijë edhe atë që sëmundjet dhe fatkeqësitë e njërit të jenë shqetësim për të gjithë. Fjalët që po i themi sot këtu janë për t’i dhënë mbështetje Komisionit për Kosovën, si një vegël potencialisht e fuqishme për ta afirmuar dhe konsoliduar ndjenjën e unitetit mes nesh. Duke arritur ta kuptojmë atë pjesë destruktive të njerëzimit që ka shkaktuar aq shumë dhembje e vuajtje përgjatë tërë historisë sonë, ne mund të përparojmë drejt të kuptuarit se kemi aq shumë gjëra të përbashkëta, si të mira ashtu edhe të këqija. Bashkërisht dhe vetëm bashkërisht, ne mund ta bëjmë botën një vend me të mirë për fëmijët tanë…