Albspirit

Media/News/Publishing

Rexhep SHAHU: Ümit Yaşar Oğuzcan dhe 25 letrat e famshme të dashurisë, që kërkojnë të zotin!

 

“Letra që kërkojnë të zotin” janë shkruar për çdo zemër të dashuruar, të vetmuar, të harruar, të braktisur, për çdo zemër që shpreson e pulson për dashurinë. Nga secili njeri i kësaj bote janë ëndërruar këto letra dashurie qiellore, nga secili njeri është ëndërruar dashuria.
Vetëm poetët duket janë fatlumët e njëherësh fatkqinjtë, vetëm ata janë pajisë nga zotat e qiellit me liçencë ‘çmendurie’ dhe zotat u kanë dhënë guximin e duhur të marrëzisë, talentin e aftësinë që t’i mrekullojnë njerëzit me letra të tilla dashurie, që t’i bëjnë njerëzit të ëndërrojnë, të fluturojnë, të duhen, të ndjehen të dobishëm, të rëndësishëm siç janë në fakt në jetë, por thjesht nuk guxojnë të shprehen, nuk dinë ta shprehin dashurinë e mallin që i përvëlon.
25 letrat e famshme të dashurisë që kërkojnë të zotin, që kërkojnë adresë, që kërkojnë zemër – kuti postare ku të hyjnë, që kërkojnë dorë që të marrë zarfin e ta çelë për ta parë lulen zemër, janë fjalë të gjetura zemre ku janë përputh magjishëm fjalë e mendime, janë manual i jashtëzakonshëm dashurie qiellore, një manual që i mëson të rinjtë e të rejat, gratë e burrat, i mëson njerëzit që janë në moshën e dashurisë (të gjithë njerëzit e botës janë gjithmonë në moshën e dashurisë) se si të dashurojnë, si ta thonë dashurinë, si ta ëndërrojnë, si të guxojnë ta shprehin thjesht e shumë thjesht atë që kanë në mendje, atë që kanë në zemër e i djeg e përvëlon.
Gjithkush në jetë është robëruar e skllavëruar nga dashuria, është përvëluar nga malli, është mpak e sos nga vetmia që ther e dhemb. Të gjithë orë e çast, edhe në rrethanat më të pabesueshme, mendojnë dashurinë, për dashurinë, dridhen nga i ftohti e frika e vetmisë, por jo të gjithë kanë privilegjin dhe fuqinë për ta shprehur dashurinë, për ta thënë, pohuar e lartësuar veten e të dashurën a të dashurin.
Ümit Yaşar Oğuzcan është një nga fatmëdhejtë e botës që e ka thënë e lartësuar dashurinë, që e ka qarë vetminë, që nuk e ka shuar kurrë dritën e shpresës.
Ümit Yaşar Oğuzcan shkruan këto letra për të na thënë vetëm një të vërtetë të padyshueshme, të pazevendësushme, të pandryshueshme – dashurinë, e cila ka qenë, është e do të mbetet shqetësimi e qetësimi i vetëm i botës e jetës, nxitja dhe frenimi i vetëm i njeriut, parajsa e vetme e synuar që ka kuptim real e të vertetë, e pacënuar nga gënjeshtra të vërteta e shtirje të shëmtuara deri në përfeksion.
Që nga 1960 kur janë shkruar, “Letra që kërkojnë të zotin” kanë 58 vjet që vazhdojnë ta kërkojnë të zotin edhe pse tek çdo njeri e kanë gjet atë dhe njerëzit në Turqi e më gjerë i dinë pothuaj përmendësh. Kjo sepse dashuria – çmenduaria e vërtetë është shumë e ndershme dhe thjeshtë.
Njerëzit kanë “çmendurinë” e duhur sa t’i besojnë e ta nderojnë dashurinë, ta jetojnë e shijojnë për t’u bërë njerëz të lumtur qoftë dhe në pak çaste a orë të jetës së tyre.
Aq shumë e dashuron të dashurën poeti, sa duket se ai shkruan në barkun e saj, në lëkurën e saj të bardhë, në qafën e saj me buzët e puthjes e pëshpëritjes, me frymën e ngrohtë që lëshon në fytyrën e saj. Poeti i shkruan letër të zjarrtë dashurisë me rrezet e syve të gruas që do.
Me “Letra që kërkojnë të zotin” ai i bën plagët të ridhembin dhe kjo dhimbje dhemb kudo njëlloj në gjithë gjuhët e njeriut: bota nuk ka dashuri sa duhet, ka luftë, harresë, urrejtje, vetmi më shumë se sa duhet, më shumë se sa mundet ta gëlltis e përtyp, ndaj u thi e shkuli këtë botë.
Sponsor: Flamur Hoxha.
Botues: Rexhep Shahu.
Shqipëroi: Rozana Belli.
Redaktor: Izet Duraku.

Please follow and like us: