Eva Vatoci: Pandemia, merrni masa për Tropojën sa nuk është vonë!
Tropoja, vendlindja ime është nën pushtimin e virusit me shifrat më të larta të të infektuarve. Me keqardhje duhet pranuar realiteti, por është shumë e rëndësishme që të jemi të ndërgjegjshëm për kujdes dhe respektimin e rregullave. Ndërkohë, aktualisht në Tropojë, çdo gjë duhet të ishte e mbyllur, madje shumë aktivitete e dasma duhet të ishin anuluar si kudo tjetër nëpër botë, ashtu sikurse dhe në rastet më të vështira në humbjen e njerëzve tanë të dashur shoh që grumbullimi i njerëzve është mbi normën e lejuar të rregullores.
I bëj thirrje publike të çdo institucioni që mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë, që të ndërhyjë sa më parë dhe të vendos rregull dhe mbikëqyrje ashtu siç e kërkon ligji. Ndaloni së lejuari restorante apo lokale të posaçme të ushtrojnë aktivitetin e tyre deri në orët e para të mëngjesit duke serivirur alkool e shisha deri në papërgjegjshmëri.
Vërtet që ligji nuk po vepron si gjithnjë, por ky vend ka qytetarët e tij që i dalin për zot të vërtetës sepse ky është vendi ku jetoj unë së bashku me të gjithë ju dhe do i shkoj deri në fund të hetimit dhe ecurisë së gjendjes aktuale të Tropojës sepse më dhemb kur e shoh qytetin tim nën udhëheqjen e mediokërve që nuk bëjnë as punën e tyre që u takon, duke na dorëzuar në duar të vdekjes.
Çfarë bën shteti në këtë rast?
Pra shteti të marrë të gjitha masat për respektimin e aktit normativ. Asnjë marrje masash që vë jo vetëm në panik jetën e tropojanëve, por është një trishtim i pajustifikueshëm që po ndodh.
Me shpresën e madhe që të merren masat sa më parë, unë do vazhdoj do të denoncoj publikisht shkeljet e kësaj kategorie ku në kryefjalë është jeta dhe mirëqenia e jetës sonë.
Bëj thirrje publike për mbylljen e të gjitha ambienteve të tjera publike ku përbën tubim njerëzish.
Mendoni për prindërit tanë, e mos luani me fatin e jetës sonë!
Jam shumë e merakosur për shëndetin e prindërve të mi, por dhe të gjithë njerëzve të dashur dhe të të gjithë tropojanëve në moshë të thyer.
A nuk ju mjafton që çdo ditë po humbim kaq shumë njerëz? – Ndaloni sa jeni në kohë dhe merreni masat e duhura ose jepni sa më parë dorëheqjen.
* Eva Vatoci, juriste në Gjykatën e Tropojës