Ismail Xhaferi: Kur vjen hëna e vendlindjes…
Kur vjen hëna e vendlindjes,
sapo nis e bëhet muzg,
sjell tek unë ca pika vese,
që nga lulet në Çajup.
Vjen tek unë kjo Hënë e Lunxhit,
udhëton natën mbi re,
sjell këtu një copëz shpirt,
shpirtin që kam lënë atje.
Hënë e bukur e vendlindjes,
pranë dritares vjen e rri
dhe vërvit ca lule mollësh,
këputur në Lunxhëri.
Më sjell pranë një copë ylber,
të kristaltë si një pikë lot,
sjell edhe një copëz vjeshte,
vjeshtë si kjo nuk ka në glob.
Më sjell pranë ca vile rrushi,
që një dorë e butë i vjel
dhe më sjell ca ujë burimesh,
ujin që nga bora del…
Lart nga mali i Lunxhërisë,
më sjell pranë erën e çajit
por më sjell dhe ca trishtim,
që nga varri i babit.
Më sjell pranë sa e sa herë,
zërin e zbehur të nënës,
më sjell dhe një psheritimë,
psherëtin një shkollë pa nxënës.
Më sjell pranë një këngë të re,
mbledhur diku monopatit,
por më sjell dhe një grusht mall,
mall për rrugicat e fshatit.
Dhe më sjell një zile shkolle,
tek parmaku me dritare,
dhe më sjell ca zëra zogjsh,
të më çmendi mua fare.