Laura Skënderas: Paradoksi i një draftligji; a është Presidenti i kufizuar në kompetenca?
Tashmë nuk është më e pazakontë që në një shtet demokratik sikurse i yni, ekzekutivi të jetë nismëtar i një sërë draftligjesh, vendimesh etj, që bien në kundërshtim të hapur me Kushtetutën. E në kushtet e mungesës së Gjykatës Kushtetuese, duket se kalvari i akteve të tilla juridike, është mëse i zakontë edhe konstant. Së fundmi, hartimi i një draftligji që në thelb synon një “reformim” të institucionit të Presidentit të Republikës, ka shkaktuar debat.
E natyrisht, propozimi për një ndryshim në kompetencat e Presidentit ka ardhur si shkak i ngjarjeve që kanë qenë ngushtësisht të lidhura me domenin politik gjatë 4 viteve të fundit. Duke filluar me datën e zgjedhjeve vendore, dekretimin e ministrave apo betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese si edhe shpërndarjen e Parlamentit. Në të gjitha këto raste, qëndrimi I Presidentit është shoqëruar me polemika edhe kundërshtime.
Së pari, do të doja të ndalesha te institucioni i Presidentit, si institucion Kushtetues i rregulluar nga nenet 86-94.
Referuar nenit 94 te Kushtetutes: “…Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre që i njihen shprehimisht me Kushtetutë dhe që i jepen me ligje të nxjerra në pajtim me të”. Pra, për rrjedhojë, kompetencat e Presidentit mund të caktohen edhe hollësisht në ligje të veçantë, sikurse draftligji në fjalë me kushtin e vetëm të mos rënies në papajtueshmëri me ligjin themeltar të shtetit.
Natyrshëm lind pyetja: A është kushtetues draftligji në fjalë? A i kufizon kompetencat e Presidentit?
Le të marrim në analizë Nenin 20 të draftligjit i cili parashikon se, nëse Presidenti nuk dekreton Kryeministrin apo nuk e ushtron këtë kompetencë brenda afateve të caktuar në vetë këtë nen, atëhere Kryeministri zgjidhet drejtpërdrejt nga Kuvendi duke zbatuar procedurën e zgjedhjes së Kryeministrit me mocion mosbesimi. E po aq, nëse Presidenti nuk dekreton kabinetin apo programin qeveritar brenda afateve ligjore, atëhere ministrat bëjnë betimin drejtpërdrejt në Kuvend. Kjo padyshim me qëllim shmangien e përsëritjes së rastit të mosdekretimit të 2 ministrave, Gent Cakaj dhe Sandër Lleshaj.
Ndërkohë, paralelisht, gjendet ligji themeltar i shtetit, Kushtetuta që në Nenin 99 të saj parashikon “Para fillimit të detyrës, Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat betohen para Presidentit të Republikës”.
Pra, haptazi, ky nen i draftligjit bie ndesh me Kushtetutën.
Po aq, në mënyrë të paprecedentë, draftligji ka synim parësor shmangien e mundësisë së Presidentit për të shtyrë datën e zgjedhjeve. Kjo vjen si rezultat i situatës së 30 Qershorit për zgjedhjet lokale, të cilat u zhvilluan vetëm me pjesëmarrjen e shumicës drejtuese.
Në këto kushte, pavarësisht parashikimit të Nenit 92/gj të Kushtetutës, i cili i njeh Presidentit të drejtën ekzkluzive të caktimit të datës së zgjedhjeve lokale dhe qendrore Presidentit, draftligji parashikon se, nëse Presidenti nuk e cakton datën e zgjedhjeve sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor, kompetenca i kalon Kuvendit.
Mbetet objekt debati edhe ndryshimi i lidhur me betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kompetencë kjo e Presidentit të Republikës që tashme, draftligji në rast mosorganizimi të ceremonisë për betimin e tyre brenda afatit, këta të fundit do të betohen para Kuvendit, në kundërshtim të hapur me nenin 129 të Kushtetutës.
Sikurse duket gjendemi para një draftligji që shkel jo vetëm kompetencat e Presidentit e po aq edhe Kushtetutën. Një draftligji paradoksal në një kohë kur nevojitet sistem ligjor i qëndrueshëm.