Miho Gjini: Me Gogo Ninin, shoferin interurban të anti-virusit për linjën e Athinës
Kisha afërsisht një muaj që zura rradhën për të udhëtuar me Gogo Ninin. Nga Piqerasi në Athinë. Kur ai qe i detyruar prej Covid-19 ta bënte këtë udhë të gjatë, vetëm me dy veta në makinën e tij… Ndërkohë, kur të gjitha linjat me Shqipërinë u prenë fare në këtë distancë dhe pasagjerët tanë mund t’i kenë autobuzat e tyre deri në postat kufitare me shtetin fqinjë. “Lëmshi i njerëzve”, këtu vërtitet! Jo pak herë sajohen edhe radhët e gjata, konfuzioni, pritja e stresi i saj… Kur masa e madhe e ikanakëve tanë, që afron një milionshin e që vete e vjen, nga njeri shtet në tjetrin, lëviz disa herë në vit! Bisedimet edhe në këtë “pikë nevralgjike” kanë mbetur pezull, në një “pamundësi kategorike”, si më përpara, për ta patur linjën e plotë, po me këto masa anti-virus, sikundër edhe jemi tani, po njëlloj, në të dyja krahët! Kështu që, janë si “peshqesh” edhe dyndjet kilometrike, apo edhe stërmundimet, ecjet me këmbë e me zvarritje rraqesh, nga njeri postablok në tjetrin…
Kështuqë, le të themi atë që s’thuhet: “Poshtë!” e “Rroftë” Pandemia!” edhe të zëmë rradhë, një herë në muaj a në një vit që të udhëtojmë me makina të vogla private, në komoditetin e mëparshëm, me të afërmit tanë, apo me taksistë që të “rrjepin edhe lëkurën”, pa përmendur edhe “rrjepjen së gjalli” që të bëjnë disa “Qendra Shëndetësore Private”, ku për një analizë, nëse e ke apo nuk e ke atë virusin e mallkuar, duhet të paguash deri 120 mijë “lekë të vjetra”! Një tmerr i padëgjuar, kur askush nuk punon e të gjithë janë të “izoluar si minjtë”(!), kur shteti fqinj e ato nëpër botë e bëjnë falas tamponin e analizës. Po, ç’të thuash, kur të vjen në derë një e keqe, duhet ta mbash atë hapur edhe për të tjerat që mund të të të vijnë nga mbrapa shpine!…
Dhe, ja ku jam përsëri me Gogo Ninin, shoferin e linjës “Ruci”, më të vjetërin në linjat Shqipëri-Greqi e Itali, të cilit i ka “ngjitur” timoni nëpër duart e tij me kallo, 50 e kusur vite! Se me të mund të jesh i sigurt e fort i qetë, në të gjitha udhëtimet e tua. Një shofer klasi, i këndshëm nëpër biseda, me etikën e komunikimeve me pasagjerët e të gjitha natyrave e karaktereve njerëzore, i gatshëm t’u shërbejë, pa qejfmbetje, i kulturuar, i dëgjueshëm e jo pak herë edhe me humor, në të dyja anët e kufirit. Po edhe me policët e doganierët e të dyja shteteve, i rregullt e korrekt me të gjithë. Po, ja që, më parë kishte 60 udhëtarë në autobuzin e tij dhe tani që nuk e kemi, duke e kujtuar atë me nostalgjinë e së shkuarës e me shpresën e së ardhmes, në realitetin e zakonshëm, e morëm udhën drejt Athines, vetëm me dy persona, – sikundër janë rregullat e tanishme anti-Covid, që tani rezultoi me mua e vëllain e tij, Kleanthin, të cilin e quan tani “Baca i Gjetajve” me humorin e tij të këndshëm. Në një udhëtim të shkëqyer. Të rregullt që të tre nga ana shëndetësore, të shpallur “negativ”, nga Qendra Shëndetësore e “Rrjepjes së Lëkurës” e pa “rraqe të ndaluara”, paqësor e të “bekuar nga Perëndia ” që të tre. Shoferi Gogo Nini, kishte ndroje, shoqëruar me habi, vetëm ndaj gabimeve të bëra nga ofiqarët e Gjëndjes Civile, të cilët, edhe pse janë vëllezer , me pasagjerin që ri pas meje dhe që është i vëllai, sikundër e thamë, ua kishin shënuar ndryshe emrin e të atit, po edhe mbiemrin dhe, si pasojë, ai nuk mund të thoshte para policëve se ky njeri ishte i vëllai dhe as që mundej ta mbronte në raste ekstreme! Problemi i dytë që na u krijua ishte se, pa dalë mirë nga Janina, atij i telefonoi një shoku i tij shofer që vinte nga Athina e që kryente të njëjtën punë se, i kishin prerë një gjobë prej 300 eurosh, meqënëse në mesnatën e asaj dite, kishte ndryshuar urdhri i mëparshëm, që edhe makinat e vogla duhet të udhëtojnë me një person e jo me dy. Ne pamë njeri-tjetrin të trembur e shoferi, menjëherë, pa dalur mirë nga Janina, zgjodhi rrugën dytësore për të bërë pjesën tjetër të udhëtimit. E morëm veten përsëri e unë ia mora një kënge të vjetër, ku thuhej edhe fraza: “Rrugët tona t’i përpijmë!”… Gogos i pëlqeu kënga, po edhe kjo fjali që kishte të bënte, me “përpirjen e rrugëve tona”. Nuk mbaja mend se kush e kishte shkruar tekstin e këngës, po unë ia “faturova” Dritëro Agollit, meqënëse atij i pëlenin këto metafora. Të bëje humor e t’ia merrje këngës në rrethana Pandemie është gjë e rrallë, po ja që kështu jemi “gatuar” ne… Dhe, për tri orë do të ishim më përtej Kalasë së Ali Pashait në Arta, kur shoferi që udhëtonte për në Shqipëri, kishte marë gjobën e dytë, me 300 euro të tjera e i ishin mjergulluar fare: rruga, fanarët, pemët anësore, godinat, bile edhe policët… Ndërsa shoferi ynë, jepte e merrte me ata që e merrnin parreshtur në telefon, për të zënë rradhë, nga të dyja anët e kufirit, për tani e për muajin tjetër. Duke i spjeguar tani kujtdo se, vetëm një person mund të udhëtonte, se mandej, detyrimisht, duhej të qëndronte edhe një javë në izolim, se në kthimin nga Saranda, duhej bërë “tamponi” përsëri, se duhej të paguante rrishtazi dhe se, më në fund, do të vinte tek bindja se s’qe e mundur të hiqje dorë nga kjo bela “e pafundme”, derisa të normalizohej kjo gjendje e mallkur, për veten e për të gjithë ne. Rehatohej vetëm, kur mbërrinte në Piqeras para një filxhani me kafe dhe kur qeni e nuhaste menjëherë se kishte arritur ai, i zoti, në klubin e Katinës dhe qeni do të sulej që nga larg e do të hidhej përpjetë nga gëzimi. Ai do të afrohej që ta përkëledhte e t’i shtrinte dorën, po edhe qëni, i ngrinte e i shtrinte njerën prej këmbëve të para, sikur te ishte edhe ai njeri, një njeri si gjithë të tjerët! Po sa do të vazhdonte kjo “histori”, nuk e merrnim dot me mëndje… veç të qëndronim në pritje, sa të dalin edhe për ne vaksinat e duhura e të lejoheshin linjat normale, që lidhin të dyja shtetet tona… Mirupafshim Gogo Nini!