Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: FJALË TË THJESHTA PËR ZBULUESIN E ARIT

Profesor Akeks Vranai me bashkëshorten
Tre miqtë që jemi këtu, në “Bar-Bufe PIQERASI” e kundrojmë detin përkarshi, ramë në mendime të trishta. Njeri nga ne tha se “duan të na vjedhin Heroin”! a, të mos e quajnë kështu dhe të mbetemi vetëm me njerin prej tyre, me Mitron. Pamë njeri-tjetrin, e lamë kafenë të ftohet dhe i kthyem sytë nga godina e djegur e Muzeut në 97-ën. Po ne mburremi edhe me Mitron, edhe me Vasilin. Trima që të dy e që s’i bënë më nëna. Po tjetri tha se “nuk do ta kesh dëgjuar mirë” dhe kështu e lamë. Po mirë,- tha tjetri, u sosën trimat, dje e sot, ata që nuk flasin, që nuk rrahin gjoksin, po janë, si ta themi, “Heronj të heshtur”. E fabulisti, regjisori i dikurshëm (pa “vatër Kulture”) e unë pensionisti i mërguar, numëruam deri dhjetë të tillë. I pari prej tyre qe Aleksi, gjeologu ynë, që e ngrysi jetën nëpër malet e Mirditës, që gjurmonte aty arin… Dhe që e gjeti “qerratai”, e zbuloi atë, arin, që e kishim e që nuk e kemi…!
Me të thënë e me të bërë,-sikundër thonë nëpër proverba, u hodha përpjetë e mora udhën drejt Tiranës, ku jeton i vetmuar “i Arti Aleks”, kapërceva Llogaranë, ende pa filluar të bëhej aty tuneli dhe pa i kaluar të gjashtë orët, ashtu “zhgrap-zhgrup”, me korrierën e linjës, mbrita tek kthesa e Kamzës. Më tej nuk lejohej! Mirëpo, prej andej e deri te Kisha Ortodokse, ku e ka shtëpinë shoku im i vjetër, bashkëfshatari i ndritur,-zbuluesi i harruar i Arit, më duheshin edhe dy orë te tjera. Kishim vite pa u parë, qysh kur i vajta në shtëpi për ta ngushëlluar në ikjen e bashkëshortes, farmacistes shembullore Eleni Xhani, edhe ajo piqerasiote, për në “jetën e përtejme”, së cilës i bëri një shërbim të përsosur e me plot dashuri, deri në çastet e fundit, me shpresën sublime të mundies së sëmundjes së pashërueshme, e cila merrte e merr akoma jeta njerëzish. Se, ta zbuloje arin, qënkish shumë më e lehtë nga shkenca e nga njeriu që e bën shkencën, se sa qe të shpikje bomba, raketa e insekte, apo edhe mjetet mbrojtëse e vaksinat kundër tyre e sëmundjeve që quhen ende “të pashërueshme”!

Aleksi nuk është më shumë se tri vite mbi mua, po kemi të njëjtin shtat e qetësi shpirtërore, duke e mbajtur “të keqen brenda”, fshehur me buzëqeshjen. Ngjitem deri në katin e nëntë, i bie derës dhe e gjej mikun tim, po me atë buzëqeshjen e dikurshme, edhe pse tallazet e jetës kanë bërë punën e tyre. Ai hap derën e ballkonit, nga ana e kishës e menjëherë mbush gotat e rakisë. Gjithçka përreth meje është e rregullt dhe e pastër, me fotografitë familjare të tij, të Elenit e të vajzës dhe , sikur ta dinte se ç’kishte në mendje, pikërisht në ato çaste, ra zilja e telefonit e u degjua të cëcërinte e bija, nga Athina…
Në çaste të tilla, kur të djeg malli nga kohërat që ikën, nga dhimbjet e boshllëku, njeriu do të kujtojë edhe të mirat, po edhe brengat që i varen pas shpirtit të lënduar. Kujtuam mësuesit e Piqerasit me radhë e sidomos atin e tij, mësuesin e vjetër Mitro Vranain që patën paturpësinë ta shpallnin kulak se kishte në shtëpi një rrotë guri lutërvie primitive, për shtypjen e ullirit e bërjen e vajit dhe që, vetëm se ishte i shkëlqyer me mësime, i dhanë të drejëtën të birit të vazhdonte shkollën teknike në Tiranë, të bëhej teknik gjeolog e të merrte më pastaj malet e Mirditës. Por jo që, i biri i kulakut, të vazhdonte për më lartë, sepse i takonte, si i pari i klasës që ishte, me një mendje të ndritur, vullnet e energji. E Vranai ynë, me tre gjeologë të tjerë tanët e një rus që quhej Anatoli Avgustoviç Zvirjuga, u gjend nëpër grykat e Kurbneshit, ku mblidheshin retë e shkrepnin rrufetë e bubullimat. Jetonin nëpër çadra, në behar e në dimër. Ditët i kalonin, duke çapitur nëpër brigje malesh, lugina e rrëpira me një çekiç në dorë dhe natën binin të flinin të lodhur e të këputur. Coprat e para të mineralit të bakrit i gjeti vet, piqerasioti ynë, ky Aleksi që kisha tani përpara meje dhe këtë ai e rrëfen me një buzëqeshje të hidhur… Përse? Ç’kishte ndodhur vallë? Kërkimet e para me sondë do të jepnin atëhere rezultate të shkëlqyera që e kthyen këtë zonë të vdekur në qendrën e vëmëndjes së Udhëheqjes së atëhershme të Partisë-Shtet. Kaq ishte puna dhe këta njerëz do t’i harronin nëpër çadrat e tyre, aty në grykat e maleve ku vërshëllente era…
– Më kujtohet,-thotë Aleksi, i zhytur thellë ndër mendimet e tij se,-prej datës 27 dhjetor 1954 deri më 4 jenar të 1955-ës, ne mbetëm krejtësisht të izoluar nga bora, pa bukë, kemi ngrënë ato që na sollën katundarët e zonës. Vitin e Ri 1955 e festuam me mish të zier me lëng dhe me një grusht arrash seicili, në shtëpinë e Dod Nikoll Ndrecës, ku bujtëm me ftesën e tij dhe ku nuk na mungoi as çiftelia e kënga!Po ne do të jetonim edhe dy vjet të tjera nëpër çadra, deri në prill të 1957-ës. Më kujtohet si sot, nisi era e madhe dhe e ftohtë, na i grisi çadrën, anës së cilës vareshin stalektitet e akullit. Ndërsa stalektitet që binin nga degët e pishave si shigjetë, na i çanin çadrën vënde-vënde. Në këto kushte, edhe makineritë e para që na erdhën, i kemi transportuar me krahë, nga Prekali në Kurbnesh, duke bërë 20 km me këmbë… Me këta njerëz unë punova katër vjet, deri në vitin 1958, kur unë duhej të vazhdoja studimet e larta…
Fatlumërisht, për ketë njeri të jashtëzkonshëm nga Piqerasi, gojëkyçur, me dije dhe vullnet të hekurt, i cili ra i pari në gjurmët e arit atje, ne malet e Kurbneshit, u çel drita jeshile për të vazhduar studimet e larta si Gjeolog-Petrograf në Universitetin “Lomonosov” të Moskës. Përgatiti gjithë dokumentat, qepi edhe kostumin, pallton dhe ishte në pritje për vizë, por ndodhi ajo që ndodhi: Ndalohet para nisjes! Fati i tij u vendos (së prapthi) në fshatin e lindjes, në fshatin e bukur të atij e timin, ku u gjend dhe një partiak i thekur i regjimit komunist, i cili do të niste më të lart letrën e mallkuar, që t’u thoshte se, i biri i kulakut, i mësuesit “armik”(!?), nuk e meritonte bursën e Shtetit… Dhe zbuluesi i arit Aleks Vranai, i ngujuar në pritjen e gjatë në Hotel “Çajupi” të Tiranës, duke ngrënë për një muaj rresht vetëm bukë me domate, më kot kërkonte të drejtën e tij. Biografia e “zbuluesit të bakrit e të arit” prishet dhe atij i duhet të kthehet rishtazi në zonën e Mirditës, ku e prisnin çadrat dhe barakat e punëtorëve të Kurbneshit, që sapo kishin filluar të nxirrnin mineralin e çmuar të gjetur prej tij. Paradoksi kishte ndodhur! Ai do të mbetej “bir i vuajtjeve”, si të ishte i mallkuar nga fati, derisa t’i jepej si “lëmoshë”, pas katër vjetëve, e drejta për të vazhduar studimet e larta brënda vendit…
Dhe viti 1959 do të ishte i bekuar për ne të dy që vinim nga Piqerasi. Aleksi do të niste studimet e larta në shkencat, në Fakultetin Gjeologji-Miniera dhe unë në Artet e Bukura, në Shkollën e Lartë për Aktor “Aleleksandër Moisiu” të porsa hapur. Takoheshim shpesh. E pas katër viteve do të na mbanin po aty, që të dyve, si pedagogë, për t’u takuar në të rrallë, me idealet tona të reja, me ëndrrat rinore, derisa të ndaheshim për vite me radhe, kur privacionet më erdhën mua përball këtë herë e Aleks Vranai do të ecte shumë më përpara, jo vetëm si pedagog i këtij fakulteti, po edhe në kërkimet e tij shkencore, tashmë si Docent e, më mbrapa, me gradën: “Prof-Doktor i Shkencave”, me 15 botime shkencore e tekste mësimore, si edhe me dhjetëra harta topografike të çmuara për zonat e rëndësishme të mineraleve te dobishme. Dhe do t’i vinin me radhë: Çmimi Republikës e të tjera, e të tjera vlerësime të vonuara. Dikush interesohej nga lart, kur në Tirane mbërrinin me një makinë të blinduar kallëpet e arit nga Fabrika e Pasurimit të Bakrit në Rubik . Në vitin 1964 studentët e Fakultetit të Gjeologjisë do të kishin ndër duart e tyre tekstin mësimor te Prof, Dr Aleks Vranait dhe dy vite me mbrapa 8 libra e tekste te tjera për udhëheqjen e praktikës mësimore të Pertologjisë, të Petrografisë dhe të Gjeologjisë,duke bashkëpunuar edhe me autorë të rëndësishëm si K. Gjata, E. Dodona, Gj. Kote, L.Peza, Dh. Kapo, A. Qiriazi, V. Melo e N. Konomi.

Në kthinën studimore të mbushur me dollape, me sirtare dosjesh të shumta, me libra e me harta gjeologjike në muret, ai më rrëfen 10 botimet e teksteve mësimore e të bahkëpunimeve me shkencëtarë të huaj e tanët, me profesorë të tjerë, kolegë të gjeologjisë. Ky njeri i heshtur është antar i Senatit të Univeristetit Politeknik të Tiranës dhe bashkëpuntor në temat studimore me Universitetin “Pjer Kyri” të Sorbonës e atë të Parisit, me Universitetin Politeknik të Athinës e atë “Aristoteli” të Selanikut, si edhe të “La Sapienca” të Romës etj. Bashkautor në përpilimin e disa temave ndërkombëtare, si ajo e Karpateve (1994) , e Alpeve Franceze (1996) , e zonës së Pindit në Greqi (1992-1994), në përpilimin e hartave gjeologjike kufitare shqiptaro-greke (1997-2002) dhe është bashkëautor (korespondent) në përpilimin e hartës gjeologjike botërore në shkallën 1: 100.000. Dhe heshti i dërmuar, sikur të kishte zbritur nga një mal i lartë e i thepisur, sikundr ishte ai i Spaçit, ku mijëra skllevër të dënuar si “armiq”, nxirnin mineralin e Piritit, që transportohej në drejtim të Rubikut e prej andej…

O Perëndi! Qe një takim i trishtuar ky yni… Aleksi e kishte gjetur mineralin e unë punoja brenda galerive të minierës së Piritit në Burgun e Spaçit, fare lakuriq, me Frederik Reshpën, Edison Gjergon, Dhimitër Furxhiun, Fatos Lubonjën, Maksi Velon, Zyhdi Moravën, Halil Lazen, Hasan Banjën, Telat Agollin dhe me njëmijëedyqind e pesëdhjetë të tjerë! U vërtit i heshtur nëpër hapësirën e ngushtë të sallonit të tij modest (sallon-studjo-kuzhinë,-së bashku) dhe më thotë se prej kohësh ka dalë në pension, se jeton fare vetëm, pa e ditur as vet që është një pensionist. Puna e tij studimore -shkencore sa vjen e rritet, ndërkohë që personi sa vete e bie, mplaket… Dhe askush nuk e di qe këtu jeton i vetmuar në kthinën e tij të ngushtë një shkencëtar, një Hero i vërtetë, kur duhej te kishte një godine të tërë, me xhama çeliku të lartë, me studio të shumta e laboratorë të sofistikuar brenda saj… Po ç’them kështu?! Të gjitha minierat i kanë braktisur e mbyllur! Po përse?! Ne jemi strukur si minjtë nga Coronavirusi e s’dimë ku të futemi, me maska në fytyrë… Po përse jemi kaq të varfër, ta marrë dreqi, ta marrë?! Po ari që zbuloi ky njeri, ku është?… Ku?! Ku është ari që ti zbulove, ore Aleksi?! Se ne mbetëm kaq të varfër, ore Aleksi! Ah… në fytyrën e tij qe shuar buzëqeshja e mua më ngjante sikur ajo u vesh e tëra prej ari…
Shkruar në PIQERAS, këto ditë pandemie te mërzitshme të fundvjeshtës 2020.

Please follow and like us: