Albspirit

Media/News/Publishing

PARIS-PRESSE, 1963/KUR MBRETËRESHA GERALDINË KËRKONTE 500.000 FRANGA DËMSHPËRBLIM NDAJ REVISTËS ‘L’HISTOIRE POUR TOUS’ PËR SHPIFJEN NDAJ MBRETIT ZOG

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 19 Nëntor 2020

 

“Paris-presse” ka botuar, të mërkurën e 18 shtatorit 1963, në faqen n°7, një shkrim në lidhje me procesin gjyqësor të mbretëreshës Geraldinë ndaj revistës franceze “L’Histoire pour tous”, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Geraldina e Shqipërisë kërkon këtë shumë nga një revistë e cila akuzon Zogun I se “ka marrë rezervat e arit nga thesari i shtetit” gjatë pushtimit italian

500.000 franga për nderin e një mbreti

Në gjyqin “historik” i cili është thirrur këtë pasdite, përpara dhomës së 17-të korrektuese, avokati Jean-Louis Aujol mbron, sipas traditës së mirë, të venë dhe jetimin.

 Por kjo e ve dhe ky jetim janë një mbretëreshë dhe një bir mbreti. Geraldina e Shqipërisë ka hedhur në gjyq revistën mujore “L’Histoire pour tous”, të cilën e akuzon se ka shpifur mbi memorjen e burrit të saj, Zogut të Parë.

 Një artikull i Jo (Joseph) Tranchal-it, i cili u botua në numrin e qershorit 1962, i ka bërë vërejtje ish-mbretit për faktin se, kur ai u dëbua nga froni i tij në 6 Prill 1939, nga pushtimi italian, “lejoi të flijoheshin tre batalione të ushtrisë së tij” dhe “mori me vete rezervat e arit të thesarit të Shtetit”.

 Guximtar

 Sovrania kërkon 500,000 franga dëmshpërblim.

 U prita nga ajo, natën e kaluar, në vendbanimin e saj parisien që ajo ka mbajtur. Ajo po mbërrinte nga Madridi, ku është vendbanimi i saj.

 Geraldina e Shqipërisë i ngjan legjendës së saj: shumë e gjatë, shumë e bukur, bjonde me sy të mëdhenj gri dhe një buzëqeshje me “gropëzat” në faqe. Ajo është veshur e gjitha me të zeza: u bënë dy vite që kur mbreti Zog vdiq.

 — Burri im, më tha ajo, ishte një burrë trim dhe një njeri me nder. Akuza të tilla janë të pamundura ! Unë thirra si dëshmitar ish-ambasadorin e SHBA-ve në Shqipëri, z. Hugh Grant, burra shteti francezë dhe ish-oficerë të burrit tim.

 Ne u detyruam të largoheshim sepse Zogu refuzoi të shiste vendin e tij te Musolini. Unë u largova nga Tirana nën bombat italiane, duke mbajtur në krahë djalin tim, Lekën, i cili lindi një ditë më parë, më 5 Prill…”.

“— Unë i besoj drejtësisë, më tha kundërshtari i mbretëreshës, z. Jean Eldin, drejtori-menaxhues i “L’Histoire pour tous – Historia për të gjithë”: Revista ime boton vetëm artikuj të kontrolluar me burimet më të mira.

Emri i drejtorit të saj letrar, Alain Decaux, është garancia më e sigurtë e seriozitetit të kërkimeve tona. Në këtë artikull, ne jemi kufizuar në bërjen e historisë. Avokatët e mi, Gabriel Delattre dhe Jean – Edouard Bloch, do të prodhojnë dokumente të pakundërshtueshme, përfshirë një tekst nga akademiku Jérôme Tharaud”.

Jean-Paul LACROIX

 

https://www.darsiani.com/la-gazette/paris-presse-1963-kur-mbreteresha-geraldine-kerkonte-500-000-franga-demshperblim-ndaj-revistes-l-histoire-pour-tous-per-shpifjen-ndaj-mbretit-zog/

Please follow and like us: