Ksenofon Krisafi: Dëshmi shokuese për krimet serbe në Kosovë
Në kanceleritë e organeve të ndryshme të OKB dhe organizatave të tjera ndërkombëtare gjenden tonelata me dokumente që flasin për mizoritë serbo-jugosllave ndaj popujve të ish Jugosllavisë, në pragun e shpërbërjes së saj, doemos përfshirë edhe Kosovën.
Një pjesë e mirë e tyre shqyrtohej kohë pas kohe në KDNj dhe në organe të tjera, ose iu viheshin në dispozicion shteteve anëtare, për t’u informuar me dinamikën e zhvillimeve në terren. Midis tyre, me rëndësi të veçantë ishte një dokument që përshkruante me realizëm dhe me bollëk të madh faktesh e të dhënash të mbledhura në terren, realitetin kriminal në Jugosllavi, posaçërisht në Kosovë. Është fjala për Raportin e Komisarit të Lartë për të Drejtat e Njeriut mbi situatën e të drejtave të njeriut në Kosovë (Republika Federale e Jugosllavisë), nga i cili do të botohen disa nga pjesët më domethënëse.
HYRJE
Situata e të drejtave të njeriut në Kosovë kohët e fundit ka qenë temë e vëmendjes së vazhdueshme të anëtarëve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe bashkësisë ndërkombëtare. Në fillim të krizës, në mars 1999, Komisarja e Lartë nisi një të dërguar personal në këtë zonë së bashku me Z. Jiri Dienstbier, Raportuesin e posaçëm. Komisarja e Lartë krijoi gjithashtu Operacionin e Emergjencës në Kosovë (KEO) me vendndodhje në Shqipëri, ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe në Podgoricë (Mali i Zi, Republika Federale e Jugosllavisë (RFJ)).
Qëllimi ishte pasqyrimi i situatës së të drejtave të njeriut në Kosovë si dhe mbledhja e informacioneve të dorës së parë për shkeljet e konstatuara me qëllim evidentimin e tyre. Gjatë sesionit të pesëdhjetë e pestë të Komisionit, Komisarja e Lartë paraqiti raporte javore për evoluimin e situatave. Që nga mbyllja e punimeve të Komisionit, ajo e ka vizituar rajonin në dy raste…
GJETJET E OPERACIONIT TË EMERGJENCËS NË KOSOVË
- OHCHR-KEO kërkoi të intervistojë refugjatë me prejardhje të ndryshme gjeografike, me synimin për të patur një tabllo të përgjithshme të situatës së të drejtave të njeriut në Kosovë. Për të qenë në gjendje të verifikojnë faktet dhe raportimet e shkeljeve, të vërtetojnë dëshmitë dhe të rindërtojnë rastet e shkeljeve, janë bërë përpjekje edhe për të intervistuar një numër të arsyeshëm refugjatësh nga çdo vendndodhje gjeografike…
- Prej çastit që u larguan nga shtëpitë e tyre deri kur kaluan kufirin në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë ose në Shqipëri, refugjatët përjetuan një odise nëpër malet dhe fshatrat e Kosovës, duke u bërë dëshmitarë ose viktima të shkeljeve të panumërta të të drejtave të njeriut. Duke kryer intervista të thelluara, OHCHR ka synuar të marrë një pasqyrë të plotë për ngjarjet e dëshmuara nga të intervistuarit dhe keqpërdorimet që kanë pësuar.
- Zhvendosja dhe dëbimi i shqiptarëve etnikë nga Kosova
- Shkeljet e të drejtave të njeriut ishin ndër shkaqet kryesore të eksodit masiv të më shumë se 1 milionë shqiptarëve etnikë nga Kosova…
9… shumë të intervistuar raportuan gjithashtu se një fushatë gjithëpërfshirëse dhe sistematike e dëbimit nisi në fund të marsit nga njësitë ushtarake dhe policore serbe në lagjet kryesisht shqiptare të Prishtinës Dragodan (Arberia), Vranjevac (Kodra e Trimave), lagja spitalore, etj. dhe fshatrat fqinje.
- Në shumicën e rasteve shqiptarët u dëbuan nga banesat e tyre gjatë bastisjeve të kryera nga forcat serbe në çdo shtëpi… Shumë të intervistuar raportuan se u shoqëruan në stacionin hekurudhor dhe pastaj u detyruan të merrnin trenat për të shkuar në kufi… Në mes të prillit, forcat serbe filluan një ofensive të madhe në këto rajone, të mirënjohura si bastione të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Banorët dhe popullata e madhe e personave të zhvendosur kanë qenë në shënjestër të drejtpërdrejtë dhe sulmet kanë rezultuar me një numër të madh të viktimave civile. Në fshatrat Mramor dhe Koliq shumë civilë vdiqën si pasojë e kësaj ofensive.
- Shqiptarët etnikë u zhvendosën me forcë nga komuna e Podujevës me metoda të ngjashme me ato të përdorura në komunën e Prishtinës. Në qytetin e Podujevës, trupat serbe dëbuan shqiptarët nga shtëpitë e tyre me armë, ndërsa një numër i konsiderueshëm fshatrash me popullsi kryesisht shqiptare, Bradas (Bradash), Donja Dubnica (Dumnica e Poshtme), Donja Pakastica (Pakashticë e Poshtme), Hrtica (Herticë), Majance (Majac) etj.u bombarduan dhe më pas u shkatërruan nga forcat e këmbësorisë. Këto operacione u ndërmorën në mënyrë sistematike në periudhën mars/prill dhe shkaktuan një fluks të madh të personave të zhvendosur të pyetur në rajonet Lap dhe Golak…
- Në Mitrovicë, menjëherë pas fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s, u vunë në shënjestër intelektualët dhe aktivistët politikë shqiptarë, sipas një liste të parapërgatitur nga policia me ndihmën e civilëve serbë…
- Më 15 prill policia serbe dhe forcat paraushtarake filluan një operacion të gjerë spastrimi etnik në qytetin e Mitrovicës dhe në fshatrat përreth. Rreth 70,000 shqiptarë u grumbulluan në qendër të Mitrovicës dhe eventualisht u detyruan të ecnin disa ditë drejt kufirit shqiptar, të shoqëruar nga trupat paraushtarake. Kur karvani arriti në Gremnik, trupat paraushtarake urdhëruan mijëra prej të zhvendosurve të ktheheshin mbrapsht në Mitrovicë ndërsa të tjerët u dëbuan në Shqipëri.
- Që nga fillimi i majit, trupat paraushtarake filluan të bombardonin shtëpitë shqiptare në Mitrovicë dhe në fshatrat përreth. Njerëzit u grumbulluan në numër të madh dhe të rinjtë u arrestuan, u morën në pyetje dhe disa u dëbuan me autobus në Shqipëri.
- Pak ditë para fillimit të fushatës ajrore të NATO-s, grupet paraushtarake filluan një ofensivë kundër disa fshatrave në komunën e Rahovecit… Gjatë ofensivës banorët dhe personat e zhvendosur që strehoheshin në këtë zonë u dëbuan me forcë nga shtëpitë e tyre dhe, në disa raste, u urdhëruan duke u kërcënuar që të largoheshin për në Shqipëri…
- Thuhet se disa mijëra të persona të zhvendosur (vlerësimet varionin nga 20,000 në 40,000) u grumbulluan në qytetin e Belanicës dhe u penguan të largoheshin nga sulmet e ndërmarra ndaj fshatrave në zonat e afërta (Ndër të tjera ishin fshatrat Malisevo (Malishevë), Dragobilje (Dragobil), Ostrozub (Astrazup). Në fillim të prillit, forcat serbe hynë në Belanicë dhe i detyruan banorët dhe personat e zhvendosur që të ecnin në këmbë drejt kufirit shqiptar… 19. Në mesin e prillit, forcat e ushtrisë dhe policisë së bashku me serbët lokalë filluan një ofensivë kundër disa fshatrave në zone (Smolusa (Smallushë), Marevc (Marec), Glavica (Gllavicë), Oklap (Akllap) dhe Slovinje (Sllovi). Forcat serbe dogjën sistematikisht shtëpitë shqiptare.
- Në Ferizaj, policia synonte intelektualët shqiptarë, kryesisht udhëheqësit e sindikatave, gazetarët, anëtarët e shquar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe aktivistë të mbrojtjes të të drejtave civile… Zyra e LDK-së, ajo e organizatës joqeveritare “Nënë Tereza” dhe zyra e mëparshme e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) u hodhën në erë. Në fund të marsit disa nga lagjet e Ferizajt u bombarduan nga forcat e rregullta të ushtrisë jugosllave (VJ), ndërsa trupat ushtarake serbe kryen kërkime në një pjesë tjetër të qytetit, duke dëbuar njerëzit dhe më pas duke iu vënë zjarrin shtëpive të tyre.
- Në fillim të prillit, trupat e ushtrisë jugosllave (VJ), së bashku me forcat paraushtarake, ndërmorën një ofensivë masive kundër një numri të konsiderueshëm fshatrash në komunë. Ndër të tjera ishin Kamena Glava (Komogllavë), Zlatare (Zllatar), Staro Selo (Fshat i Vjetër), Biba (Bibaj) dhe Varos Selo(Varosh). Disa fshatra u bombarduan dhe më pas u pushtuan nga këmbësoria paraushtarake, të cilët iu vunë zjarrin shtëpive të braktisura.
- Menjëherë pas fillimit të fushatës së NATO-s, forcat paraushtarake ndërmorrën një ofensivë brutale kundër popullatës shqiptare në qytetin e Suharekës. Njerëzit u dëbuan sistematikisht nga shtëpitë e tyre gjatë një ofensive tre-ditore dhe shumë shtëpi u shkatërruan. Trupat paraushtarake e detyruan shumicën e popullsisë të largohej në drejtime të ndryshme… Forcat serbe bombarduan në mënyrë të përsëritur këto pozicione duke detyruar UÇK-në të tërhiqet dhe grupin e personave të zhvendosur të largohet… Të ardhurit u drejtuan në stacionin e autobusëve dhe u nisëm me autobusë drejt kufirit shqiptar.
- Në maj, grupet paraushtarake kryen shumë bastisje shtëpi më shtëpi, gjatë së cilave ata plaçkitën shumë njerëz dhe disa prej tyre i vranë. Policia ua refuzoi mbrojtjen e kërkuar banorëve dhe personave të zhvendosur të strehuar në qytet. Për shkak të këtyre rrethanave, banorët dhe personat e zhvendosur u imbarkuan në makina për t’u nisur drejt kufirit.
- Në fund të marsit, forcat ushtarake serbe kryen ofensiva të përbashkëta në të gjithë komunën e Skënderajt… rrethuan, bombarduan dhe përfundimisht hynë në Çirez. Personat e zhvendosur u rreshtuan në kolonë dhe u detyruan të shkojnë për në Gllogoc, të shoqëruar nga forcat serbe…
- Në Kaçanik, para 24 marsit, grupet e ushtrisë bombarduan disa fshatra. Shumica e fshatarëve ikën në qytetin e Kaçanikut ose u strehuan përkohësisht në male. Në fund të majit, bombardimet intensive dhe përqendrimi i forcave serbe në zonën e Vate e detyruan të ikte nga fshati popullatën në një karvan të gjatë. Forcat serbe e lanë karvanin të vazhdonte të largohej drejt kufirit, përmes pikave të tyre të kontrollit. Personat e zhvendosur dëshmuan se ndërsa ata po largoheshin nga fshati, forcat serbe hynë në Vate dhe iu vunë zjarrin shtëpive.
- UÇK thuhet se ishte e pranishme në qytetin e Kaçanikut kur filloi fushata e NATO-s. Forcat policore serbe dhe grupet paraushtarake e kontrolluan qytetin për të gjetur aktivistët e UÇK-së dhe intelektualët e tjerë shqiptarë. Si rezultat i këtyre aktiviteteve dhe klimës së përgjithshme të dhunës në qytet, një numër i madh njerëzish ikën në një zonë të kontrolluar nga UÇK-ja në veri të Kaçanikut. Në fund të marsit, Kaçaniku u sulmua nga veriu dhe jugu nga ushtria dhe policia. Sulmi zgjati disa ditë dhe rezultoi në një numër të madh viktimash civile dhe me një eksod masiv të civilëve drejt ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë.
- Nga 24 marsi deri më 2 prill, një operacion i policisë speciale, i nisur nga vetë Gjakova, shkaktoi zhvendosjen e banorëve shqiptarë drejt periferisë dhe fshatrave në jug, si dhe në drejtim të Prizrenit… Më 7 maj, në Cabrat filloi një ofensivë serbe, e cila, sipas dëshmive, konsistonte në një operacion të kombinuar të policisë speciale dhe paraushtarakëve, e karakterizuar nga arrestime masive dhe mbajtja në paraburgim e meshkujve të moshës ushtarake, kryesisht adoleshentë. Ajo u shoqërua nga djegia e shtëpive dhe ekzekutimet në masë gjatë kërkimeve të kryera shtëpi më shtëpi. Nga 7 maji deri më 14 qershor, Gjakova u bllokua plotësisht, popullsia e saj u shtrëngua të mbyllej në zona përqendrimi brenda qytetit, ku policia bëri një regjistrim masiv të banorëve dhe filloi arrestime të përzgjedhura
- Masakrat / ekzekutimet
- Zhvendosja dhe dëbimi i shqiptarëve etnikë nga Kosova është kryer në një klimë paligjshmërie dhe shpërfilljeje totale të jetës dhe dinjitetit njerëzor, që rezultoi me një nivel jashtëzakonisht të lartë të dhunës.
- Sipas disa burimeve dhe zbulimeve të tmerrshme të bëra nga forca ndërkombëtare e sigurisë në Kosovë (KFOR) dhe Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) pas kthimit në Kosovë, deri në 10 000 shqiptarë të Kosovës vdiqën gjatë fushatës së NATO-s dhe disa mijëra të tjerë rezultojnë të zhdukur. Shumica e refugjatëve të intervistuar nga OHCHR treguan se kishin qenë dëshmitarë në të paktën një incident, ku një ose më shumë individë kanë humbur jetën nga vdekje të dhunshme.
- Në disa raste, civilët vdiqën si rezultat i operacioneve ushtarake dhe bombardimeve pa dallim ndaj qyteteve dhe fshatrave. Ishin pikërisht personat vulnerabël, të moshuarit, të paaftit ose ata që nuk donin të linin shtëpitë e tyre, të cilët vdiqën në këto rrethana. Njoftohet, për shembull, se në komunën e Podujevës, avionët serbë nisën dy raketa në një fshat duke vrarë 30 civilë; Në mars, tetë vetë vdiqën si pasojë e shpërthimit të një granate në Prizren. Megjithatë, vetëm një numër i vogël i rasteve të raportuara i referohen incidenteve të kësaj natyre.
- Në rreth 10 për qind të rasteve të raportuara përmenden operacione të orkestruara nga forcat ushtarake, policore dhe paraushtarake me qëllim që të mblidheshin turmat në ikje të shqiptarëve të Kosovës drejt vendeve të veçanta, ku më pas u plaçkitën dhe u ekzekutuan…
- Në pothuajse një të tretën e rasteve të raportuara, janë kryer ekzekutime pa dallim ndaj civilëve kryesisht nga forcat e policisë dhe ato paraushtarake. Në shumicën e rasteve, burra të moshës ushtarake u vranë në postat e kontrollit të policisë, pas paraqitjes së dokumenteve të tyre të identifikimit, sepse ata ishin nga zonat që konsideroheshin si bastionet e UÇK-së. Kur fshatrat dhe qytetet u rrethuan, civilët u bënë viktima të akteve të tmerrshme të dhunës nga ana e forcave ushtarake, policore dhe paraushtarake serbe. Në këto rrethana, shumë individë u plaçkitën, u morën në pyetje, u torturuan dhe, në disa raste, u vranë në shtëpitë e tyre.
- Shqiptarët e Kosovës ishin vënë gjithashtu në shënjestër për shkak të përkatësisë së tyre, reale ose të supozuar, me shoqata politike ose sepse besohej se mbështesnin ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë. Në Kaçanik, serbët dhe policët vendës përgatitën një listë të të gjithë shqiptarëve të lidhur me organizata të ndryshme politike dhe shkuan shtëpi më shtëpi për t’i pyetur. Gjatë këtij procesi u vranë disa njerëz. Një i intervistuar tregoi se në Gjakovë, në fazën e hershme të fushatës së bombardimeve, punonjësit e postës vunë në dispozicion listat e adresave të grupeve dhe individëve të dyshuar. Lidhur me Prishtinën, OHCHR intervistoi një dëshmitar okular për vrasjen e avokatit shqiptar të Kosovës Bajram Kelmendi dhe dy djemve të tij. Ata janë parë duke u marrë nga dy xhipa të bardhë të policisë. Zotit Kelmendi iu kërkua të vriste një nga djemtë e tij dhe kur ai nuk pranoi, atëherë iu kërkua djalit të tij të madh që të vriste babanë e tij, por ai gjithashtu refuzoi. Pastaj oficerët e policisë i kërkuan Bajram Kelmendit se cilin nga djemtë duhet të vrisnin të parin dhe, përkundër thirrjes së dëshpëruar të avokatit, qëlluan dy djemtë e tij dhe, 30 sekonda më vonë, e qëlluan edhe atë. Në Stimlje, babai dhe djali u vranë sepse i kishin dhënë me qira shtëpinë e tyre një zyrtari të OSBE-së. Në Fushë Kosovë dy burra u ndaluan në një pikë të kontrollit policor, ndërsa po riparonin televizionin e tyre dhe u vranë, sepse akuzoheshin se donin të shihnin “sulmet ajrore të NATO-s”. Në Rahovec një i ri u vra për shkak se kishte një emblemë të UÇK-së në portofolin e tij.
- Shumë shqiptarë të zhvendosur të Kosovës, që kishin vendosur të ktheheshin në fshatrat e tyre per të gjetur aty ushqime, sende me vlerë ose të afërmit dhe miqtë që kishin lënë prapa, u vranë nga ushtarët serbë të cilët ishin instaluar në shtëpitë e tyre dhe/ose kishin marrë nën kontroll fshatin. Në Komunën e Gjilanit, më 6 prill, pesë burra që ishin kthyer në fshatin e tyre, u urdhëruan nga forcat paraushtarake të shtriheshin me fytyrë të mbuluar dhe më pas u qëlluan për vdekje. Në komunën e Lipjanit (Smolusa-Smallushë), pas një raundi të parë të zhvendosjes së detyruar, një grup banorësh vendosën të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Grupet paramilitare dhe forcat policore u kthyen në fshat dhe i vranë. Ngjarje të ngjashme u raportuan në Vitina (Viti-Kllokot), në fshatin Gladno Selo (Gllansellё), Vërban (Vërban) dhe Stagova (Stagovo).
- Shumë nga vrasjet e raportuara janë kryer gjatë procesit të zhvendosjes, në atë që dukej se ishte një përpjekje për të mbledhur dhe mbajtur nën kontroll turmat e civilëve të tmerruar dhe për të përshpejtuar procesin e nisjes, si dhe për të treguar vendosmëri dhe për të frikësuar (intimiduar) ata që hezitonin të iknin. Në shumë raste, ishin kryer qitje mbi turmat e civilëve, shtëpitë ishin djegur dhe ata që u përpoqën të arratiseshin u qëlluan dhe u vranë. Në fshatin Gllansellё, komuna e Glogocit, paraushtarakët iu vunë zjarrin shtëpive duke vrarë kështu më shumë se 45 civilë, kryesisht gra të moshuara. Në Suharekë thuhet se gjatë zhvendosjes janë vrarë deri në 350 civilë. Në Prishtinë, ndërsa i shtynin njerëzit drejt stacionit hekurudhor, policia vrau disa civilë.
- Midis vrasjeve të raportuara në Operacionin e Urgjencës (KEO) një numër i konsiderueshëm janë kryer gjatë incidenteve në të cilat forcat policore dhe/ose paraushtarake dhe/ose ushtarake ishin sulmuar nga grupet e personave të zhvendosur që fshiheshin në male ose që marshonin në karvanë drejt kufirit. Ndonjëherë ishte hapur zjarr kundër karvanëve civilë, ndërsa në raste të tjera individët ishin nxjerrë nga turma dhe ishin pushkatuar. Në Grashticë, 30 të rinj u nxorën jashtë një karvani dhe u vranë; Në Kralan, dy gra të plagosura u kërkuan të zbrisnin nga një traktor dhe meqënëse ata nuk mundën për shkak të lëndimeve që kishin marrë, u dogjën të gjalla në traktor; Në Koliç, forcat serbe hapën zjarr drejt një grupi të IDPs, duke vrarë 91 prej tyre.
