Anila Cohen: Kur vallëzojnë ëngjëjt
-Super yll i bukur – lexoi mesazhin në postën elektronike.
Personi që e kishte shkruar ishte një arkitekt në të dhëna, masterizuar jashtë shtetit dhe me një kurikulum të stërholluar.
Shtrembëroi fytyrën. Këto komplimente klishe nga të panjohur ‘të famshëm’ e besdisnin, në vend që t’i kënaqnin sedrën. Sharmi dhe eleganca e një zonjushe, kombinuar me kulturën e trashëguar nga familja,e kishin bërë të binte gjithmonë në sy dhe të ishte objekt ngacmimesh, madje jo rrallë edhe xhelozie brenda gjinisë.
Dita ishte e ftohtë. Mes punëve të shumta i duhej të merrej edhe me delegacionin që sapo kishte ardhur në Tiranë. Mbaroi telefonatat rutinë të akomodimit, mori makinën dhe u nis për në aeroport. Ishte tetor dhe vjeshta ishte stina e saj e preferuar.
Në Tiranë mbërritën pasdite vonë. Ishte e rraskapitur. U fut në dush dhe nën ujin që rridhte filloi të ndjehej më mirë. Nuk e kuptoi sa kishte ndënjur kur e shkundi zëri i së ëmës që i thoshte se telefoni i saj po binte pa pushim. Doli e mbështjellë me peshqir te madh ngjyrë mavi dhe u habit nga zëri në anën tjetër.
– Yll i bukur, si je? Mos më pyet ku ta gjeta numrin.
– Me kë flas?
– Të kam shkruar dje, nuk më mban mend?
– Jo. Jeni shtuar shumë – i tha ftohtë pa e fshehur bezdinë. Nga ana tjetër e telefonit zëri vazhdonte.
– A mund të pimë një kafe? – Në fakt jo sot, se jam i zënë, ndoshta nga java… sepse edhe në fundjavë duhet të nisem jashtë për punë.
– Rrugë të mbarë – iu përgjigj dhe i mbylli telefonin pa e vrarë shumë mendjen nëse zëri do e merrte për një femër të paedukatë.
I ishte dashur të merte vendime e vetme gjithë kohës. Kjo i kishte zhvilluar instiktin e vetmbrojtjes, ndoshta edhe vite të tëra pritje e kishin bërë tjetër njeri. Kishte ‘marrë hua’ nga egërsia e arsyetimeve normale në një botë ku realja gjithmonë fiton.
Një të premte në darkë, ndërsa përkthente me kufje në vesh, hodhi sytë nga televizori. I tërhoqi vëmendjen debati që zhvillohej në një emision mbi terrorizmin. Njeriu që fliste çuditërisht po thoshte me zë të lartë ato që ajo i mendonte prej kohësh – A mund të quhen terrorristë vetëm muslimanët? Kujt i shërbente dhe kush i frynte këtij zjarri.
La mënjanë materialin dhe ngriti zërin. Në fillim iu duk fytyrë e parë dhe më pas një zë i njohur. Ishte ai. Pasi mbaroi emisioni vendosi ta merte në telefon dhe ta komplimentonte. Më mirë një mesazh. Pas 20 sekondash nga ana tjetër e telefonit dëgjoi zërin, por tani nuk kishte asnjë nuancë flirti. Biseduan me orë. Po ashtu edhe të nesërmen. Kishin kaluar disa jave nga telefonata e tyre e fundit dhe ajo u cudit që ai i kishte ruajtur ende numrin.
Të nesërmen ishte e diel. Ajo ishte mësuar të flinte deri vonë. Kur u ngrit pa 12 thirrje të humbura.
Në mesditë ishte futur në profilin e tij në internet dhe kishte parë një foto të tij me patericë.
– Ke vrarë këmbën?- pyeti me shqetësim sapo e telefonoi.
– Pse mendon se kam vrarë këmbën, – pyeti ai
– Po ishe me patericë…
.- Çfarë po bën tani?
-Po drekojmë, – iu përgjigj.
-Mbaro, ju bëftë mirë. Flasim më vonë. Po ti vërtetë nuk më njeh mua?
– Jo, – ju pergjigj ajo me shumë sinqeritet.
-Ok, mbaro dhe flasim më vonë.
Të dielave babai i saj e kishte zakon të mblidhte gjithë familjen në tryezë. Puna dhe rutina e jetës po i ndante gjithmonë e më shumë nga njëri-tjetri dhe koha së bashku në familje po bëhej më e rrallë.
Sapo ishin ulur për të ngrënë. Dëgjoi zilen e telefonit. Ajo kishte një lumturi të brendshme prej disa ditësh. Fliste dhe qeshte pa pushim.
Shkeli ‘rregullat’ e tryezës dhe lexoi mesazhin e sapoardhur.
“Goc e bukur, unë jetoj mbi dy paterica. Nuk i kam këmbët dhe jam më i fuqishëm se 10 burra bashkë”.
– Duhet të jetë një shaka – tha me vete. Patjetër, është një shaka… Po si mund te bëjë njeriu shaka të tilla?!
Kërkoi leje dhe u ngrit nga tryeza. Shkoi pranë kompjuterit dhe për herë të pare klikoi emrin e tij dhe hapi profilin personal. Nuk po ngopej dot me frymë. Ishte e mpirë totalisht.
Pa këmbë, mbi dy paterica dhe më i fortë se 10 burra bashkë!
Lotët filluan t’i mbulonin fytyrën. Nuk kuptonte më asgjë. Unë jetoj mbi dy paterica… pa këmbë!
Nuk i shkruajti menjëherë. Po perpiqej të sillte ndërmend të gjithë ata njerëz të njohur që jetonin me paterica dhe kishin një jetë normale. Po perpiqej fort të bënte autosugjestion që të ishte e gatshme për një përgjigje.
Pas shumë orësh arriti të mblidhte disi veten dhe i telefonoi. Zëri nga ana tjetër erdhi i mekur
– Po…
-Kur mund të takohemi?
– Pse je e sigurtë që do të më takosh?
– Sepse kam njohur shumë njerëz në jetë me paterica në shpirt. Kur mund të takohemi?
– Mendova se të humba prap. Unë nisem nesër në mëngjes herët jashtë shtetit. Mendoj se është më mirë të takohemi kur të kthehem. Si thua? Fli tani. Do të të shkruaj nga aeroporti. Gjumë të ëmbël, Dashuri.
Gjatë kohës që ai ishte jashtë flisnin papushim. I ndante nga njëri-tjetri vetëm gjumi. Shpesh ajo flinte me telefonin hapur dhe ai dëgjonte frymëmarjen e saj të qetë.
Atë ditë që ai kthehej ajo kishte organizuar gjithcka. Pritjen, veshjen e saj, restorantin ku do darkonin.
Orët e fundit para se të nisej për në aeroport i kaloi tek parukierja. Kishte kaluar gjithë pasditen nëpër dyqane për të zgjedhur veshjen dhe tani ishte gati.
Hyri në barin e aeroportit dhe e dalloi nga larg tek e priste krahëhapur.Vrapoi me zemrën që po i dilte nga kraharori. Ai i mori fytyrën në duar dhe filloi ta nuhaste rreth buzëve, mollëzave, qafës. Duke prekur vetëm lëkurën me buzë dhe ajo bëri të njëjtën gjë. Ishte puthja e tyre e parë që e ‘pagëzuan’ – Butterfly kiss.
Nxituan të dilnin nga bari. Ai hodhi në sup cantën e shpinës dhe mori patericat me një lëvizje të ngadaltë. Vetëm atë moment ajo pa këmbët e tij dhe gati sa nuk u rrëzua në tokë nga tronditja. Ai lëvizte mbi paterica falë forcës së duarve, pa prekur tokën. Iu desh një përpjekje titanike të mos e jepte veten. Eci përpara drejt derës. Sapo doli në ajër të pastër ndjeu se kishte nevojë të ulej. Ndezi një cigare për të fituar pak kohe. U mundua të sillte në mendje ata njerëz që ishin në gjëndjen e tij. Nuk iu kujtua askush, madje kjo e acaroi më tepër. Gjatë udhës së kthimit ai fliste me taksistin, duke ia mbajtur dorën në pëllëmbët e veta. I dëgjonte në heshtje. Një dridhje e lehtë nuk po i ndahej.
I kërkoi shoferit të merrte rrugën për në plazh. Sapo kishte filluar të binte muzgu kur arritën. Duke ecur në bregun e detit donte të bëhej njësh me delirin e tallazeve. Ngjante më tepër si një njeri që po ikte për disa caste nga vetja. Një anije e mbetur në afërsi të bregut përpiqej të merrte me të mirë valët e egërsuara.
Zëri i tij e përmendi dhe pa veten mes renkimit të motorëve, klithmave të zogjve dhe perëndimit.
Me sytë nga qielli, po shkonte drejt një golgote të pakthyeshme. Kishte ardhur deri aty me këmbët e saj, pa skena të përgatitura, intuitivisht. E bindur se do të gjente dhe të prekte atë që e kishte kërkuar tërë jetën. Kur arritën në Tiranë ishte errur plotësisht. Makina e ndali përballë një dere hekuri. Ishte një shtëpi e vogël, me pjergull dhe limona që lëshonin një arome dehëse deri jashtë. Kapërceu si nëpër ëndërr oborrin e shtruar me pllaka dhe u ndal përballë hyrjes.
Dhoma e tij ndriçohej butë nga një abazhur i kaltër. Mobiljet e drunjta i jepnin hijeshinë e një skene teatri. Mbretëron te rregulli dhe pastërtia.Shtrati vendosur në mes dy komodinave iu duk i stërmadh. I hoqi sytë menjëherë me shpresë që ai nuk e kishte vënë re kureshtjen e saj. Kishin folur gjatë kur ai ishte larg për natën e tyre të parë. Tani ishin kundruall njëri tjetrit. Ai e ftoi të ulej në poltronën e vetme të dhomës. Vetë u sistemua në karrigen përballë saj dhe u lëshua mbi gjunjët e saj që ende dridheshin.
– Më kishte marrë malli të mbështetesha në një prehër besimi – pëshpëriti me fytyrën ngjeshur tek ajo. – Sonte kuptova se të presësh për ty është më e bukura e pritjeve. Çfarë dite e bekuar të ka lindur ty dhe të ruajti vetëm për mua?
Ajo nuk lëvizi. Nuk e dinte në ishte kjo ajo që donte të dëgjonte.
U zhvesh pa e fikur dritën. Ai e priste në shtrat duke parë lëvizjet e saj të ngadalta. Pak sekonda më vonë ajo ndiente prekjen e gishtave të tij që e sollën në vete dhe e bënë të rrënqethej nga një pafundësi biorrymash. Dy puthje puhize i erdhën si një dhuratë qiellore, fryt i një qënie të mbushur me çiltërsi dhe natyralitet që gjëndet vetëm në përrallat e virgjëra të foshjeve.Të dy kishin harruar se egzistonin dhurata të tilla që i kthejnë netët në kujtime të pazëvendësueshme të jetës.
Thellë-thellë ajo ishte një shpirt i vështirë, zgjedhur për të ngritur një ëndërr fluturake. Ëndërr e papërcaktuar, fillim e mbarim. Shpërngulje gjigande ndjenje që vendos të sakrifikojë gjërat më të shenjta e më të shtrenjta të një gruaje dhe tejshtrihet aty, ku të panjohurën, fillon ta dëshërosh, thellë, joshëse, erëmirë.
U pa për herë të fundit para pasqyrës dhe u bind se nuk kishte asgjë të tepruar në veshjen e saj. Tualeti i lehtë i nxirte më në pah tiparet e hijshme. Fustani i mëndafshtë me gurët e qëndisur tek jaka i jepte hijen e një zonje të futur rastësisht në një fizionomi vajze të vogël. Mbylli derën dhe vrapoi nëpër shkallë.
Atë ditë do takohej për herë të parë me prindërit e tij. Kishin kaluar disa muaj që ata ishin bashkë. Në fakt nuk kishin qenë muaj të lehtë. Të dy vinin nga eksperienca çuditërisht të ngjashme dhe diametralisht të kundërta. Kishin debatuar dhe ishin dashur si adoleshentë, me pasion. Po jetonin një ëndërr të ndritshme dhe të pakrahasueshme. Dashuria është ndoshta i vetmi fenomen i botës njerëzore që edhe pse përsëritet, përmban një pafundësi tërheqje, përkushtimi, dedikimi, mirësie, dhimbje, lëshimi. Të gjitha këto elemente herë zhvillohen në mënyrë gjysmake e herë në mënyrë pasionante. Të gjitha këto elemente janë pjesë e asaj kohe të shkurtër apo të gjatë kur njeriu ndjen ‘diçka të vecantë’, diçka që nuk mund të matet apo vlerësohet nga jashtë.
Doli nga pastiçeria me një tortë të madhe me gështenja dhe një shishe verë. Në shtëpinë e tij po e prisnin.
Nuk kishte menduar se do gjente aq shumë dashuri tek prindërit e tij. Nuk e pati të vështirë të ndjehej rehat në pak kohë. Hëngrën duke biseduar për gjithçka.
Ai u largua disa herë nga tryeza me pretekste të ndryshme dhe ajo e pa me dyshim. Fytyra i kishte marrë një hije të frikshme që në mëngjes dhe ajo nuk po kuptonte asgjë. Gjatë kohës që u nda torta hodhi sytë shkarazi nga telefoni i tij dhe pa disa mesazhe të pahapura. Ai e rrëmbeu me nervozizëm telefonin dhe e rrasi në xhep pa e vështruar fare në sy. I kërkuan t’i përgatiste ajo kafet gjë që e bëri me shumë dëshirë. Ai e shoqëroi në aneks dhe e puthi prapa qafës.
– Ti gjithmonë dicka më thua e dicka më fsheh – i tha ajo me zë të mekur ndërsa anoi kokën dhe i ktheu puthjen. Nuk donte t’ia prishte ditëlindjen. U nisën bashkë për në shtëpi. Rrugës ai i kërkoi ta linte vetëm sepse kishte dhimbje koke. E vrau mënyra mohuese e të folurit. Ndjeu ta përshkonte një i ftohtë i hidhur, megjithatë iu bind pa fjalë dhe u kthye në shtëpinë e saj.
Të nesërmen askush nuk e theu heshtjen e një nate më parë. Vazhdoi kështu edhe për disa ditë. Një mëngjes në zyrë i erdhi një kuti e madhe me tulipanë të verdhë e mbështjellë me rrjetë në ngjyrë floriri. Hapi pusullën ngjitur luleve dhe lexoi “Të dua TY! Një lule për cdo ditë pranë teje”!
Pas një copë herë ai u dha në derë. U lëshua në kolltuk dhe mori frymë thellë.
– Erdha të rrëfehem – tha – të lutem mos fol, vetëm ulu pranë meje dhe dëgjo.
– Ti s’më ke pyetur kurrë për asgjë dhe unë nuk doja të të mërzisja me të shkuarën time. Tani mendoj se ka ardhur momenti të dish gjithçka. Pas divorcit ndjehesha krejt i humbur. Nuk më ndaheshin nga sytë vështrimet e fëmijëve kur dola nga shtëpia. Por edhe të rrija në një lidhje që kishte mbaruar, nuk e bëja dot. Ti e di që unë nuk jam hipokrit. Për të mirën e të gjithëve vendosa të marr disa rroba dhe të ikja duke lënë prapa gjithë djersën, sakrificat, shpresat, ëndrrat dhe kujtimet e mia. Bëra një jetë të shthurur mes pijes, femrave dhe kumarit. Sa më shumë gaboja aq më mirë ndjehesha. Ndjehesha i barabartë me këtë botë të ndyrë që nuk më pyeti kur linda dhe si linda, por më vuri para sfidash. Sa më shumë kapërceja aq më e egër vinte ‘dallga’ tjetër. U ktheva pas shumë vitesh në vendin tim, me ëndrrën e madhe të bëja diçka ndryshe. Jeta më përballi edhe këtu me njerëz sipërfaqësorë, bosh, intrigantë dhe hipokritë. Isha kthyer me ide të mëdha, por fatkeqësisht pa asnjë grosh. Kështu vendosa të marr hua dhe me fillimin e aktivitetit të shlyeja borxhet. Nuk ishte e thënë të mbaronin problemet për mua. Pasi e mbylla aktivitetin fillova punën në kompaninë e arredimeve. Diten e ditëlindjes më thanë që projekti ishte mbyllur me urdhër të shefit dhe isha i papunë. Pa asnjë shkak, pa paralajmerim.
U kthye nga dritarja dhe ndezi një cigare. E thithi fort dhe vazhdoi me shikimin ngulur jashtë.
– Kur të njoha ty mendova se ishe një shenjë nga Zoti i një ndryshimi të madh në jetën time. Të dua shumë dhe nuk dua të të përfshi në gjithë këto probleme. Tani e mësove të vërtetën. Unë do të të mirëkuptoj edhe nëse vendos të ikësh. Do të të dua gjithë jetën, në heshtje. Por nëse ti vendos të rrish me mua, te premtoj se cdo ditë e jetës tënde do jetë një përrallë. Do ndryshoj dhe do jetoj që të bëhem i denjë për ty. Mos më thuaj asgjë tani, të lutem.
Ajo kishte ngrirë, nuk kishte lëvizur asnjë gjymtyrë. E shikonte përmes mjegullës së duhanit. Ai flaku bishtin e cigares tej dritares dhe doli jashtë.
Nuk ishte frikacake, kishte përballuar shumë situata, por në të gjitha rastet ishte ajo dhe vetja e saj për të marr vendimet e rëndësishme. Tani ajo ishte vetëm gjysma e saj.
A mund t’i besonte? A duhet të merrte përsipër një lidhje me kaq shumë të panjohura? A ishte aq e fortë sa të shpëtonte dikë nga vetja e tij? A e donte aq shumë sa për të marr përsipër këtë barrë?
Shpesh jeta vendos të na flakë në një qoshe. Ndjehemi të trembur, të mposhtur dhe nuk shohim rrugëdalje. Fatkeqësia më e madhe e njeriut eshtë vetmia, pamundësia për të folur me dikë që të na dëgjojë me shpirt të hapur dhe kur kjo ndodh, zgjedhim të bëjmë veprime të dëshpëruara.
Në mbrëmje priti e vetme në restorantin e zakonshëm ku darkonin. Ai erdhi kur ajo i kishte humbur shpresat. Mori një whisky dhe e ktheu me fund. I mori dorën mes duarve të tij, nxorri nga xhepi i xhaketës një kuti të mbështjellë me kadife të errët, e hapi ngadalë. Brenda ishte një unazë me gurë të bardhë që thyente dritën në cepat e prerë duke krijuar ylbere ngjyrash të mrekullueshme.
– Nëse vërtetë më beson, pranoje këtë unazë si shenjë e dashurisë sime të përjetshme. Të lutem mos më braktis. Të dashuroj më shumë se jetën time.
U ul me mundim tek këmbët e saj dhe disa klientë kthyen kokën dhe iu buzeqeshën gëzueshëm.
Ajo po mekej nga ngashërimi, kishte mbetur thuajse pa frymë.
– Besimi nuk është si shpirti, ai është i kapshëm. Besimi nuk mund të ndahet, ai nuk është as i imi as i yti. Besimi është ura, që të dy së bashku e ndërtojmë gur pas guri në rrugën e gjatë që quhet dashuri – tha duke e parë në sy.
Ai mori frymë i lehtësuar. E puthi gjatë, pa pyetur për vështrimet e kureshtarëve përreth.
Ai i kishte ofruar një det me dashuri, por si çdo det kishte tallazet e veta që vijnë në forma të çuditshme në shpirtin e gjithkujt. E bëjnë herë të gëzohet e herë t’i priten krahët. Të duket se ajo që ëndërron, udhëton në një botë të pa arritshme atëhere fanitet shpresa si një yll ëndrrimtar që tregon rrugën drejt fatit të paracaktuar.
Të nesërmen e priste një bisedë e gjatë me prindërit e saj. Nuk e pranonin që vajza e tyre e vetme të martohej me një njeri me probleme. Kështu që biseda kaloi në debat dhe ajo për të mos i lënduar i tha se do të mendohej sërish. Por nuk ishte e vërtetë. Fati i tyre ishte lidhur pazgjidhshmërisht tashmë. Ajo priste fëmijën e tij.
E kishte dëshëruar kaq shumë dhe më në fund i kishte ardhur si dhuratë nga qielli. Atij akoma s’ia kishte thënë. Puna e tij e re e detyronte të largohej gjatë dhe ajo nuk kishte dashur t’ia thoshte në telefon. Nuk e kishte të lehtë të vendoste për beben pa zgjidhur më parë problemet e tij. Kishte folur prej kohësh me një kompani shitblerjeje dhe ata i kishin siguruar një klient të kamur për të shitur shtëpinë e saj në bregdet. Ishte një trashëgimi nga gjyshërit që vlente shumë dhe ajo kishte kujtimet më të bukura të fëmijërisë në atë shtëpi, por tani qetësia e të dashurit të saj dhe familja e re që do krijonin ishte më e rëndësishme se gjithçka tjetër.
Edicionet e lajmeve flisnin për sulme kamikaze në disa nga aeroportet e Evropës. Linjat e fluturimit ishin anulluar për një kohë të papërcaktuar. Ajo kishte ditë pa u lidhur më të në telefon dhe e kishte zënë paniku. Më në fund ai telefonoi dhe i tha që ishte mirë, por i duhej të priste edhe disa ditë për t’u kthyer.
Blerësi i shtëpisë erdhi po atë ditë dhe firmosën dokumentat. Vendosi të merrte nga shtëpia vazot e luleve mes të cilave edhe një begonjë 55 vjecare të familjes. Të nesërmen kontaktoi dy personat të cilëve ai ju detyrohej dhe ju kërkoi numrin e llogarive bankare. Derdhi shumat përkatëse në prani të noterit dhe avokatit të saj. Hëngri drekë vetëm në një snak bar pranë Bllokut. Mendoi të kalonte nga mjekja që po i mbante nën kontroll shtatzaninë, por pastaj ndërroi mendje.
U kthye në shtëpi dhe u shtri më herët. Nuk e kishte dëgjuar derën dhe kur hapi sytë ai po e shikonte, ulur në shtrat, pranë saj.
– Po vdes për ty – pëshpëriti shprehjen që asaj i pëlqente aq shumë. Mbështolli krahët rreth qafës dhe bënë dashuri.
Muzgu kishte sjellë në dhomë erën e luleve të limonit. Në muret e dhomës, hijet e tyre përpëliteshin në rënkime. U zgjuan në krahët e njëri-tjetrit. Hëngrën mëngjes bashkë në verandë. Kishin kohë që s’e bënin këtë gjë.
– Kam një lajm të mirë – i tha.
-Edhe unë – ia ktheu ajo duke qeshur dhe përplasur duart si fëmijë.
– Do filloj punë në kompaninë ku isha përpara se të kthehesha në Shqipëri. Më duhet të ndjek punimet atje nga afër. Ti mund të vish të më vizitosh kur të duash. Ose ndoshta edhe mund të zhvendosësh punën tënde atje…
Ajo u pre në fytyrë.
– Kur e vendose? Nuk e pe të arsyeshme ta diskutonim më parë?
– Jo, ishte propozim që erdhi papritur dhe nuk mund ta refuzoja. Të lutem duhet ta kuptosh. Ti bëhesh egoiste dhe unë dua hapësirat e mia. Nuk mund të më pengosh, kuptoje dreqi ta hajë? Nuk lejoj askënd të më pengojë në karierën time.
– Ok – mbylli bisedën ajo.
– Kemi një javë kohë për t’u çmallur – ndryshoi tonin e zërit.
Ajo u ngrit, ushqimin s’e kapërdinte dot, i ngjallte neveri. Mbaroi kafen me qumësht, u vesh dhe doli.
Ai e telefonoi pas disa minutash:
– Nuk kishe diçka për të më thënë?
– S’e mbaj mend tani – ia ktheu.
– Përderisa nuk e mban mend do ketë qenë e parëndësishme- qeshi ai.
– Po, ashtu do ketë qenë – ia ktheu.
Rrugët ishin gjysëm të ngrira. Dimri atë vit kishte ardhur i mbrapshtë. Nëpër rrugë tek-tuk dalloje njerëz të mbështjellë trashë që nxitonin për të mbaruar punët dhe strukeshin në shtëpitë e tyre.
Pas gjithë asaj lumturie kishte kërkuar shumë pak. Kishte kërkuar që shpirti i saj të ngrinte banesën në dhomën e ëndrrave. Kishte dhënë të tëra mrekullitë që mund të japë një dashuri pa kushte e tani kishte nevojë të kujdesej për veten. Shpirti i saj i butë nuk mund të rebelohej .
Nuk shkoi në punë atë ditë, vendosi të kthehej tek klinika. Atje gjeti një prej ndihmësmjekeve e cila po luante me telefonin dhe as ngriti kokën ta shikonte kur ajo hyri. Trokiti në derën e mjekes së saj, por nuk iu përgjigj njeri.
– Ka dalë – i tha infermierja pa e ngritur kokën nga telefoni.
– A mund të më lini një takim?
– Plotësoni këtë formularin…
Emri——-
Mbiemri——
Mosha———-
Pasdite vonë shkoi në klinikë përsëri dhe bëri vizitën e rradhës.
– Do ta shikosh nëse është djalë apo vajzë?- e pyeti duke buzëqeshur.
– Jo – i tha.- Nuk mund ta mbaj.
Mjekja u kthye e habitur.
– Cfarë ka ndodhur? Je e sigurtë?
– Asgjë nuk ka ndodhur. Nuk jam gati për një fëmijë – i tha.
Mjekja e pa që ishte e kotë ta zgjaste bisedën. Plotësoi kartelën dhe i caktoi orarin për ndërhyrjen klinike.
Nuk mbante mend asgjë prej atij momenti. Donte të mbaronte punë sa më shpejt dhe të ikte nga sytë këmbët. I vunë një maskë në fytyrë. Po luftonte me dëshpërim që të merrte pak ajër. I flihej. Trupin e ndjente të rëndë. Zërat përreth saj heshtën, dëgjonte erën e rëndë të ilaçeve dhe metalin e ftohtë që përpiqej t’i shkulte zemrën. Provoi të klithte, por nuk mundi të nxirte zë. Qëndroi e shtrirë palëvizur. Qetë.
Fytyra e gjyshes iu afrua ngadalë duke i përkëdhelur flokët. Drita e bardhë që lëshonin krahët e saj përzihej me mjegullën dhe heshtjen e errët. Në pak çaste ëngjëj të tjerë e rrethuan në një vallëzim mistik. Dëgjonte e mrekulluar tingujt e valseve dhe krahët e bardhë afroheshin dhe largoheshin. Zgjati duart dhe ju bashkua fluturimit. Lart. Po ikte nga toka ku pranverat vinin me mundim.
Mjekja nuk kishte mundur t’ia ndalonte hemoragjinë. E tronditur, u përplas në karrige dhe filloi të plotësonte formularin.
Emri——-
Mbiemri——
Mosha——–
Cohen.N. Prill 2017