Mimoza Koka: In memoriam Dedë Ahmeti
Dedë Ahmeti, kryegjyshi botëror është dajua i nënës sime. Unë jam rritur me bisedat dhe kujtimet për të, në të cilat tregohej për urtësinë, kulturën e tij, për devotshmërinë ndaj fesë në të cilën ai besonte dhe i kushtoi jetën. Ai në kundërshtim me frymën e PKSH, e cila kërkonte zbehjen e besimeve fetare, punoi shumë për forcimin e bektashizmit. Për këtë përkushtim ai pësoi dhe persekucion në vitet e fundit të jetës. Ka pasur një ndikim të madh jo vetëm në Vlorë, por dhe në zona të tjera sidomos në Skrapar dhe Krujë. Vdiq me bindjen se besimet fetare do të riktheheshin. Persekutimi i Dedë Ahmetit në vitet e fundit të jetës, është pjesë e persekutimit tërësor që komunizmi i bëri bektashizmit në Shqipëri.
Në vijim jepet jetëshkrimi i tij.
Dedë Ahmet Ahmataj, ka lindur në fshatin Brataj të rrethit Vlorë, në vitin 1916. Ai ka qenë kryegjysh botëror (Dedebaba) i bektazhizmit nga viti 1948 deri më 1958. Përktheu shumë libra, të cilat qenë një ndihmesë e madhe për bektashinjtë.
Në vendlindje kreu shkollën qytetëse në vitet 1924 – 1929. Më 1937 shkon ushtar në rrethin e Dibrës, dhe pasi lirohet vesh petkun e klerikut bektashi në teqen e Bllacës tek baba Zeneli. Atje shërbeu deri në vitin 1939. Më pas ai shërbeu në teqetë; Elbasan, Turan të Tepelenës, dhe Vlorë deri në vitin 1942. Nga ky vit e deri në Maj të vitit 1944, luftoi në radhët e ushtrisë antifashiste dhe ben pjese në brigadën e 18 . Ka qënë në batalionet partizane të Martaneshit, Elbasanit dhe të Pezës. Në vitin 1943, internohet në Portoromano të Durrësit. Pas internimit kaloi në çetën partizane të Shijakut ku plagoset rëndë.
Në vitin 1945 shërben në teqenë e Kuzum Babait në Vlorë me titullin baba deri në vitin 1948. Në këtë teqe ai afroi shumë besimtarë, intelektuale si dhe dashamirës duke fituar respektin e gjithë Vlorës dhe Shqipërisë me punën e gjithanshme të tij per besimin bektashian.
Në vitin 1948 emërohet në postin e lartë, Kryegjysh Botëror i Bektashinjve me Seli në Tiranë. Ai punoi për bektashizmin në Shqipëri dhe zhvilloi marrëdhëniet me teqete në botë. Ka marre pjese në konferencat e Paqes. Ai zotëronte gjuhën arabe dhe turke.
Më 1958 u hoq nga posti i Kryegjyshit dhe së bashku me dervishin e tij, Reshat Bardhin, u internuan në Drizar të Mallakastrës. Aty u mbajt nëntë vjet, deri më 1967. Nga ai vit e deri më 1980, jetoi në Tiranë, dhe në mënyrë ilegale punoi për bektashizmin. Deri ne fund te jetes, jetoi me preokupacion duke predikuar urtësinë e dashurinë ndër njerëz me fjalën e urtë te Zotit.
https://www.rd.al/2016/03/dede-ahmeti-historia-e-rralle-e-nje-shenjtori/