Rexhep Shahu: Edi Ramës i iku treni i patriotizmit
Pati rast Edi Rama të bëhej palë me shqiptarët e Kosovës, t’i thoshte një fjalë Vuçiçit për Kosovën, t’i thoshte një fjalë për 16 varrezat masive të shqiptarëve që nuk i tregon Serbia, por që u morën vesh, pati rast të avokatonte për Kosovën publikisht siç duan ta vënë në bankën e të akuzuarve serbët Kosovën, UÇK, shqiptarët.
Këto ditë Edi Rama pati rast të ngrihej në bursën e patriotizmit tallava. Pati rast t’i thoshte Vuçiçit, zëdhënësit të Milosheviçit, atij që thoshte ‘për një serb vrasim 100 shqiptarë’, në ato kohë kur Rama i jepte çelsin e Tiranës këngëtarit frymëzues të ushtarëve serbë Bergoviqit, pati rast t’i thoshte se nuk do të bëjmë asnjë marrëveshje, asnjë bisedë deri sa të kryhet gjyqi, derisa të marrin udhë punët.
Por ai nuk do, ai nuk shqetësohet për askënd, veç për veten e tij.
Ai u fryn borive sikur po del në gjyq UÇK, gjë që nuk është absolutisht e vërtetë, në gjyq dalin individë të caktuar pasi UÇK është aq e madhe sa nuk ka gjykatë në botë që e gjykon.
Ka një rrezik komploti që mund të burojë e të nxitet nga Shqipëria, nga nëntoka e ish-Sigurimit të Shtetit që ka ngatërruar gjithmonë Kosovën.
Kanë filluar të lëshohen në eter thirrje që duhet reaguar në Kosovë, duhet protestuar se kanë marrë në gjykatë krerët e shtetit.
Nuk e di a del i fajshëm, apo i pafajshëm Kadri Veseli, veç di se me deklaratën e dorëheqjes para dorëzimit të tij në gjykatë dhe me fjalët e qëndrimin që mbajti sot në gjyq, tregoi përmasa reale të një burri shteti.
Kadri Veseli e qartësoi më qartë se qartë opinionin që mendon se e duan Kadriun më shumë se sa e do Kardiu veten e tij se ajo gjykatë është ngrit nga parlamenti i Kosovës me i tregue e vërtetue botës drejtësinë tonë, me u përball me akuzat serbe, me fitue mbi Serbinë edhe në gjykatë.
Nuk është në gjyq UÇK, janë individë në gjyq. E secili individ të përgjigjet për veten e tij.
Edi Rama vetëm një gjë ka në dorë tani, të ndalë ngatrrestarët e tij, të mos i ysht që të ndezin trazirat në Kosovë, pasi gati janë ata që nuk e duan Kosovën, ata që duan pushtetin, por jo Kosovën.