Albspirit

Media/News/Publishing

Stefan Miha: Ndërtimi i kishës së Labovës daton rreth shekullit të V-të e.s.

Flet mësuesi dhe studiuesi Stefan Miha: Ndërtimi i kishës së Labovës daton rreth shekullit të V-të e.s.

-Kisha është ndërtuar për nder të Kostandin Labovitit, një shpatar i dalluar dhe një prej njerëzve të besuar të Perandorit Justinian

– Perandori latin i bëri dhuratë atij këtë Kishë, si formë shpërblimi për kontributin e tij në luftëra. -Pesë vjet pas ndërtimit, një nga njerëzit e besuar të Perandorit Justinian, i bëri dhuratë Kishës një kryq me peshë 4 kg, që kishe pothuajse 600 gramë ar.

-Fill pas kësaj, fshati mori edhe emrin Labova e Kryqit

 

Albert Z. ZHOLI

Kur e takon z. Stefan befasohesh. Një burrë fisnik, i ditur, patriot dhe korrekt. I mbajtur shumë për moshën ai ka një kujtesë të çuditshme. Biseda me të rrodhi për historinë e Kishës së Labovës së Kryqit, për profesionin e tij si mësues dhe problemet që ka fshati shqiptar sot….

Është folur dhe flitet shumë për kishën e Labovës së Kryqit, madje ju jeni ai që keni shkruar më shumë për të. Mund të na prezantoni një historik të shkurtër të kësaj kishe me famë në Europë të cilën e vizitojnë qindra turistë?

Për këtë kishë flitet shumë dhe me të drejtë. Ajo është një thesar i kulturës kombëtare dhe vlerat e saj rriten për çdo ditë. Ndërtimi i saj daton rreth shekullit të V-të e.s. Një dëshmi e paraqitur një shekull më parë nga greko-shqiptari Nikolaos Mystakidis bën të ditur se kishës së Labovës, perandori Justinian, i dhuroi një copë nga druri i shenjtë i kryqit të kryqëzimit të Krishtit dhe një dorëshkrim të artë të Shën Gjon Gojartit. Dëshmitë historike përmendin faktin se është ndërtuar për nder të Kostandin Labovitit, një shpatar i dalluar dhe një prej njerëzve të besuar të Perandorit Justinian. Perandori latin i bëri dhuratë atij këtë Kishë, si formë shpërblimi për kontributin e tij në luftëra. Pesë vjet pas ndërtimit, një nga njerëzit e besuar të Perandorit Justinian, i bëri dhuratë Kishës një kryq me peshë 4 kg, që kishe pothuajse 600 gramë ar. Fill pas kësaj, fshati mori edhe emrin Labova e Kryqit. Çdo 8 shtator, në Labovë festohet “Dita e Kryqit”, një festë që mbledh së bashku njerëz nga e gjithë zona. Nëse shikohet më vëmendje  ndërtesa është tipike bizantine me një kupolë të lartë qendrore, me navën dhe aislet e ndërtuara në mënyrë që të krijojnë figurën e kryqit. Hyrja kryesore në Kishë është përmes një narteksi të mëvonshëm. Ka të paktën 9 nivele të dallueshme afreskesh të pikturuara në sipërfaqen e mureve të brendshme.

A ka pasur dëmtime në kohë kjo kishë?

Kisha e “Shën Marias” si shumë objekte të tjera kulti në Shqipëri, ka qenë pre e shkatërrimit dhe e grabitjeve të ndryshme. Në vitin 1967 kur nisi shkatërrimi i objekteve të kultit, Kryqi i Shenjtë u fsheh nga banorët e fshatit. Ai u rishfaq për herë të fundit në në vitin 1968 pastaj ai vidhet, e nuk u gjet më kurrë. Sipas studiuesit Gazmend Muka, Kryqi i Shenjtë i kishës së “Shën Marias” në Labovë, është i lidhur ngushtësisht me kryqin ku u kryqëzua Krishti. Brenda kryqit ndodhej një kuti druri e punuar hollë dhe e vendosur në zemër të tij. Dhe brenda kësaj kutie të vogël, konservohej një copë druri lisi (nga burimet del se ishte rreth 152 gramë) nga Kryqi, ku qe kryqëzuar Jezu Krishti. Pra Kisha e Labovës së Kryqit është njëri nga monumentet më interesante në Shqipëri që i kushtohet Shën Marisë.

Ju thoni se ka shumë viziorë, a është e vërtetë dhe si shkohet atje?

