Rifat Ismaili: ARTI, USHQIMI, DASHURIA
Shpesh, pasionit tim për të shkruar, nuk iu ka ndarë dhe ai për kuzhinën, ndaj arrita të mësoj diçka edhe nga zanati i kuzhinierit, zanat i lehtë dhe i vështirë njëkohësisht, që sado përparon nuk mbaron kurrë, sepse është si një art në evoluim. Një zanat delikat, imagjinar, pothuaj femëror, eksitues dhe që ndihmon aq shumë në përmirësimin e jetës, shëndetit dhe humorit të njerëzve.
Kënaqësi të tilla si ushqimi, dashuria, arti, nuk njohin moshë, janë në cdo vend e komb me ndryshimet e ritet e nevojshme, nuk njohin as harresë, e as shuarje. Janë gjithnjë forma të përdëllimit njerëzor, askush nuk u mërzitet këtyre gjërave, nuk ka sesi. Të çohesh nga një shtrat dashurie, apo nga një tavolinë ku ke lënë atje lëvozhgën e një gaforreje të freskët, me ca ofshama në të dyja rastet, nga kënaqësia e provuar, më duket se është e njëjta gjë. Të thithësh një ushqim të shijshëm ka në vetvete një lloj erotike të brendshme që s’mund të shpërfillet, as të hidhet poshtë.
Nuk ka kategori njerëzish, që të mos ketë kontribuar, secili sipas mënyrës së vet, i intriguar brenda magjisë se pijeve e të ngrënave, në shpikjen dhe perfeksionimin e të gatuarit, kush me një pjatë të re, kush me një ëmbëlsirë apo pije, duke nisur që nga shtëpijaket e përjetshme, deri tek kalorësit e dikurshëm, priftërinjtë e murgeshat, disa prej të cilave shpikën pijet më në zë të Francës apo ëmbëlsirat më afrodiziake.
“Manastiret ishin magazina të vërteta të më të mirave gjëra të ngrënshme. Kuzhinierët e klerit kanë bërë të mundur përparësinë e këtij arti”- thuhet në faqet e një libri shkruar nga francezi Brillat Severin- që rrojti nja dy shekuj më parë dhe i dedikoi artit të kuzhinës, duke shkruar në një mënyrë pothuaj filozofike, librin ” Fiziologjia e shijes”, ku me një kënaqësi të pafre rradhit anektoda, kuriozitete e kujtime, duke iy rikthyer kohës së kënaqësive elegante. Është i konsideruar prej njerëzve të letrave, si filozofi i parë i tavolinës së të mirave.
Kujtoni festat në breg të detit, apo piknikët dhe ia ku ia behin gra të hijshme, vajza që rrezatojnë shëndet e freski, tek i sheh sesi shtrojnë përmbi bar cohat e pëlhurat shumëngjyrëshe, e mbi to ulin lloj- lloj ëmbëlsirash të bëra në shtëpi, mishra të pjekura, sallatëra te ndryshme, birrë dhe verë. Tek hanë e pijne me të dashurit, të përhumbura gjer në dalldi… Piktorët e 800- ës, Renuari, Matisi etj. dinin diçka më shumë se ne për këto lloj festash, dhe me penelat e tyre i kane fiksuar në përjetësi. Kujtoni mysafirët e ardhur, që tek mbllaçiten nuk lënë rast pa lëvduar të zonjën e shtëpisë, duart e saj të shkathëta e bujarinë. Apo sesi i kushtojmë një rëndësi të veçantë menusë, përzgjedhjes së pijeve, kur ndodhemi në ndonjë restorant dhe të mendojmë se gjer para tre shekujsh nuk ekzistonin këto lloj lokalesh e dëfrimet dhe kënaqësitë që sjellin në vetvete.
Të hash për të jetuar, apo të jetosh për të ngrënë? Fundja fundit, asnjë prej të dyjave s’ është ide e keqe, apo jo? Është si një ëndërr që kompenson një parajsë të humbur; atë të dashurisë së shpenguar dhe të jetës së lirë… Se keni idenë, sa më pëlqejnë njerëzit, që kur ulen të hanë, nuk njohin asnjë normë, nuk jane të ngurtësuar; ofshajnë, lëvdojnë, pëtypin, mbllacitin, kapin me duar, kafshojnë me dhëmbë kofshën e gjelit, përlyejnë pakëz turinjtë me yndyrë. Nganjëherë, si të zënë në faj, qeshin nga gjestet e tyre si të fëmijëve, përhumben në ëndrra dhe i këput gjumi, eksitohen, u zgjohen nepse, kujtime, copëza dashurish, gjithfarë gjërash, u zgjidhet goja dhe shpirti…
Nuk e vë në dyshim, se ushqimi dhe dashuria, i japin një kënaqësi të pafundme jetës së njerëzve, por kjo nuk do të thotë, që këto të jenë, të vetmet qëllime në jetët e tyre.
Please follow and like us: