Albspirit

Media/News/Publishing

Irgena R. Dokollari: Trajtimi i grave të dënuara

Shoqëria me vite ka luftuar për barazi gjinore. Të drejtat e grave gjithmonë kanë qenë të shkelura dhe nën hije. Të jesh grua do të thotë shumë. Ende paragjykimi i grave për veten si fillim dhe më pas paragjykimi i shoqërisë për to nuk ka marrë fund.

 

Sigurisht që unë si njohëse e ligjit jam kundër veprave penale dhe synoj në arritjen e riedukimit dhe integrimin e çdo personi që kryen një vepër penale. Analizimi nuk konsiston se kush e kryen veprën penale pasi çdo individ që cenon të drejtat dhe liritë e dikujt tjetër duhet të mbajë përgjegjësinë që ligji i ngarkon. Analiza ime do të jetë se çfarë ndodh në rastin kur një vepër penale kryhet nga një femër?!

Kur kemi shkelje të rregullave dhe ligjit masa e përcaktuar do të jepet në varësi të cenimit të rendit publik. Sigurisht që ashtu si për kategorinë e të miturve edhe për kategorinë e grave parashikohet marrja e masave të tjera paraprake para arritjes të masës me paraburgim apo dënim. Kjo ndodh në varësi të rrezikshmërisë shoqërore dhe veprës të kryer. Sa i përket këtij parashikimi jam shumë dakort, por çfarë ndodh kur është e nevojshme marrja e masës së paraburgimit apo dënimit me burg për një grua?!

Sipas ligjit “Trajtimi i të dënuarve me burg ose paraburgim”, i dënuari ose parabugosuri duhet të vendosen në një institucion afër vendbanimit të tyre. Këtu sigurisht lind trajtimi ndryshe pasi vendi ynë ende nuk ka arritur mbulimin në terren të një nevoje të tillë. Nuk kemi institucione dënimi për gratë afër çdo vendbanimi të tyre. Ndoshta sepse numri i veprave penale të kryera nga gratë është më i ulët se veprat penale të kryer nga meshkujt. Por sërish nuk mund të justifikohet me shifrën e veprave penale nevoja e kësaj të drejte themelore e parashikuar edhe nga konventat apo ligjet ndërkombëtare. Kapaciteti i ulët i institucioneve të dënimit apo paraburgimit për gjininë femërore është problematike dhe sa i përket nënkategorive të tyre. Ligji parashikon që të miturat duhen vendosur në institucione të ndryshme nga gratë e rritura. Dhe pse kjo mund të tingëllojë sikur zbatohet sërish për mua ka vend për dyshim.

Respektimi i të drejtave të grave në institucione është një çështje debatuese. Madje çështjë të ndryshme janë paraqitur edhe para Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ). Në çështjen Price kundër Mbretërisë së Bashkuar kërkuesja ishte dënuar me 7 ditë heqje lirie dhe ishte dërguar në polici. Ajo ishte e paralizuar dhe vendosja e saj në qeli i kishte shkaktuar dëme shëndetësore dhe më të rënda. Kjo sipas GJEDNJ ishte një trajtim poshtërues dhe çnjerëzor nga ana e autoriteteve.

Edhe në legjislacionin tonë paraqitet një parashikim mbi trajtimin e veçantë të grave me probleme fizike, psikologjike. Dhe pse është e qartë që mosprania e psikologëve apo fakti që nuk i kushtohet rëndësi nga ana e autoritetit është haptazi një moszbatim i thellë i ligjit.

Ende në Shqipëri prania e psikologut dhe roli i rëndësishëm e tij nuk është nënvizuar. Në institucionet e dënimit psikologu duhet të punojë fort mbi këto gra të cilat mund të kenë qenë viktimë e dhunës fizike, psikologjike apo seksuale të cilat të nxitura nga ky trajtim çnjerëzor mund të kenë shkaktuar një vepër penale. Mbajtja e kësaj kategorie në jetë është tepër e rëndësishme. Analizimi nëse personaliteti i një gruaje e përballon qelinë apo propabiliteti i kryerjes të një vetvrasje sërish është shumë i rëndësishëm.

Një faktor tjetër është edhe dënimi i grave shtatëzana apo i nënave që ende fëmijën e kanë në gji. Sigurisht që ligji parashikon që qelia nuk është vendi ku këto gra shtatëzana apo lehona do të vendosen nëse rrezikshmëria nuk është e lartë, por çfarë ndodh kur dënimi në institucionet e paraburgimit apo bugimit është i nevojshëm. Sigurisht që lind nevoja e një trajtimi të hollësishëm. Këto gra duhet të vendosen në ambjente të posaçme dhe të jenë nën kujdesin e vazhdueshëm të stafit mjekësor. Po ashtu edhe duhen plotësuar të gjitha kushtet në rastet kur interesi më i lartë i fëmijës është vendosja pranë institucionit ku nëna e tij kryen dënimin.

Gjithashtu në bazë të studimeve sa i përket nevojave të higjenës duhet punuar shumë fort pasi nevojat e grave sa i përket higjenës janë më të shumta. Po ashtu edhe kontrolli mjekësor hera-herës mbi luftimin e kancerit të gjirit nuk duhet anashkaluar. Përkundrazi si një çështje që kërkon ndërgjegjësim autoritetet duhet të jenë ato që nuk lënë pas dore asnjë nevojë shëndetësore.

Trajtimi i grave në institucione ka ende nevojë për përmirësim pasi aktualiteti në këto ambiente paraqitet i hidhur. Ne duhet të zbatojmë kriteret europiane dhe t’iu përafrohemi sa më shumë këtyre vendeve pasi gratë e gjithë botës janë të barabarta dhe ato e meritojnë të trajtohen njësoj.

Të drejtat e tyre themelore nuk mund të mbeten në hije për shkak të veprës penale që kanë kryer përkundrazi ato kanë nevojë për më shumë vëmendje pasi ne kemi nevojë për një individ të riedukuar. Për një individ që i theksohet gjithmonë që të drejtat e individit janë thelbësore dhe nuk duhen shkelur nga askush. Mendoj që arritja më e madhe e kodeve ligjore është përfundimi: Individi u rikthye si një person i dobishëm për shoqërinë, ndaj dhe institucionet e ekzekutimit të veprave penale duhet të jenë në propocionalitet me të gjitha rregullat dhe nevojat e individëve të dënuar.

Please follow and like us: