Albspirit

Media/News/Publishing

Engel: Të hetohet çdokush që ka kryer krime lufte, jo vetëm shqiptarët

Uashington, 18 nëntor 2020 – Komiteti për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve i SHBA-së, të cilin e kryeson kongresisti Eliot Engel, ka thënë se çdo kush që ka kryer krime të luftës në Kosovë, pa marr parasysh etninë, duhet të sillet para drejtësisë.

Ky reagim erdhi pas raportimeve të mediave se trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës 1998-99 janë gjetur në një varrezë masive në Serbi, afër kufirit me Kosovën.

Engel ka kritikuar edhe më herët Gjykatën Speciale me seli në Hagë e cila deri tash është duke hetuar vetëm shqiptarët për krime të pretenduara se janë kryer gjatë dhe në muajt e parë pas mbarimit të luftës në qershor të vitit 1999.

“Çdokush që ka kryer krime lufte, pavarësisht nga përkatësia etnike, duhet të dalë para drejtësisë. Pikë. Por, drejtësia nuk duhet të shihet përmes një prizmi nga i cili mund të kalojnë imazhe të vetëm një etnie. Tash për tash, duket se kjo po ndodhë në Kosovë me Gjykatën Speciale, dhe diçka duhet të ndryshojë”, thuhet në një deklaratë në llogarinë e Twitter-it të Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve që kryesohet nga Engel.

“Ata ende po gjejnë trupa të varrosur në Serbi, viktima të (fushatës së) Millosheviqit për pastrim etnik në Kosovë”, thuhet më tutje.

Më datë 16 nëntor, në afërsi të Rashkës në Serbi, janë gjetur mbetje mortore të cilat dyshohet se i përkasin viktimave shqiptare nga Kosova.

Informacionin mbi zbulimin e mbetjeve mortore në Kizhevak, afër kufirit me Kosovën, fillimisht më 16 nëntor e bëri të ditur drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, Arsim Gërxhaliu. Ai konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se bëhet fjalë për mbetjet mortore të shqiptarëve të Kosovës.

Në lokalitetin e njëjtë janë bërë gërmime edhe në vitin 2015./ylliria press/

Please follow and like us: