Albspirit

Media/News/Publishing

Vaksina anti-Covid-19 e “AstraZeneca” dhe Universitetit të Oksfordit nxit imunitetin tek të moshuarit

Në artikullin e publikuar në revistën mjekësore “Lancet” mbi vaksinën e mundshme kundër llojit të ri të koronavirusit, zhvilluar nga “AstraZeneca” në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, bëhet e ditur se testimet e fazës së dytë në mbi 560 vullnetarë janë “inkurajuese”.

Artikulli thekson se studiuesit po testojnë gjithashtu nëse vaksina ndalon njerëzit të zhvillojnë COVID-19, një provë e fazës së tretë.

Rezultatet e hershme nga kjo fazë e rëndësishme priten në javët e ardhshme.

Tashmë 3 vaksina (Pfizer-BioNTech, Sputnik dhe Moderna) kanë rezultuar me të dhëna të mira paraprake nga provat e fazës së tretë. Njëra prej tyre pretendohet të ketë deri në 94% efikasitet tek personat mbi 65 vjeç.

Anglia ka porositur aktualisht 100 milionë doza të vaksinës së Oksfordit, të prodhuara nga “AstraZeneca”, 40 milionë doza të vaksinës së prodhuar nga “Pfizer” dhe “BioNTech”, si dhe 5 milionë të vaksinës së kompanisë “Moderna”.

Sfida me zhvillimin e një vaksine antiCOVID është që të nxisë trupin për të luftuar kundër virusit pa marrë parasysh sa vjeç është personi i vaksinuar.

Por duke qenë se të moshuarit kanë një sistem imunitar më të dobët, vaksinat nuk priret të funksionojnë sikurse tek të rinjtë.

Këto rezultate të provave nga Universiteti i Oksfordit sugjerojnë që kjo mund të mos jetë problem. Ato tregojnë se të moshuarit e moshës 56-69 dhe mbi 70 vjeç kishin një përgjigje të ngjashme imune sikurse ata moshës 18-55 vjeç.

Dr. Maheshi Ramasamy, studiues i Grupit të Vaksinave të Oksfordit, deklaroi se u kënaqën jashtë mase kur panë që vaksina po jepte përgjigje të ngjashme imune jo vetëm tek të rinjtë, por edhe tek të moshuarit.

Megjithatë drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka paralajmëruar më herët se vetëm vaksina nuk do të jetë e mjaftueshme për të mposhtur pandeminë e COVID-19.

“Vaksina do të plotësojë mjetet e tjera që kemi dhe nuk do t’i zëvendësojë ato”, ka thënë Ghebreyesus në një takim të Këshillit Ekzekutiv të OBSH-së.

Prandaj ai bëri thirrje që masat për të kontrolluar përhapjen e koronavirusit – të tilla si testimi, karantina, gjurmimi dhe monitorimi i kontakteve – të mos shfuqizohen para kohe.

Please follow and like us: