Sadik Bejko: HIJE NËPËR NATË
Është natë e udhëtarit plak.
Ecën nën një ndriçim si ai i syve gjysmë mbyllur.
Me kohë e ka humbur qytetin e tij, ka humbur miqtë, mikeshat, kafet, gotat me verë.
Është ngritur të ripushtojë territoret. Këmbët i dridhen, hijet trallisen nën erë.
Nata ka rënë pllanga-pllanga mbi rrugë, pemë, blloqe banimi.
Është i humbur. E di këtë dhe fare nuk e pyet.
Të tjera vajza, gra, djem, të tjera fytyra i mbushin lokalet e tij.
Nuk e njohin më, vetmon i huaj në qytetin e vet.
…hapa… terr… vende ku rrinte me miq. Si i humbi buzët, fytyrat intime, bisedat me gota në duar?
Shtyhet i huaj mes të tjerash hije…
tej një çift i përqafuar.
(Ku t’iu gjej miq?) Këndi bosh, zbrazur nata. Froni braktisur.
Mikja i lektiset një telenovele në lotë.
Një shëtit qenin. Një tjetër pi kamomilin e shkretëtirës pa short.
Nesër rishmëz do shpalosë rrugët
si ta kthejë praptaz një film pa zë.
Gjurmon natës gjer në fund hijet endur me errësirë.
Hijet si hallka prangash të kyçura mbi gjakun e tij ende të pa mpirë.