Albspirit

Media/News/Publishing

Mevlan Shanaj: Requem për Kujtim Laron!

Ishim studentë, një natë erdhi Kujtimi në dhomën time, mbylli dritën, dogji letrat e së dashurës, filloi të qante dhe me hirin e letrave, fshinte lotët duke kënduar me kitarë për dashurinë e humbur! Në filmi “I teti në bronx” ishim të porsa diplomuar dhe po merreshim me filmin. Të dy të rinj, jo nga Tirana, për të na siguruar mundësi banimi nga Drejtoria e Kinostudios improvizuan një dhomë në hyrje të ndërtesës. I sollën Kujtimit edhe piano. Kështu që flinim te puna të dy dhe isha dëshmitari i parë i notave goditëse të shpirtit të këtij artisti pa limite dhimbjeje. U bë kompozitori i filmit shqptar. Përsëri bashkë, në filmin “Rrugicat që kërkonin diell”, sukses i pa parë. Për dreq u organizua Festivali i Filmit, sic dihet garat kanë edhe cmira. ‘Arriti’ xhelozia të krijonte turbullirën, kështu që stërkëmbëshi ia hoqi çmimin. Ai vetëm rekorde thynte. Pas disa vitesh e mora kompozitor te filmi “Fletë të bardha” tashmë ishte bërë më i kërkuari i kolonës zanore, pas “Udhës së Shkronjave”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Në fillim të verës”, “ Liri a vdekje” etj ( 35 filma). Po përsëri për Enio Moriconnen tonë, që ishte në kulmin e karrierës dhe moshës erdhi bashkëpunimi ynë në “Lule të kuqe, lule të zeza”. Me këtë film u shpall fituesi i muzikës më të mirë në festivalin e radhës. Iku aq shpejt nga sëmundja fatale. Deri në fund një portret fëmije. I pa fajshëm. Ashtu më sillet ende nëpër mend, duke kënduar për dashurinë e humbur. Me letrat e djegura dhe fytyra e përlotur mes hirit. Një shpirt që nuk ka për t’u harruar. Të godet ende çdo tingull i tij. Çuditem sa shumë Shqipëri ka çdo notë e tij?!

Please follow and like us: