Sabina Darova: Asti, historia e Aurelës, një sukses i humanizmit italo-shqiptar
Para pak ditësh në një kanal televiziv, në programin “E ardhmja është vajzë“, titull ambicioz ky, Aurela Hoti, dëshmoi historinë dhe kalvarin që përjetoi për rreth një vit e gjysëm nga një armik i egër që vë në provë një përqindje të lartë të popullsisë botërore, siç është ai i kancerit.
Aurela me shumë dinjitet dhe ndjeshmëri përshkoi çastet e vështira që tashmë i ka hedhur përtej supeve. Meqenëse ky program është publik dhe çdokush nga ne, mundet ta shohë dhe të mësojë nga kjo eksperiencë e fortë dhimbjeje dhe lufte të paepur, m‘u duk e detyrueshme ta sillja si shembull dhe ta bëja të njohur për dy arësye: e para i takon meritës ekskluzive të vetë Aurelës, e cila me shumë forcë, vullnet, këmbëngulje dhe mbi të gjitha me shumë dashuri në shpirt arriti ta mundë armikun që kërkonte te okuponte hapësirat e trurit dhe trupit të saj. Dhe e dyta, jo pak e rëndësishme, ështe kontributi që ofruan familja dhe të afërmit e saj, por në mënyrë të veçantë komuniteti shqiptar i qytetit të Astit në Itali si dhe ekipi multidisiplinor i mjekëve të spitalit të këtij qyteti.
Filloj nga këta të fundit:
Merita kryesore i takon një nga mjekëve më të njohur në Itali në fushën e gjinekologjisë, në luftën kunder tumoreve, kirurgut të shquar dott. Maggiorino Barbero, të cilit i është akorduar çmimi Nacional “Uomini Illuminati” nga Universiteti i Pavisë per vitin 2019. Ishte i vetmi që mori guximin për ta operuar. E ndjek doktor Franco Testore, shefi i repartit onkologjik të spitalit (tani në pension), i cili trajtoi kurimin e Aurelës me një kurë eksperimentale, e cila në kohë dëshmoi suksesin e saj. Pas tyre qëndrojnë infermierë e vullnetarë italianë, të cilët me buzë në gaz i shërbyen gjatë ditëve të shtrimit dhe të kurimit ne disa reparte. Vlen për të përmendur edhe doktorin e repartit të mjekësisë së përgjithshme, doktor Saracco.
Aurela gjeti në spitalin e Astit dhe tre mjekë shqiptarë, të cilët i qëndruan pranë dhe e ndihmuan përgjatë gjithë kohës që ajo ishte nën vëzhgim. Këta doktorë ishin Edmond Nano, Majlinda D. Caka dhe Aurel Mengri.
Por, siç dihet, sëmundja duhet përballuar edhe në planin afektiv duke iu bashkangjitur atij shëndetësor. Për kurën afektive iu gjendën në krah miq të shumtë si Violeta Osmeni të cilën Aurela e thërret motra së bashku me familjen e saj, motër e dy fëmijët; Luciana, bashkëshortja e doktor Edmond Nanos, e cila i dhuroi shume dashuri dhe mikëpritje me një thjeshtësi të pashembullt; Kujtim Orjeta Hiso Skënderi, ekipi familjar shkodran që iu gjenden që në ditët e para, piktori Edmond Birçaj, poeti Klodian Kojashi, Hasan Bulçari dhe shumë e shumë të tjerë. Së bashku i ofruan Aurelës dashuri dhe gatishmëri për t‘i qenë pranë në ditët e pazakonta të saj.
E quajta të arësyeshme t’i kujtoj, sepse kjo mirësi dhe gatishmëri që u tregua karshi mikes sonë të dashur, përsëritet vazhdimisht. Në këtë qytet ku përqindja e emigrantëve shqiptarë është shumë e lartë, raste të tilla që kërkojnë impenjim të instituteve shëndetësore paraqiten në mënyrë të vazhdueshme. Dhe ne, si komunitet iu përgjigjemi me të gjitha mundësitë, pa bërë zhurmë, pa rrahur gjoksin, por të kënaqur që kontribuojmë në shërimin e të afërmve dhe të njohurve duke venë në funksion të gjithë aparatin e lojës së kompetencave.
Aurela e fitoi betejën e saj sepse u impenjua për ta fituar. Asgjë nuk dhurohet. Ajo ka qenë një shembull dhe mbetet e tillë për t‘u rrëfyer si linjë guide për çdokush që do mundet ta përballojë sëmundjen e kancerit.
Ajo iu besua shkencës dhe dashurisë, përmbajtësit kryesorë të asaj përzierjeje që kthehet në forcë. I uroj shëndet dhe gëzime mëse të merituara mikes sime të veçantë dhe pse jo, po aq të bukur, Aurelës.
Gjithashtu, një faleminderit të veçantë, qytetit tim, miqve shqiptarë dhe atyre italianë që nuk përtojnë të jenë vullnetarë të miqësisë dhe të marrjes nën kujdes të njëri- tjetrit.