- Thuhet se një numër i vogël pushkatimesh janë kryer nga forcat serbe në përgjigje të aktiviteteve të UÇK-së si hakmarrje ose raprezalje (ndëshkim) ndaj ofensivave të UÇK-së. Në disa raste duket se civilët që kishin kërkuar mbrojtjen e UÇK-së në male vdiqën si pasojë e luftimeve midis UÇK-së dhe forcave serbe, ose ishin kapur dhe vrarë nga forcat serbe pas tërheqjes së UÇK-së. Në fshatin Vrbovac, komuna e Glogocit, pas tërheqjes së UÇK-së, një grup prej rreth 50 civilësh u kapën, u urdhëruan të mblidheshin në rresht, u torturuan dhe u pushkatuan nga forcat paraushtarake. Në Skënderaj (Srbicë), pas ofensivës së UÇK-së dhe tërheqjes pasuese, u vranë 5 burra të moshuar. Në Pusto Selo (Pastasel) pas luftimeve midis UÇK-së dhe serbëve në zonë, forcat serbe dyshohet se pushkatuan 106 persona pasi i poshtëruan dhe i keqtrajtuan…
- Kufomat e shqiptarëve të Kosovës të pushkatuar ishin varrosur nga civilë (ndonjëherë me kërkesë të shprehur të autorëve), nga ushtarë të UÇK-së, ose ishin marrë nga forcat serbe. Në raste të tjera forcat serbe ishin kthyer në vendin e masakrave, kishin nxjerrë nga toka trupat e varrosur më parë në fshehtësi nga civilët dhe i kishin marrë ato. Shumë refugjatë kishin deklaruar se kishin parë traktorë ose kamionë të ngarkuar me grumbuj kufomash, të drejtuar nga policia serbe në destinacione të panjohura. Komisariati i Lartë ka mbledhur dëshmitë dhe prova dhe ka konstatuar që kufomat ishin djegur qëllimisht, ndërsa në raste të ndryshme forcat serbe janë parë duke gërmuar varre masive. Në fillim të prillit policia është parë të transportojë rreth 40 trupa në Fushë- Kosovë. Në Kaçanik janë parë grupe paraushtarakësh dhe disa romë, të hapnin gropa me buldozerë pas masakrës në “përroin e Reçakut”. Në Sllovjinë, komuna e Lipjanit, forcat serbe varrosën 16 trupa dhe një ditë më pas urdhëruan të afërmit e të ekzekutuarve që t’i zhvarrosinin trupat dhe t’i rivarrosnin në një varrezë. Thuhet se shpesh ishin romët ata që përfshiheshin në transportin dhe varrimin e kufomave. Për shembull, dyshohet se romët varrosnin trupat e shqiptarëve të Kosovës të ekzekutuar në Rezala (Rezallë), komuna e Skënderajt (Serbicës), pasi ishin zhvarrosur nga forcat serbe. Dyshohet se Romët kanë varrosur në Vushtrri, rreth 100 shqiptarë të Kosovës të cilët ishin vrarë nga “snajperët”. Thuhet se në Grasticë, komuna e Prishtinës, disa romë vëzhgonin ngarkimin e një traktori me trupa të vdekur.
- Shumica e vrasjeve të dokumentuara u kryen nga forcat paraushtarake dhe policore me bashkëpunimin ose pjesëmarrjen e ushtrisë… Grupet paramilitare dhe njësitë speciale të policisë u përshkruan si të veshur me kamuflazh ose uniforma të zeza, doreza, maskë të zeza. Disa prej tyre ishin me kokë të rruar, e zbukuronin veten me shall të kuq dhe kishin të stampuar një shenjë të kuqe me një shqiponjë të bardhë në uniformat e tyre. Disa refugjatë i kanë përshkruar në mënyrë të qartë paramilitarët si “trupa të Arkanit”, ndërsa të tjerë kanë raportuar përfshirjen në vrasje të trupave të “Shesheljit”. Disa shqiptarë etnikë pohuan se serbët nga fshatrat fqinje morën pjesë në abuzime kundër tyre. Gjithashtu, mercenarët rusë janë raportuar të kenë qenë të pranishëm dhe aktivë në Kosovë në anën e forcave serbe. Rusët ishin të pranishëm edhe në vende të tjera, në Gllogoc, Gjakovë, Skënderaj (Srbicë).
- Duket se veprimi i trupave paraushtarake u karakterizua nga një nivel shumë i lartë dhune dhe mizorie. Paramilitarët dyshohet se ishin përgjegjës për vrasjet e grave dhe fëmijëve, për therrjen e njerëzve dhe për gjymtimin e trupave të vdekur.