Cikël poetik nga Rexhep Shahu
Sot kur po zgjidhet kush duhet të vdesë
Sot kur po zgjidhet kush duhet të vdesë
U bëra pikë loti në pendesë
Se pak jemi dashtë
Sa pak jemi dashtë!
Në spitale po zgjidhet kush duhet të vdesë
Vdekja në shumë vende po mbledh me fshesë
Ne bëjmë statistika sa vdesin në ditë nga makinat
Sa nga aeroplanat, sa nga droga e SIDA
E fshehim ato që vdesin nga mungesa e dashurisë,
Bota ka ra në gjunj me duar nga qielli
E lutet si asnjëherë për një shekull.
Sa pak jemi dashtë…
Sa pak jemi dashtë, Zot dhe ti na ke falë
Na ke falë shumë kohë duke besuar se kemi me u dashtë më shumë
Një ditë kemi me fillue me u dashtë më shumë e me urrye më pak
Me shpërfill më pak, me tall tjetrin më pak
Me iu gjet tjetrit më shumë.
Sa pak jemi dashtë,
Sa shumë kohë kemi vra pa dashuri
Sa kohë çuam dëm pa puthje, pa përqafime
Sa miliarda herë nuk i thamë njëri – tjetrit, të dua,
Natën e mirë, mirëmëngjes, a ke nevojë për mua, a je mirë
A të ndihmoj dot, a mund ta fshij lotin, a ke bukë në shtëpi…
Sa herë e shtymë të dobtin dhe lëpimë të fortin
Sa herë nuk e dëgjuam tjetrin, sa herë duruam ta dëgjojmë deri në fund
Gjithmonë kërkuam pa menduar kurrë çfarë dhamë
Pa dhënë kurrë dashuri
Pa mbuluar netëve prindërit me batanije të ngrohtë
Pa puth duar nëne, o Zot. duar nëne!
Pa përqafuar babanë që cilindo në jetë e lë jetim
Sa orë e mijëra orë mbajtëm mëri me vëlla e motër, heshtëm gjatë
Sa mijëra herë nuk u kuptuam e iu shmangëm njëri–tjetrit
Duke ia lëshuar vendin heshtjes e urrejtjes
Duke u end gjyqeve kundër vëllait a motrës
Që nga krijimi i botës
Sa pak jemi dashtë, o Zot sa pak!
Sot që po zgjidhet kush duhet të vdesë, unë po çmendem
Nga poshtërsia që kemi bërë – që nuk jemi dashtë
Që nuk i thamë çdo orë e çast njëri – tjetrit, të dua
Që nuk i thashë sa duhet e mjaftueshëm asaj, të dua
E as ajo nuk më tha mua
Ndaj sot po zgjidhet kush duhet të vdesë
Natyrisht që më të mirët zgjidhen të vdesin, si gjithmonë…
Sot që po zgjidhet kush duhet të vdesë
Nuk them se nuk kam frikë të vdes zemër
Po përjetoj tmerr që mund të zgjidhem të vdes
Që mund të zgjidhet të vdesë cilido që ka bërë 65 vjeç
Që është i vjetër a i sëmurë
Nuk është zgjedhje e Zotit se cili duhet të vdesë
Është zgjedhje e urrejtjes, e shpërfilljes, e mërisë tonë
E mungesës së dashurisë.
Sot që po zgjidhet kush duhet të vdesë
Cili baba, cila nënë, motër, vëlla, duhet të vdesë
Jam ul në udhë nga shkojnë fatet
Gjunjët me duar kam mbështjellë
Dhe me sy të përlotur kërkoj ndjesë
Ndjesë se ndoshta të kam dashtë pak
Sa pak të kam dashtë…
Vjeshtë
Vjeshtohu
bëhu më e bukur se e bukur, bëhu vjeshtë e artë, e plotë grua
rri gjithmonë mister i ëmbël që të mos e ndal rendjen në ty
derdhi ngjyrat e tua ngado, përflakmi në sy
ndize të kuqen tënde si fustani yt i kuq prej gjaku
që më mbështillje me të kur vallëzonim
tangon e ëndrrave tona të çmendura
derdhe të verdhën e pjekur, derdhe mbi botë pa turp
le të skuqet po të dojë dielli prej turpi.
Vjeshtohu
përcilli me dashuri, pa lotë, zogjtë deri te dera e qiellit
jepu bukë e puthje me vete që të vijnë prapë në pranverë
kthehu pastaj tek unë, vjeshtomë edhe mua, më merr në gji
më jep qetësinë tënde, prehjen tënde, buzëqeshjen e dlirë
ma jep dhimbjën e fshehur për ndonjë rudhë a thinjë që unë e dua
ma jep ta bëj puthje atë dhimbje,
t’i bëj udhë dashurie rrudhat e tua
udhë të cilat më sjellin gjithmonë vetëm në ty
mos më gjuaj me qokë në kokë kur të puth në gjinj
se pastaj bëhem i pabesë e t’i kafshoj gjinjtë fort
sa ti dridhesh e tëra si dridhet uji i Drinit në shtratin e vet
si uji i detit nga ndonjë tërmet.
Vjeshtohu, rri vjeshtë,
rri gjithmonë vjeshtë
që unë të mos vdes.
Kur ti hyre në sytë e mi…
Rafshin nga qielli yje të ndezur
sonte në sytë e tu
e mos mbyllsh sy.
Unë s’mbyll qerpik asnjë natë
Që kur ti hyre në sytë e mi…
Ti je
Ti je
Ti je, ekziston, unë nuk të shpik
nuk të krijoj dot më të bukur se je
nuk të bëj dot më të magjishme, të ëndërrt e të prekshme
se je, më dritë se je nuk të bëj dot
nuk e shpik as e krijoj dot vështrimin e thellë të syve tu
pyetjen tënde ‘pse u vonove…’ me timbër aq të ngrohtë
nuk dinë ta bëjnë e ta thonë aq ëmbël zotat
nuk dinë perënditë të shndërrijnë si ti kur shfaq fshehtë merakun për mua.
Ti je
Je dhe nuk të krijoj dot kurrë më të ëmbël se je
më shpirt se je, më fantastike se je
nuk e krijoj dot buzëqeshjen tënde që m’i merr mendtë
as qeshjen e syve tu nuk e ndërtoj dot as unë as zoti vetë s’e ndërton kurrë
nuk e shpik dot dëshirën time që ta puth atë shenjën mes gjinjve,
atë shenjën e vogël tek gjiri yt i majtë, ta puth e të lodhem
e sa bëj të largohem i nginjur në puthje me ty
kthehem i babëzitur e të puth përsëri.
Ti je
Je dhe kurrë s’të ndërtoj dot kaq elegante sa je
kaq të dashur, tërheqëse, krenare, të brishtë e të sertë sa je
nuk ta shpik dot lotin që të mblidhet e s’rrjedh kur zemërohesh me mua
kur mendon se nuk të kuptoj unë ty
kur nuk “zhdukem” kur thua ti e ti turfullon me furi
kur unë këmbëngul të çmendemi e ti më shpon me sy
duke thënë me heshtje se don të çmendesh
por s’mundesh se gjithë bota pret me ankth ta duartrokasë
çmendjen tonë, të na vrasë e mallkojë
se nuk është e zonja bota të jetë e vërtetë
të dashurojë kështu çmendurisht si ne të dy.
Ti je, je pavarësisht meje, pavarësisht zotave
je qielli im, je zog në qiejt e syve të mi
je degë që mban më shumë zogj se gjethe
je anije ding me ëndrra, mal me cicërima
udhë që nuk hesht, lumë që më mbart
fllad që përkëdhel, erë që të fshin, shi i ngrohtë
dridhje që më çrregullon frymëmarjen kur të prek.
Ti je shpirt
Nuk po të shpik unë, edhe të dua nuk mund
nuk të tregoj dot siç je, nuk të shkruaj as të vizatoj
gjuhës së njerzve i mungojnë fjalët të të përshkruajë
edhe për ngjyrat që rrezaton ti nuk ka emra për to
nuri që të derdhet në fytyrë kur të puth nuk gjendet në ngjyrat e zotit
as drita e syve tu s’ka me kë krahasohet
detet e kanë zili ngjyrën e thellë të syve tu
dielli dhe hëna ka më pak ngjyra se drita e syve tu
kur më thua ik, ik shpejt e me vrap
ndërsa ma mban dorën e më shtërngon gishtërijtë.
Si ta them, ta shpik a krijoj këtë prekje, këtë shtërngim dore
që fatin e lidh nyje përjetë
nuk e them dot me fjalë më bukur se ndodh në të vërtetë
në ato çaste ky mbytem në sytë e tu…