Albspirit

Media/News/Publishing

Ina Kosturi: Ju sugjeroj ekspozitën e Gazmend Lekës se ju kthen në shpresë

Ina Kosturi

Dielli ndriçon si gjithmonë në ca ditë të ngrohta të dimrit të sapoardhur. Kryeqyteti, njerëzit jetojnë një stinë pa emër, shfaqur në fytyrat e maskuara mes ngjyrash në një ‘modë’ tejet të detyruar, në një vuajtje kolektive të rrallë, të panjohur. Të lodhur ecin në ritualin e ditëve të përshtatura me këtë ritëm të ri, midis kujdesit, frikës, distancës dhe një ndjenje të brendshme herë të shprehur, e herë të fshehur thellë me shpresën për të nesërmen.

Të tilla ditë kanë qënë disi të shpeshta në këto dy vite të mbrapshtë, shfaqur hera- herës dhe në tranzicionin tonë të pakuptuar. Si në një film, teksa kujton ritualin e ditëve të mëparshme në kryeqytet, të merr malli për oborrin e zhurmshëm të Universitetit të Arteve, sallën e ftohtë, karriget e prishura në prag rikonstruksioni, e më shumë për tingujt, për skenën, atë qëndrimin në fund të sallës, atë mori përditshmërie që asnjëherë nuk ka qenë kaq e çmuar dhe e vyer.

Si për ta shuar gjithë këtë mall për art, për tingujt e munguar, aktivitetet, ngjarjet kulturore, Galeria Fab, stoike në misionin e saj, sikur asgjë s ka ndodhur, të fton në një ekspozitë të rrallë. Një ekspozitë unike që çuditërisht qëndron kaq pranë ngjarjeve të sotme, e në sens më të gjerë të ngjarjeve një vendi në një periudhë të gjatë 30 vjeçare. Këtë mision fisnik të një ekspozite pikture në këto kohë pragdimri të çuditshëm, realizon mrekullisht piktori i njohur Gazmend Leka.

Ekspozita “Noe ” të kthen në normalitetin e aktiviteteve të arteve pamore, që vjen në ritualin e ekspozitave të piktorit ndër vite pranë galerisë Fab, apo qendrës ku shpalosen artet pamore, të përball me mendimet filozofike për kohën, krijuesin, njeriun, të bind se krijmtaria e artistit, piktorit, në këto ditë të vështira nuk rresht.

Është kjo kohë e sotme që e bën akoma më unike , më të vlerë e më të fuqishme rëndësinë e pikturave, mesazhin filozofik, veprën e artistit, gjithë atë bagazh ngjarjesh, idesh, historish të së shkuarës e të tashmes që shtresojnë në mendjen e krijuesit, piktorit, për tu përçuar mes penelit fuqishëm në telajo.

Ndalon para kuadrove të mëdha, thyer me ca ngjyra të veçanta këtë herë, dhe me intuitën e artistit, ndonëse nuk kupton teknikat, ndien se e bukura edhe në çaste të rënda shfaqet para teje, kupton se profesionalizmi, talenti dhe puna ndërthuren bashkë më fuqishëm se çdo herë.

Ekspozita, tablotë dhe koha që po jetojmë ndërthuren me njëra –tjetrën. Bashkë ndërthuret dhe tematika e punëve dhe mjeshtëria e realizmit të tyre, dhe mbetesh dyzuar midis forcës së tematikës, asaj fuqie ngjarjesh që është aq e kapshme, e prekshme, tronditëse, me figura që mbeten të fiksuara dhe ekuilibrit të vendosur midis mënyrës sesi ato janë realizuar.

Ky ekuilibër midis dramës, realitetit dhe mjeshtërisë së krijimit, mënyra si vjen tek ti gjithë kjo forcë, kjo fuqi, aleancë e tre komponentëve ngjashmërisht si dhe thelbi ekspozitës, aleanca midis Krijuesit, njeriut, dhe natyrës, janë linjat e fshehura pas kuintave të kësaj ekspozite që në mënyrë figurative mund ta krahasojmë me një simfoni.

Spikatur për harmoninë e përsosur të formës, mënyrës si janë kompozuar dhe si qëndrojnë pranë njëra – tjetrës kuadro të përmasave të mëdha e të vogla në lidhje organike, përçuar nga i njëjti mendim, tablotë të lënë kurioz deri në imazhin tjetër, karakteristikë kjo e gjithë ekspozitave të Gazmend Lekës. Si vepra me tematikë e program, në një shkallë të tillë ndodh dhe thyerja e tablove të errëta dhe drita, nga një vijë e hollë shprese në një portret në mbytje, nga një vijë rozë, kalon në ngjyra shprese, diku jeshile, diku tjetër me ngjyra të ngrohta në një tjetër telajo të madhe, në një hënë diku të purpurt dhe ndonëse në situatë përmbytjeje të krijon nëpërmjet shkëlqimit, në fshehtësi idenë se po vjen një ditë tjetër shprese.

Ka gjithmonë një lidhje mes arteve a ndoshta në ekspozitat e Gazmend Lekës ka gjithmonë diçka të pathënë, që të shtyn të gjesh paralele me artet e tjera, ka frymëzim për krahasime. Profesionalizmi të intrigon në interpretime të reja, dhe kjo është më e bukura e një ekspozite, ajo rrugë e fshehur që të çon drejt arteve të tjera, në një lidhje të veçantë, unike midis tyre. E nëse piktura e letërsia shpesh shfaqen përqafuar e tok me to dhe mendimi i thellë e filozofik, tipik në ekspozitat e Gazmend Lekës, lidhja e fshehur me muzikën ekziston gjithashtu. Përtej fjalëve të kuratorit të ekspozitës, atyre shpjegimeve në media mbi ekspozitën , faktin se njeriun e kanë shoqëruar në historinë e tij ngjarje të përmasave të rënda, fakti si realiteti shqiptar i ka përjetuar rëndë këto vuajtje apo “mallkime”, ashtu si dhe kjo pandemi me përmasa globale, ekspozita “Noe” ngjason me një këmbanë kujtese për alencën e prishur mes Njerëzve me Krijuesin, apo me vetë Natyrën.

Si ekspozita e fundme e një triologjie, dy të parat titulluar “Lutja” dhe “Dhoma e hapave të humbur”, “Noe “ ka jo vetëm fuqinë përmbyllëse po dhe një peshë të madhe profesionale. Cdo artist, edhe pse jo i arteve pamore do ta dallojë edhe me dy ekspozitat e tjera forcën e mjeshtërisë krijuese, që do ta çonte ekspozitën në parametra shumë të lartë, si një pikë kulmore në vetë krijmtarinë e piktorit. Me forcë e vitalitet ajo vjen e gjallë dhe e fuqishme, në sinkron me idenë dhe realizimin. Rrallë ndodh që ideja artistike, drama të vinë apo të qëndrojnë kaq sinkron me anën profesionale, realizimin artistik.

Duket se artisti e ka kryer misionin e tij. Duke shëtitur mes tablove , ato shkrime numrash romakë , përtej peisazhit të Shqipërisë së lodhur, përtej aleancës së prishur a shpresës për një aleancë të re e harmoni midis Njeriut, Krijuesit e vetë Natyrës, peisazhit apokaliptik, fiksohesh në disa nuanca të thyera ngjyrash, diku në një vijë rozë në një portret të errët gati në mbytje, e gjithë ato 24 kuadro të mrekullueshme profesionalisht të sjellin në imagjinatë 24 kapriciot e Paganinit, ato faqe virtuoze me një teknikë superiore e herë ekstremisht të vështirë.

Si teknikat a tyre faqeve muzikore, me shumë linja ndonëse nga një instrument i vetëm, tablotë mbajnë në madhështinë e tyre me dhjetëra detaje të kuruara imtësisht. Ajo që të bën përshtypje është kontrasti, drama që paraqesin dhe mënyra e kuruar si ato vijnë, ndoshta instiktivisht koha që jetojmë është me shkëlqim e ato ngjarje aq të çuditshme për kohën. Ky kontrast është ndoshta dhe kritika e shprehur e piktorit, dizonanca e ngjarjeve me zhvillimin e kohës së sotme. I harron kapriçiot dhe kupton se ekspozita në gjuhën muzikore ngjan me një simfoni, për përmasat e veprës, idenë, mënyrën e realizimit, forcën emocionuese e shprehëse. Midis tablove dhe asaj ngjyre të errët ndjek një linjë tjetër tingujsh që vjen në pjesën më të madhe të tyre, një linjë ngjyrash shprese, ndjek atë vijën rozë të një portreti, që si tingulli i ngrohtë i largët shndërrohet në të tjera ngjyra në nuanca shprese, nga njëra tablo tek tjetra.

Për një çast harron dramën, kohën që po jetojmë dhe mbetesh tek realizmi, mënyra si e gjitha erdhi përsosur. Nga ekspozita largohesh me ndjesinë se ajo të ktheu në normalitet, se të përcolli fuqishëm dramën e kohës së sotme. Ke mall të duartrokasësh gjatë, si pas dëgjimit të një simfonie… Largohesh me imazhin e ngjyrave të shpresës në mëndje, dhe admirim për artistin e palodhur.

 

Në këto ditë covidiane, ju sugjeroj ekspozitën e Gazmend Lekës se ju kthen në shpresë

 

Please follow and like us: