Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Strategjia serbe për të ndarë shqiptarët nga Europa!


Udhëheqësit politikë shqiptarë, nuk duhet të reagojnë si të frustruar e inferiorë përballë politikës së egër serbe.
Përballë politikës serbe duhet të sillemi si fitues dhe të mos bëhemi qaramanë, sepse ekziston një e vërtetë e njohur politike: Ne kemi fituar të gjitha betejat me Serbinë, sepse e vërteta është në anën tonë, atë e kanë përkrahur dhe e përkrahin të gjitha forcat demokratike dhe atë duhet të dimë ta promovojmë.
Ndërkaq, sa herë bëhen provokime të llojit çfarë di të bëjë Vuçici, më së paku duhet të biem pre e tyre, që të të kritikojmë Europën, sepse qëllimi kryesor i Serbisë është që të na largojë nga Europa.
Pikërisht kjo mund të jetë strategjia e re negative e Serbisë përballë nesh. E për të kuptuar çfarë është strategjia negative e Serbisë karshi shqiptarëve, përpara se të lëshoni deklarata kuturu që nuk shpijnë askund, lexojeni tekstin brilant të Ibrahim Rugovës “Strategjia negative”, të cilin Rugova e ka shkruar në vitin 1988, pra si shkrimtar i angazhuar dhe e ka lexuar në Beograd, pas një diskutimi të ashpër me shkrimtarët serbë.
Ky tekst është një leksion fantastik për secilin që flet rreth raporteve shqiptaro-serbe.
Serbia gjithmonë tenton t’ i krijojë disa etiketa dhe ato i përdor si strategji kundër nesh. Njëra nga etiketat më të pëlqyera të saj e që vazhdimisht tenton ta aktualizojë është ajo e lidhjeve tona me perëndimin. Serbia ka qëllim t’ i mjegullojë këto lidhje, ndërkaq ne e kemi për detyrë t’i kthjellim. Siç dinte t’i kthjellte Rugova.
Pra, të gjithë ata që kuptojnë pak nga politika, duhet ta kuptojnë se strategjia kryesore e Serbisë sot është të na ndajë prej Europës, prandaj përballë kësaj etikete e strategjie duhet të sillemi me mençuri, me kulturë të lartë e të vetëdijshëm.
Logjika euforike dhe deklaratat euforike nuk na shpijnë askund.

 

Fragment nga diskutimi i kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve, Ibrahim Rugova në 1988, drejtuar shkrimtarëve në ish-Jugosllavi me temën “Strategjia negative”

Dr. Ibrahim Rugova, në cilësin e kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës në prezantimin e tij me temën ”Strategjia negative”, ndër të tjera thotë: Fatkeqësisht, sot nocioni për Kosovën në Jugosllavi, e sidomos në Serbi, po vdes dita-ditës. Kjo do të thotë se për Kosovën nuk ka më kuptim njerëzor, ndaj ka rënë në shkallën më të ultë të mundshme. Êshtë ky kuptim i zeros së bardhë, i cili mbështetet në kuptimin mitik, në përftyrimin brenda rrafshit të mitologjive moderne, të cilat bëhen surrogate të ideologjive të ndryshme dhe prapa të cilave qëndrojnë lloj-lloj strategjish me qëllime e metoda të përpunuara veçanërisht. Kështu Kosova është bërë një mitologemë për t’u rrëzuar një e vërtetë historike dhe aktuale, e cila funksionon sipas strategemave të njohura të një strategjie të fshehtë kundër një populli. Ja, këtë ne e quajmë strategji negative dhe do ta ekspozojmë në vazhdim. Brenda asaj strategjie ka shumë strategema, disa prej tyre edhe do t’i cekim, mirëpo, si tërësi ajo është ndërtuar gjatë kohë dhe hollësisht dhe mjerisht po zbatohet me të madhe. Prandaj themi se po vdes nocioni për Kosovën, sepse nuk mbështetet mbi gjendjen faktike dhe mbi vërtetësinë e të kuptuarit të këtij ekzistenciumi. Gjatë këtyre shtatë vjetëve janë krijuar disa etiketa të hekurta që shërbejnë si mekanizma të një strategjie të fshehtë negative, siç janë: nacionslizmi shqiptar apo irredentizmi, seperatizmi, kunderrevolucioni, gjenocidi, fashizmi, shqiptarofobia, heshtja e intelegjencës shqiptare, anarkia, paligjshmëria, eksplodimi popullativ dhe shumë e shumë të tjera. Duke pasur parasysh tërë këtë strategji negative, tashmë nuk mund të thuhet as përfundohet se kemi të bëjmë me një eufori të kapërcyeshme. Ajo strategji ka për qëllim që shqiptarët t’i bëjnë të gjunjëzohen përpara masave të reja, që elementi shqiptar të zvogëlohet, të bëhet ‘i durueshëm’ dhe simbolik. Pastaj nuk do të ketë më probleme, sipas asaj logjike, që pas disa dhjetëvjetëshave të asimilohen apo të bien në minimum. Madje edhe sot, fatkeqësisht, duhet thënë se ne disa dokumente zyrtare ka tingëllima të teorive të vjetra për Kosovën, siç është Programi Jugosllav për Kosovën për popullzimin e serbëve dhe të malazezëve, në rend të parë nga programi famëkeq i Çubrilloviçit.
Beograd, më 26-27 prill 1988, “Serbët dhe shqiptarët në Jugosllavi”.

Beograd, 26-27 Prill 1988/Ibrahim Rugova: Strategjia negative

Please follow and like us: