Albspirit

Media/News/Publishing

Dy liderë partish, dy profile, dy personalitete politike të ndryshme


Eden Babani, Bruksel
Me distancë kohore prej një muaji, patëm rastin të ndiqnim drejtpërdrejt nga Opinion i TV Klan dy debate politike me tema nga më të nxehtat e ditës. Më 15 tetor, me Kryeministrin Edi Rama. Më 19 nëntor, me Lulëzim Bashën, Kryetar i Opozitës së ligjshme, asaj jashtëparlamentare.
Nuk po sjell episode nga debati, sepse s’është ky qëllimi i këtij shkrimi. Kush i ka ndjekur programet, i ka ndjekur. Kush s’i ka ndjekur, le të gjejë në YouTube, nëse dëshiron. Qëllimi është çështje mbrese.
Falë dy programeve, përtova mbresa diametralisht të kundërta për secilin nga dy liderët. Jo se s’e kam pas bërë me kohë diferencën me syresh, por sepse rasti konkret erdhi si i zbritur nga qielli.
Edhe njëri, edhe tjetri, u ndodhën në studio përballë një paneli prej katër gazetarësh, çka në dukje të krijonte përshtypjen e kushteve të barabarta. Por, s’kam si e fsheh se, qysh në fillim të programit, më ra në sy një hile në përzgjedhjen e gazetarëve. Hile e vockël, por e kapshme për gjithkënd që vrojton me kujdes..
Iniciativë e moderatorit?
S’dua ta besoj. Kësaj pyetjeje mund t’i përgjigjet vetëm ai.
Trysni rilindëse shumëdimensionale mbi TV Klan? Për mendimin tim, kjo është më e pranueshmja.
Sepse, e çuditshme, fjala vjen, përbërja e panelit të dytë.
Dy ndër gazetarët e ftuar, po ata të 15 tetorit, në të njëjtin krah të studios. Dy të ftuarit e tjerë, për qokë a për kushedi se çfarë, ishin ulur përballë, në krahun e “të përjashtuarve”.
Të ketë qenë e rastësishme? Edhe kjo nuk më besohet. Pse të mos ishte i njëjti panel?
Unë e di pozicionimin e çdonjërit prej gazetarëve të ftuar, sado të pavarur të shtiren. E kam fjalën për të dy panelet. Edhe për të pardjeshmin, edhe për atë të një muaji përpara. Shpresoj ta dinë edhe të tjerë. E marr me mend edhe ku do të godasin e çka do të komentojë çdonjëri, pa e hapur ende gojën. Rrallë kam gabuar.
Në kushte të tilla, aspak të barabarta, u ndodhën Kryeministri dhe kryetari i opozitës gjatë debateve politike në fjalë. Ama sjellja e njërit, ndryshonte kryekëput nga e tjetrit.
Jo nga veshjet me të cilat u paraqitën në studio, por nga reagimet. Veshja është çështje e shijes vetjake. Është e drejtë e kujtdo të paraqitet në publik si t’ia presë mendja.
Mbresat e mia, lidhen me mënyrën sesi reaguan në studio Kryeministri dhe Kryetari i Opozitës..
I pari,  tejet i shqetësuar. Fliste me këmbë e me duar, me ngërdheshje e përqeshje që të kallin krupën.
I dyti, tejet i qetë dhe me buzëqeshje.
Kryeministri, duke shmangur përgjigjet e drejtpërdrejta, duke u hedhur degë më degë e duke ndërprerë fjalën e moderatorit a të gazetarëve me britma e fyerje.
Kryetari i opozitës, duke u lutur t’i jepej kohë që të përgjigjej më përpara, pa të dëgjonte pyetjen e radhës, pasi të kishte mbaruar fjalën.
I ndodhur përpara pyetjesh të vështira dhe faktesh të pakundërshtueshme, në pamundësi përgjigjeje, Edi u ngrit disa herë nga vendi dhe iu drejtua me stekë në dorë ekranit ku shfaqeshin fakte, shifra, copëra deklaratash etj. Kulmi arriti kur iu sul si i ndërkryer njërit prej gazetarëve, i cili, duke dashur të mbrohej nga spërkat e pështymës në këtë kohë pandemie, iu lut moderatorit të ndërhynte e ta qetësonte.
Edhe Luli u ndodh përpara pyetjesh të vështira, por në asnjë rast nuk lëvizi nga vendi. As kur një nga gazetarët shfaqi në ekran një fragment nga një dosje e Gjyqit të Hagës, i kohës kur gjykohej Milosheviçi. Luli buzëqeshi me ironi. E dinte të vërtetën si një e një që bëjnë dy, dhe iu lut moderatorit t’ia përkthente tekstin nga anglishtja, nëse gazetari s’e njihte mirë anglishten apo nëse, në ngutje e sipër, e kishte kuptuar gabim. Kësisoj, në vend që të ndërkrehej “i akuzuari”, u ndërkrye “akuzuesi”, i cili u shpërfytyrua e s’dinte ç’ fliste.
Ndonëse jo në përballje të drejtpërdrejtë, por të tërthortë dhe me distancë kohore prej një muaji, të dy liderët e partive më të mëdha, njëri në pushtet e tjetri në opozitë, na u shpërfaqën ashtu siç janë në të vërtetë. Ama fare-fare siç janë.
Është shans ideal për të ashtuquajturin elektorat “gri” të bëjë zgjedhjen më të arsyeshme. Më mirë të djegë votat duke bredhur pas të shiturve te pushteti, pas sahanlëpirësve dhe sharlatanëve, apo t’u tregojnë vendin rilindësve që po na bëjnë gjëmën?

Please follow and like us: