Albspirit

Media/News/Publishing

Olimbi Velaj: Lajmërime vdekjesh…

Toka ka të njëjtën peshë, pavarësisht çfarë ndryshon
dhe të gjithë jemi të dheut, kurdoqoftë…
Këto ditë, teksa jeta hepohet midis ajrit në dhoma
trishtohem nga lajmet për vdekjet
miqtë që shkuan pa u moshuar
vijnë në shpirtin tim si vegime
si flutura qiellore në lojën e mbrame rreth dritës
në faqet e para të librave kanë lënë autografet
të vetmen gjurmë të njëmendtë mbetur prej tyre
shkrimin e dorës, atë hepim shkronjash majtas apo djathtas
dhe një urim të hedhur në çastin e shkujdesur të takimit
Toka vazhdon të mbështjellë trupat
bashkë me barin e saporritur mbi varret e rinj
e gjelbra e mbyll kufirin mes botëve, heshtja vulos gjithçka
teksa shpirtrat e tyre vigjëlojnë diku buzë dhimbjes
si udhëtarë të një stacioni pa drita në një orë të vonë
dhe prania e tyre na ndërmendet si konduktori me fener në dorë
që vjen me ngut të shohë mos ndaloi kush atje atë natë…

Please follow and like us: