Rexhep SHAHU: LIRIA E KOSOVËS KA EMRIN E GJAKUT E TË LOTIT TË GRAVE DHE BURRAVE TË KOSOVËS
Po, liria ka emër, liria e Kosovës ka emër dhe para se me pasë emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ka emrin e nënava të Kosovës sepse liria para se me qenë kontribut i ndokujt tjetër, është kontribut dhe meritë e jashtëzakonshme e nënave të Kosovës.
Kosova para se e gjithkujt tjetër është e nënave të Kosovës, se nënat e Kosovës e kanë mbajtë gjallë Kosovën, e kanë shtue, i kanë dhënë jetë e shpresë.
Liria e Kosovës ka emrin UÇK, ka emrin e mijëra e mijëra shqiptarëve të vrarë për Kosovën në një shekull pushtim e sundim serb, ka emrin NATO, ka emrin Amerikë, ka emrin Europë, ka emrin Gjermani, Francë, Angli, etj etj, ka emrin e qindra pilotëve të Amerikës e të NATO-s që fluturonin e bombardonin mbi armatimet serbe.
Liria e Kosovës ka emrin e lotit të burrave të Kosovës që pikëllonte e zhuriste çdo zemër të ndjeshme të qytetarëve të botës së lirë që u bënë aleatë me Kosovën përballë dhunës çnjerëzore serbe.
Liria ka emër, ka emrin UÇK, emrin e ushtrisë më të re e më të lavdishme të botës moderne, të kësaj ushtrie që së pari drejtoi e trimëroi shqiptarët, ua drejtoi kurrizin dhe i bëri të besonin se edhe serbët i vret plumbi, edhe serbët i vret pushka e shqiptarit se sikur patën harruar shqiptarët se edhe serbët i vret plumbi.
Por ta dimë të gjithë, të gjallë e të vdekur, ku jemi e ku nuk jemi se UÇK nuk janë komandantat apo individët që janë të akuzuar në Hagë, edhe pse janë e mund të jenë krejt të pafajshëm ose të fajshëm ose pjesërisht të fajshëm.
Liria nuk ka emrin e asnjë individi të UÇK apo të asnjë individi komandant apo epror të UÇK. UÇK-ja nuk janë komandantët e saj, UÇK është populli i Kosovës.
Parullat e shkruara e të artikuluara gjithandej “Liria ka emrin UÇK” nuk e bëjnë dot efektin në popullsinë masive. Edhe se kanë kaluar 22 vite dhe janë shëruar shumë plagë të vjetra siç kullojnë gjak shumë të reja.
Por edhe nësë bëjnë efekt në popullsinë shqiptare, nuk kanë asnjë vlerë për gjykatën e Hagës ku gjykohen të akuzuarit. Të akuzuarit nuk kanë dalë të gjykohen nga poulli i Kosovës, ata po gjykohen nga një gjykatë profesionale speciale të krijuar nga vetë ata.
Nëse dikush me parulla ‘Liria ka emër’ don të prekë apo të emocionojë popullin kjo bëhet për efekt votash dhe kjo nuk është ndershmëri as përkrahje për të akuzuarit në Hagë.
Hashim Thaçi ka thënë një fjalë të madhe ditën e dorëheqjes para se me hypë në avion, është çmim i vogël ky që duhet të paguajmë për Kosovën dhe lirinë e saj, duke llogaritur se mund të ishte i vrarë si shumë shokë në luftë që janë vrarë.
Kontestimi i vetëm i kësaj gjykate dhe akuzat ndaj Thaçit e Veselit bëhen se nuk janë duke u gjykuar edhe serbët për ato kohë për krimet e tyre.
Shumë që shkruajnë po duan që Kosova të ngrinte gjykate të gjykonte serbët, por parlamenti i Kosovës që e ka ngritë këtë gjykatë nuk mund të ngrinte gjykatë të gjykonte shtetasit krimimelë të një shteti tjetër që është dëbuar me dhunë e me luftë prej Kosove.
Kjo që kërkohet nga eksponentët e Kosoves është e padrejtë, ata nuk mund të fusnin në kopetencat e kësaj gjykate speciale të Kosovës edhe gjykimin e shtetasve krimimelë serbë. Plus që kjo gjykatë është asistuar nga miqtë që e kanë çliruar Kosovën, që ta zhveshin Serbinë edhe nga këto maniera dhe ta pastrojnë Kosovën nga çdo akuzë serbe, pasi ia morën Kosovën Serbisë me luftë.
Pra po thonim se ‘Liria ka emër’, ka emrin UÇK. Bukur që e ka këtë emër, por, para se ta ketë emrin UÇK, liria e Kosovës ka emrin e 11.840 shqiptarëve të vrarë e të masakruar nga ushtria e policia serbe, ka emrin e 1.392 fëmijëve shqiptarë të vrarë e të masakruar, fëmijë të moshës deri 18 vjeç; ka emrin e 296 fëmijëve të masakruar të moshës deri në 5 vjeç; ka emrin e 1.739 grave, vajzave e nënave të vrara, zhdukuar e masakruara mizorisht nga serbët; ka emrin e 1.882 pleqve, plakave, të moshuarve mbi moshën 65-vjeçe, ka emrin e 5081 të qytetareve të vrarë e masakruar të moshës nga 19 deri në 64 vjeç, ka emrin e 1.450 njerëzve ende të pagjetur, liria e Kosoves ka emrin e 20.400 vajzave e grave të përdhunuara shqiptare; ka emrin e 100 mijë e 600 shtëpive e banesave e objekteve të djegura e të shkatërruara nga serbët, ka emrin e 358 shkollave të djegura e të shkatërruara nga serbët; ka emrin e 71 zyrave të institucioneve të djegura e të shkatërruara nga serbët; ka emrin e 30 shtëpive të kulturës të djeguara e ta shkatërruara nga serbët; ka emrin e 93 bibliotekave publike dhe shkollore të djegura e të shakatërruara nga serbët; të 123 objekte shëndetësore të shkatërruara nga serbët; të 215 objekteve fetare (xhami, teqe, tyrbe); të 5 kisha katolike; të 88.101 objekteve ekonomike shtetërore e private ndihmëse; ka emrin e 70 % të bagëtive të Kosovës që e asgjësuan dhe grabitën.
Dhe për fund, liria e Kosovës ka emrin e një milion të dëbuarve nga dhuna serbe. I dëboi Serbia dhe nuk mundi askush t’u delte zot, liria e Kosovës ka emrin e çdo shqiptari që u detyrua të merrte udhët e ferrit. Liria e Kosovës ka emrin e çdo shqiptari të vrarë nga serbët dhe duart e zgjatura të tyre në Kosovë dhe viset shqiptare.
Liria e Kosovës ka emrin e mbi 50 mijë ushtarëve të NATO-s që u instaluan në Kosovë, të mijëra e diplomatëve e organizatave civile që ndihmuan e lehtësuan në këtë mision të madh.
Liria e Kosovës ka emrin e shumë diplomatëve botërorë, që u bënë bashkë me Kosovën, por liria e Kosovës ka në themelet e saj tre emra të mëdhej amerikanë, ka emrin e Bushit të vjetër, të Bill Klintonin dhe të Bushit të ri që tha, mjaft e është mjaft, Kosova e pavarur dhe sot e njohin mbi 100 shtete të botës.