Kur arbëreshja Annamaria Bugliari i rrëmbeu kurorën e “Miss Italia” aktores së famshme, Sofia Loren
Adela Kolea
Në Italinë e pas Luftës së Dytë Botërore konkurset e bukurisë femërore ishin si një terapi shëruese për shoqëri italiane, dalë e shkatërruar nga lufta. Ishin tejet popullore, por këto konkurse bukurie gjithashtu patën një rol kryesor në evidentimin e vajzave të reja të cilat më vonë do të bëheshin yjet e kinemasë italiane.
“Miss Italia” e vitit 1950 ishte Arbëreshja Annamaria Bugliari nga katundi Arbëresh i Shën Sofia i Epirit. Në foto me Sofia Loren, e cila zuri vendin e dytë.
Titullin e fitoi në Salsomaggiore, në edicionin e parë që realizohej në këtë qytet, dhe që në fakt ishte edicioni i shtatë në historinë e “Miss Italia”.
Ajo u bë e famshme për shkak se i “rrëmbeu titullin” nga Maria Scicolone, e cila më vonë do të njihej në gjithë botën me emrin e saj të artit Sofia Loren.
“Më kanë akuzuar se i kam vjedhur kurorën Sofia Loren” – kujton ajo edhe sot – “por unë isha padyshim më e bukur”.
Annamaria Bugliari lindi më 1934 në Romë ku babai i saj, nënkryetar i Shoqatës Kombëtare të Partizanëve, ishte edhe avokat. Pas një eksperience të shkurtër në botën e kinemasë (ajo bëri dy filma, në njërin prej të cilëve ishte antagonistja e Lucia Bosè, Vajzat e Piazza di Spagna), u martua me avokatin Marcello Giordani me të cilin kishte dy fëmijë. Sot ajo jeton në Romë, është e ve dhe gjyshe.