Po! Për të shkuar në Labovë, kushdo e ka dhe duhet të ketë një motiv – Kisha 1500 vjeçare, si dëshmi e ekzistencës së historisë sonë. Atje shkohet duke ndjekur rrugën që të çon në Libohovë, nisur nga një degëzim drejt lindjes i autostradës në jug të Gjirokastrës. Në kthesën drejt Libohovës merret pak majtas, te rruga e paasfaltuar që shkon në Suhë dhe vazhdohet në këtë rrugë në drejtim të lartësive të kodrave. Rruga ka degëzim përsëri, por të dyja degët të çojnë në majë të një kodre; pak kilometra më tej është Labova e Kryqit, ku arrihet pasi rruga bëhet përsëri e asfaltuar. I gjithë udhëtimi merr rreth 40 minuta. Turistët ngelen të mrekulluar nga vlerat arkitektonike dhe ikonat e kishës së Labovës së Kryqit. Madje ka nga ata që pasi e kanë vizituar një herë kishën janë kthyer sërish pas disa muajsh me një grup më të gjerë turistësh. Së fundi unë kam marrë një letër nga disa turistë holandezë, të cilët kanë vizituar këtë kishë përpara disa javësh. Pasi shprehen të mrekulluar nga vlerat e saj, mes të tjerash, më premtojnë se vitin e ardhshëm do të kthehen sërish në Labovë me miq të tjerë.

Meshat në këtë kishë në çfarë gjuhe mbahen?

Mbahen dhe shqip por edhe greqisht, por më shumë shqip.

Ka ardhur ndonjëherë Janullatos në këtë kishë?

Po. Ka qenë viti 2010 në mos gabohem. Ai erdhi me disa priftërinjë të tjerë na përshendeti dhe filloi të mbajë një meshë në greqisht. Kur mbaroi unë u ngrita dhe i thashë: Zoti Janullatos kjo është një kishë shqiptare dhe do jetë në nderin tuaj dhe tonin që mesha të mbahet në shqip. Disa më panë me habi për guximin. Po ky nuk ishte guxim, ishte thjeshtë  një dëshirë zemre pasi është kishë ortodokse shqiptare dhe duam ta dëgjojmë meshën në gjuhën e nënës.

A reagoi Janullatosi?

Jo! Vetëm buzëqeshi dhe tundi kokën. Pra ndoshta nuk i erdhi mirë por nuk e dha veten.  Nuk dha përgjigje.

Ky ishte takimi i parë me të?

Po i pari dhe i fundit.  Nuk kam pasur më rastin ta takoj, por pashë që ata që e shoqëronin më shikonin paksa vëngër….

Ju keni shkruar disa shkrime për Kishën e Labovës së Kryqit, ke pasur ndonjë reagim nga priftërinjtë grekë?

Për shkrimet e mia më ka thirrur për takim një gazetar nga stafi i Konsullit grek në Gjirokastër. Shkova dhe e takova në një lokal në Gjirokastër dhe ju përgjgija të gjitha pyetjeve që më bëri.

Ju keni qenë mbi 40-vjet mësues si ka qenë arsimi shqiptar në sistemin monist?

Ai sistem kishte vetëm një gabim, që kishte shumë politizim të mësimeve që hyjnizonte Partinë e Punës. Të tjerat ishin shumë korrekte. Kishte kërkesë të lartë llogarie. Kishte sistem arsimimi në çdo fshat. Arsimi 8-vjeçar ishte i detyueshëm. Mësuesit ishin shumë të përgatitur dhe të sakrificës. Atë kohë nuk mund të mendohej mitmarrja.

Ku keni shërbyer si mësues?

Në shumë fshatra të Gjirokastrës, madje edhe në fshatrat e minoritetit. Kudo mësuesi respektohej.

 Kur dolët në pension?

Më vitin 1993. Atë kohë isha drejtor i shkollës  së fshatit.

A e keni takuar ndonjëherë Enver Hoxhën?

Enverin e kam takuar tri herë… Kur isha drejtor i shkollës dhe i kulturë kishim krijuar një grup folklori. Kur erdhi Enveri vizitë në Gjirokastër, ndofta në vitin 1969, shkova me grupin folklorik të Labovës së Kryqit për koncert. Grupet ishin vendosur te kati i parë dhe shkonin me radhë. Te kati i dytë i turizmit interpretonin këngë e valle. Kur mbaroi fjalimi me kuadrot, Enveri erdhi na takoi ne që ishin ulur në tavolina. Pastaj u drejtua te grupi ynë dhe tha: “-Keni kostum me shumë vlera… Kështu të ruhet tradita. Mund të hedhim një valle bashkë…”. Dhe filloi vallja nën tingujt e sazeve të mjeshtrit Vasil Mastora… Një festivalist nga grupet u fut të valle përpara Enverit, dhe ai i tha:-“Vallja e Labovës ka radhë, shko në fund dhe kur të të vijë rradha…”.  Herën e dytë e takova, kur erdhi për përurimin e dhomës muze të Heroit të Popullit Muzafer Asqeriu, në shtëpinë e Dine Asqeriut… Dhe herën e tretë e takova në Sheshin ‘Çerçiz Topulli’, kur po shkonte për në Komitetin e Partisë dhe unë shkoja në mbledhjen e drejtorëve në Kabinetin Pedagogjik…Ishte i pashëm. Të zhbironte me sy. Pëlqente çdo gjë që kishte lidhje me folklorin.

Please follow and like us: